“TË VIZITOSH TË BURGOSURIT”. DЁSHMI NË RASTIN E DITËS SË TË RINJЁVE NЁ DIOQEZEN E RRËSHENIT MBI VEPRAT E MËSHIRËS.

“TË VIZITOSH TË BURGOSURIT”. DЁSHMI NË RASTIN E DITËS SË TË RINJЁVE NЁ DIOQEZEN E RRËSHENIT MBI VEPRAT E MËSHIRËS.

12308616_1060791070651555_3401061579155091152_n

 

 

Të dashur të rinj,

kjo dëshmi e cila më është kërkuar sot të bëj përpara jush nuk ka qenë e lehtë të pranohej nga unë. Por e pranova sepse mendoj që është diçka e bukur dhe me vlerë të bashkë ndahet edhe me ju.

Ka disa vite që unë shkoj te burgu i Burrelit (që është një burg me siguri të lartë, ku ndodhen rreth 220 të burgosurit). Kam shkuar shpesh herë për të dërguar ndihma, të cilat janë bërë të mundura nga famullia e Suçit dhe Caritasi.

Kështu që marrëdhënia ime më të burgosurit ka qenë një çik e largët, e zbrazët në këto vite, një marrëdhënie momenti dhe vetëm për nevojat materiale. Ajo çka na bashkonte më shumë ishin ndihmat konkrete. Por as këto ndihma, ushqime, rroba, etj. … nuk kishin forcën që të na lidhnin më shumë.

Në tetor të vitit të kaluar, së bashku me don Roberton dhe të tjerë, na erdhi ideja që me këta persona mund të bënim diçka ndryshe. Dhe pastaj, në fakt, çka kemi bërë është krejt diçka ndryshe dhe do t’jua tregoj më poshtë.

Vendosem të shkonim çdo javë, kështu, vetëm për të biseduar me ta, për të kaluar një orë ndryshe, për t’ju qëndruar afër. Në fillim nuk kishim asgjë me vete përveçse disa fletë të fotokopjuara dhe një Bibël. Por këto ishin të mjaftueshme për të hyrë në dialog me këta njerëz, të cilët kanë gabuar por janë të njësoj si ne. Dinjiteti njerëzor nuk humbet me gabime! I përket çdo njeriu … që është krijuar në përngjasimin e Zotit, pavarësisht gabimeve!

Për mua kanë qenë të vështira javët e para… përpara se të shkoja, mendoja gjithmonë se çfarë t’ju thoja unë atyre? Me çfarë fjalësh mund t’ju flas në fillim e me çfarë fjalësh do e mbyll… Ishte diçka e cila më vinte në vështirësi. Pse ishte kaq e vështirë? Sepse thoja me veten që ata, shumë thjeshtë mund të mendojnë …  “ok, ti je jashtë, je i lirë, lëviz ku të duash, je me të familjes tënde, je me miqtë e tu,  dhe për ty është e thjeshtë të flasësh kështu me ne, por ne, këtu brenda, nuk kemi më asgjë, na mungon çdo kusht e gjithçka… “

Dhe, më besoni, të jesh në mes tyre nuk është e lehtë.

Të dashur të rinj,  nuk është e lehtë sepse për shoqërinë, nga e cila unë vij dhe bëj pjesë, këta njerëz nuk ekzistojnë, këta njerëz nuk duhen takuar, këta njerëz nuk duhen vlerësuar, këta njerëz duhen gjykuar, duhen paragjykuar, madje edhe duhen urryer për atë çka ata kanë bërë. Për të gjitha këto arsye që jua thashë, për mua nuk ishte e lehtë.

Por nuk është kështu, ata janë njësoj si ne, kanë gabuar dhe po vuajnë dënimin e tyre. Ndoshta dhe shumë tjerë kanë gabuar por nuk janë aty,…  Ata janë aty dhe po e paguajnë, me çmimin e lirisë së tyre, gabimin e tyre.

Pastaj mendohet gjithmonë se shkohet atje me idenë për t’ju mësuar atyre diçka, por, në fund kupton që je ti që ke mësuar prej tyre, prej gabimeve të tyre, prej vështirësive të tyre, prej pendimit të tyre.

Po ju thoja me sipër që ajo çka kishim me vete ishin disa fotokopje dhe një Bibël; në fakt nuk duheshin më shumë. Mjaftonte Bibla dhe fjalët e Papa Françeskut dhe arrijë të komunikojë me ta shumë mirë… lirshëm dhe pa asnjë kompleks. Ishte pikërisht Krishti i cili bëhej mjet mes nesh dhe atyre. Si ndodhet çdo herë që takojmë tjetrin: është Ai, Krishti vetë, i cili bëhet fjalë, shikim, vështrim dhe përqafim …  aty ku forcat tona nuk arrijnë.

Edhe pse ka pak kohë që shkoj, kam parë të burgosur të gatshëm për dialog, përtej peshës së dënimit të tyre, të hapur drejt një të ardhmeje të lirë dhe të hapur në kërkim të Zotit që po e ndjenin në ndërgjegjen e tyre. Kanë qenë mësues për mua.

I burgosuri, më vjen në mend, është ai që jeton në të njëjtën mënyre siç jetonte një lebros në kohën e Jezusit, … i përjashtuar, i refuzuar, i izoluar. Edhe kjo është një arsye e cila më shtyn të shkoj e ti takoj çdo javë. Në fakt Jezusi vetë është arsyeja e fortë e cila më shtyn të shkoj çdo herë atje. Pa Atë, çfarë do ju thoja atyre? Për çfarë do flisnim? Për politike? Për kushtet e jetesës? Për varfërinë?

Jo. Nuk është e mundur. Sepse për asnjë nga këto gjëra nuk kanë nevojë. E vetmja gjë për të cilën kanë nevojë thellësisht është Hyji, është mëshira e Zotit.

Një ditë, të martën në mëngjes, pasi u bëra gati për të dalë nga shtëpia dhe për të shkuar të burgu, ndërkohë që po shikoja diellin dhe malet, të cilat ndodheshin përballë syve të mi, më vinin në mend ata të cilët do shkoja të takoja, dhe po mendoja t’ju thoja, nga larg, këto gjera: “Në këtë moment po ju mendoj, ndërsa po shikoj jashtë nga ballkoni një realitet që ju tani nuk po e jetoni, që ju është mohuar për një gabim tuajin, një realitet që ndoshta një ditë do të riktheheni për ta jetuar, edhe me vështirësi ndoshta, po shikoj njerëz që po lëvizin rrugës afër meje, dhe që ju s’mund ti shihni, po shoh murin rrethues të shtëpisë sime dhe mendoj për katër muret tuaja të ftohta që ju mbajnë brenda, po shikoj ngjyrat e natyrës që sigurisht edhe ju keni nostalgji që ti shikoni, por ato katër mure nuk jua lejojnë. Ju mungojnë shumë gjëra, ndoshta dhe për mua këto gjëra që po shoh janë vetëm mashtrime, sepse burgu i vërtetë është brenda nesh. Nëse po ju mendoj është pikërisht sepse dua t’ju falënderoj, sepse në atë vogëlsinë tuaj e keni bërë tuajën, me keni bërë të kuptoj kush janë vlerat e vërteta të jetës, liria dhe lumturia, ose më mirë, liria që është lumturi”.

Të dashur të rinj,

me këtë reflektim të së martës në mëngjes, doja t’ju thoja edhe juve që burgu më i madh ndodhet brenda nesh, atëherë kur ne kemi frikë nga tjetri, kemi turp, mendojmë se nuk do kuptohemi, mendojmë se do gjykohemi, mendojmë që gabimet tona na bëjnë më të dobët, më të pavlerë, kur në vete gjykojmë, paragjykojmë, mbyllim njerëz në veten e tyre, nuk ndihmojmë, nuk lutemi, nuk bëjmë aq sa mundemi, mbi të gjitha kur ndërtojmë mure dhe nuk lejojmë tjetrin dhe Zoti të depërtojë thellë brenda nesh e të zbuloje atë mirësinë të cilën shpesh herë e fshehim aq thellë saqë askush s’mund ta shikojë dhe përqafojë…

Pra, në fund, mund të them që duke shikuar “me mëshirë” (d.m.t. me sytë e Zotit) të burgosurit e Burrelit … kam mësuar të shikoj edhe vetveten me ata sy. Dhe po kuptoj që mëshira është mënyra më e mirë dhe më e drejtë për të gjykuar të tjerët afër meje dhe … veten! I sigurt që ky është vullneti i Zotit. Kështu na mëson Papa Françesku në këtë vit të mëshirës!

Nga  GENTJAN GJINI  (Bashkëpunëtor i Kishës Katolike në Rrethin Mat).

Previous 67 VJET NGA VDEKJA E MONS. VINCENC PRENNUSHIT DHE PROFECIA E DATES 19.
Next “Të Mëshirshëm sikurse Ati”. Dita e të rinjëve në dioqezën Rrëshen.

Sugjerime