Përurohet busti i Papës Francesku përpara piramidës në Tiranë

Përurohet busti i Papës Francesku përpara piramidës në Tiranë

A bust of Pope Francis has been set downtown Albanian capital Tirana on the third anniversary he has been at the post, Tuesday, March 15, 2016. Two years ago Pope Francis visited Albania in his first trip abroad in the continent praising the tiny western Balkan country’s religious coexistence.  (AP Photo/Hektor Pustina)

(AP Photo/Hektor Pustina)

Nga Radio Vatikani    /

Ndërsa Papa Françesku shpallte në Vatikan datën e kanonizimit të së Lumes Nënë Terezë, populli shqiptar, bijë e së cilës është shenjtja e bamirësisë, e nderonte Atin e Shenjtë në Tiranë, vetëm dy ditë pas përvjetorit të tretë të papnisë.

Sot, u përurua në Tiranë busti i Papës Françesku, në sheshin para Piramidës, në afërsi të Këmbanës së Paqes. Morën pjesë Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri, imzot Ramirez Molinar Ingles, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, këshilltarët bashkiakë, Trupi Diplomatik i akredituar në vend dhe përfaqësues të feve.

“Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi, – theksoi presidenti Nishani, në fjalën e tij – mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes dhe aq më tepër, përpara ish-muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq jo vetëm të shembte kisha e xhamia, të burgoste e të vriste klerikë e besimtarë të pafajshëm, por madje të na shpallte të gjithëve pa përjashtim, ateistë”.

E më pas, nënvizoi: “Besimi në Zot dhe në vlerat e vërteta njerëzore as mund të ndalohet, as mund të zhduket, as mund të tjetërsohet kurrsesi, sado shtypëse dhe gjakatare të jenë forcat tiranike, që u rrekën më kot ta bënin atë. Bashkësitë fetare në vendin tonë, klerikët dhe besimtarët e devotshëm në përgjithësi, Kisha Katolike në veçanti, me martirët e saj frymëzues, ia doli mbanë ta ruajë të paprekur atë besim e të ringjallet sërish në fundin e vitit të largët 1990.”

E ndërsa në Romë, Papa shpallte 4 shtatorin si datë të kanonizimit të Nënë Terezës, kreu i shtetit shqiptar nënvizoi sa shumë pritej në popull ky lajm.  “Me parimet dhe me besimin e patjetërsueshëm të kësaj Kishe,  – tha ai në fjalën e përurimit të bustit të Papës Françesku – u rrit, veproi, bëri bamirësi, ushqeu me dashuri e shpresë, duke u lartësuar në sy të gjithë njerëzimit, shtatvogla, por vepërmadhja Nënë Terezë. Dekreti i shpalljes shenjtore të Nënë Terezës pritet të firmoset nga Ati i Shenjtë, duke e shndërruar atë ditë në njërën prej më të rëndësishmeve në historinë e kombit shqiptar e duke na bërë krenarë jo vetëm ne, bashkatdhetarët e saj, por botën mbarë dhe të gjithë ata, që kanë pasur fatin ta ndiejnë e  ta përjetojnë mirësinë, butësinë dhe dashurinë e saj pa kushte, deri në mrekulli. Përfitoj nga rasti sot t’i shpreh edhe njëherë Atit të Shenjtë, Papës Françesku falënderimet më të ndjera si dhe mirënjohjen e thellë në emër të të gjithë shqiptarëve për këtë shenjtërim më se të merituar!”

Presidenti Nishani vuri në dukje: “Bashkëjetesa dhe harmonia fetare mes komuniteteve fetare dhe besimtarëve shqiptarë na ka bërë të veçantë jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë rruzullin. Modeli i lartësimit drejt qiellit të pastër shqiptar të minareve të xhamive, krah përkrah kambanoreve të katedraleve dhe kishave ortodokse dhe katolike dhe teqeve bektashiane, shërben vërtet si diamanti i kurorës fisnike, që mban në kokë prej shekujsh populli ynë, por këtë vlerë të rrallë duhet ta ndajmë e ta përhapim edhe me popujt e tjerë në këto kohë kaq të turbullta, kur besimi fetar po keqpërdorohet e po shfrytëzohet për të nxitur urrejtje dhe gjakderdhje barbare të paimagjinueshme në shekullin e njëzet e një.”

“Shqipëria dhe besimtarët shqiptarë, jo vetëm ata katolikë, e pritën Papën Françesku më 21 shtator 2014, duke i hapur dyert e zemrave e të shpirtrave, sepse Ai, veç të tjerash, erdhi në këtë tokë heronjsh dhe martirësh, edhe për të na dhënë një këshillë, duke na përgëzuar njëkohësisht për të: Që ta ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Duke vështruar bustin e këtij prelati të shenjtë, të këtij njeriu të përunjur, por jashtëzakonisht mbresëlënës, të cilin kam pasur fatin ta takoj, më vijnë ndër mend fjalët aq aktuale të Papës Françesku në mesazhin e tij më të fundit, me rastin e Ditës Botërore të Paqes, që m’u dorëzua në Institucionin e Presidentit, në Ditën e Krishtlindjeve, nga Nunci Apostolik: ‘Mposhtni indiferencën dhe arrini paqen!’ Le të na shërbejë ky mesazh i thjeshtë, por mjaft kuptimplotë e frymëzues për të përsosur veten dhe të tjerët rreth nesh dhe për të rigjetur dhe fituar paqen me njëri-tjetrin, në mënyrë që Shqipëria të bëhet vërtet një zonjë e hirshme, ashtu siç edhe e meriton!” – përfundoi Presidenti Nishani, fjalën e tij, me rastin e përurimit të bustit të Papës Françesku në Tiranë.

Previous Papa Françesku: Pas shumë vuajtjesh Shqipëria është ringritur në dinjitet dhe në besim!
Next Përmes kësaj pranie simbolike, Françesku do të vijojë të rrezatojë*

Sugjerime