Përmes kësaj pranie simbolike, Françesku do të vijojë të rrezatojë*

Përmes kësaj pranie simbolike, Françesku do të vijojë të rrezatojë*

Busti i papes 2

IMZOT RAMIRO MOLINER INGLES   /

Kam nderin, privilegjin dhe gëzimin e pamasë t’ju drejtoj juve pak fjalë në fillim të kësaj ceremonie, të thjeshtë, meqë është jashtë, por në të njëjtën kohë solemne dhe shumë domethënëse për simbolikën e pasur, nëse marrin në konsideratë rrethanat në të cilën zhvillohet dhe sidomos figurën qendrore që jemi duke nderuar: Papa Françeskun.

Para së gjithash, dëshiroj t’ju shpreh të gjithë juve dhe secilit prej jush në veçanti, mirënjohjen time të sinqertë dhe të thellë për praninë tuaj këtu, në këtë vend të rëndësishëm të Qytetit të Tiranës, dhe për bashkëpunimin tuaj të çmuar e cila bëri të mundur shndërrimin e një ëndrre në një realitet konkret:

 

Faleminderit shumë, Shkëlqesia Juaj Zoti Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë, gjithashtu për fjalët tuaja të mira;

E nderuar Ministre e Kulturës, Zonja Mirela Kumbuaro,

I nderuar Zëvendës Kryeministër Niko Peleshi

I nderuar Kryetar i Bashkisë Zoti Erjon Veliaj, dhe Zëvendës Kryetar Zoti Andi Seferi

Të nderuar Anëtarë të Parlamentit,

Të nderuar Vëllezër Ipeshkvij, Përfaqësues të Bashkësive Fetare,

Të nderuar Kolegë të Trupit Diplomatik,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe Zotërinj,

Edhe një herë faleminderit për praninë tuaj.

Ne jemi mbledhur këtu, këtë mëngjes, në kontekstin e kremtimeve për Përvjetorin e tretë të Zgjedhjes së Papa Françeskut, për të inauguruar një monument të kushtuar atij, i cili 18 muaj më parë, pikërisht të dielën më 21 shtator 2014, vendosi të kalojë detin Adriatik dhe erdhi të na bëjë një vizitë: një vizitë e cila u bë me të vërtetë historike dhe e paharruar.

Gjithçka filloi në mesditën e të dielës më 15 qershor 2014, kurPapa Françesku, nga dritarja e apartamentit të tij, para dhjetëra mijëra njerëzve të mbledhur në Sheshin Shën Pjetër, në Vatikan, për lutjen e “Engjëllit”, i habiti ata dhe botën, me këto fjalë: “Dëshiroj të njoftoj sot se, duke pranuar ftesën e Ipeshkvijve dhe të Autoriteteve Civile të Shqipërisë, do të shkoj në Tiranë ditën e Dielë më 21 Shtator. Me këtë udhëtim të shkurtër dëshiroj të përforcoj në fe Kishën në Shqipëri dhe t’i dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time një Vendi, i cili ka vuajtur gjatë pasojat e ideologjive të shkuara” (Kjo do të ishte vizita e parë e tij në një vend europian).

E di se shumë prej jush të mbledhur këtu kanë qenë të përfshirë, direkt ose indirekt, në atë vizitë dhe kanë patur fatin atë të Dielë të dëshmojnë dhe të bashkëndajnë atmosferën e ngrohtë, miqësore dhe entuziaste të krijuar nga prania e Papa Françeskut, si dhe mesazhin e fortë të dialogur dhe të pajtimit, shpresës, solidaritetit dhe paqes që ai solli për të gjithë popullin Shqiptar. Dhe jam i sigurtë se ju nuk i keni harruar as fjalët as gjestet me të cilat Papa Françesku shprehu mendimin e tij dhe  përcolli ndjenjat dhe emocionet e tij i rrethuar prej grupeve të ndryshme të njerëzve në takimet e ndryshme të programit.

Por më lejoni të rikujtoj, në këtë rast të veçantë, se si Papa Françesku vetë e tregoi përvojën e tij personale të asaj vizite, vetëm tre ditë më vonë, gjatë Audiencës së zakonshme të mbajtur të mëkurën vijuese, para njerëzve të cilët sërish kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit. Në vijim janë disa pjesë të fjalës së Papa Françeskut në atë rast solemn. Po citoj:

“Sot dëshiroj të flas rreth Udhëtimit Apostolik që bëra në Shqipëri të Dielën e shkuar. E bëj para së gjithash si një shenjë falënderimi për Zotin, i cili bëri të mundur ta bëj këtë vizitë për t’ia treguar, edhe fizikisht dhe në mënyrë të prekshme, afërsinë time dhe atë të mbarë Kishës këtij populli. Dëshiroj të përsëris mirënjohjen time vëllazërore Ipeshkvijve të Shqipërisë, priftërinjve dhe të gjithë rregulltarëve, të cilët punojnë me përkushtim shumë të madh. Mirënjohja ime shkon edhe për Autoritetet, të cilët më pritën me mirësjellje të madhe, si dhe ndaj atyre që bashkëpunuan për të organizuar vizitën time”.

“Kjo vizitë lindi prej dëshirës sime për të shkuar në një Vend i cili, mbas një shtypjeje të gjatë prej një regjimi ateist dhe çnjerëzor, po jeton përvojën e bashkëjetesës paqësore mes komponentëve fetarë të ndryshëm të tij. Ndieva se ishte e rëndësishme që ta inkurajoja atë në këtë rrugë, që ta vazhdojë atë me ngulm dhe t’i thellojë të gjitha aspektet në dobi të së mirës së përbashkët.”

“Për këtë arsye udhëtimi pati në qendër të vet një takim ndërfetar, ku pata mundësinë të vërej, me kënaqësi të madhe, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme mes besimtarëve dhe bashkësive fetare të ndryshme është jo vetëm e dëshirueshme, por konkretisht e mundshme dhe e realizueshme. Ata po e zbatojnë në praktikë! Bëhet fjalë për një dialog të vërtetë dhe të frytshëm, i cili i shmanget relativizmit dhe merr parasysh identitetin e secilit njeri. Në fakt, ajo që fetë e ndryshme kanë të përbashkët është rrugëtimi i jetës, vullneti i mirë për t’i bërë mirë të afërmit, pa mohuar ose zvogëluar identitetet e tyre përkatëse.”

“Takimi me priftërinjtë, me personat e kushtuar, me seminaristët dhe me lëvizjet laike ishte një mundësi për të kujtuar me mirënjohje, me çaste përmallimi të veçantë, martirët e shumtë të fesë. Falë pranisë së disa të vjetërve, të cilët i kanë jetuar në mishin e vet përndjekjet e tmerrshme, jehoi përsëri feja e kaq shumë dëshmitarëve heroikë të së kaluarës…”

Duke udhëtuar përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës… “pata mundësinë të dalloj fotografitë e 40 martirëve të vrarë gjatë diktaturës komuniste, për të cilët është hapur Procesi i Lumturimit. Ata u bashkohen qindra klerikëve të krishterë dhe myslimanë të vrarë, të torturuar, të burgosur dhe të internuar thjesht sepse besonin në Zot. Ishin vite të errëta gjatë të cilave liria fetare ishte zhdukur dhe besimi në Zot ishte i ndaluar. Librat fetarë u dogjën dhe prindërve iu ndalua t’u jepnin fëmijëve të tyre emrat fetarë të të parëve.”

“Përkujtimi i këtyre ngjarjeve tragjike është thelbësor për të ardhmen e një populli. Kujtimi i martirëve të cilët qëndruan në fe është një garanci për të ardhmen e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre nuk u derdh kot, por është fara e cila do të sjellë fryte  paqeje dhe bashkëpunimi vëllazëror. Sot, në fakt, Shqipëria është një shembull jo vetëm i rilindjes së Kishës, por gjithashtu i bashkëjetesës paqësore mes feve. Prandaj martirët nuk janë të mundurit, por fitimtarët: në dëshminë heroike të tyre shkëlqen  gjithëpushtetësia e Zotit, i cili gjithmonë e ngushëllon popullin e vet, duke hapur shtigje të reja dhe horizonte shprese.”

“Këtë mesazh shprese ia besova mbarë popullit shqiptar, të cilin e pashë të ishte entuziast dhe i gëzuar në vendet e takimeve dhe të kremtimeve si dhe nëpër rrugët e Tiranës… Unë e inkurajoj secilin që të angazhohet, sikurse tashmë ndodh, në vepra bamirësie dhe edukimi.

“Falënderoj përsëri Zotin sepse, me këtë udhëtim, më dha mundësinë të takoj një popull të fortë dhe të guximshëm, i cili nuk u përkul nga dhimbja. Vëllezërve dhe motrave shqiptarë u përsëris ftesën të kenë kurajo për të mirën, për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen e vendit të tyre dhe të Europës. Ia besoj frytet e vizitës sime Zojës së Këshillit të Mirë, e nderuar në Shenjtëroren kushtuar asaj në Shkodër… Përvoja e vështirë e së kaluarës le ta rrënjosë gjithnjë e më thellë në këtë popull hapjen kundrejt vëllezërve, sidomos ndaj më të dobtëve dhe ta bëjë atë protagonist të këtij dinamizmi të dashurisë aq e nevojshme në kontekstin e sotëm socialo-kulturor”.

Fjalët e Papa Françeskut në këtë Audiencë të madhe ishin: “Dëshiroj që të gjithë ne sot ta përshëndesim këtë popull kurajoz, punëtor, dhe që në paqe kërkon bashkimin”.

Qëllimi i ceremonisë së sotme pikërisht në këtë vend publik është i qartë: afër “Këmbanës së Paqes”, e bërë nga shkrirja e qindra mijëra gëzhojave të gjetur në malet e këtij Vendi, dhe tamam në zonën ku në shtator 2015 u zhvillua ceremonia përfundimtare e Takimit Ndërkombëtar të organizuar prej Komunitetit të Shën Egjidit me titull “Paqja është gjithnjë e mundshme – fetë dhe kulturat në dialog”. Nga këtu qindra udhëheqës fetarë botërorë firmosën dhe i dërguan botës mesazhin e tyre të paqes: “Paqja është gjithnjë e mundshme”.

Gjithashtu, qëllimi i vërtetë i pranisë simbolike të Papa Françeskut në këtë kënd të Qytetit të Tiranës, është për të kujtuar vizitën e tij historike në Shqipëri, jo vetëm si një ngjarje e gëzueshme dhe ndoshta nostalgjike e së kaluarës; por gjithashtu për t’i dhënë vazhdimësi asaj “dite që e bëri Zoti”, për të mbajtur gjallë dhe rikumbuar mesazhin e pasur dhe urgjent të sjellë nga Papa Françesku për të gjithë popullin shqiptar, dhe nga këtu edhe për botën.

Në atë të Dielë të Shtatorit 2014, Papa Françesku po udhëtonte përgjatë këtij bulevardi, duke marrë dhe shkëmbyer përshëndetje entuziaste me popullin Shqiptar. Unë shpresoj se nga tash, përmes kësaj pranie simbolike, ai do të vijojë të rrezatojë dhe të frymëzojë të njëjtat ndjenja dhe qëllime të mira për brezat e tashëm e edhe të ardhshëm.

Në pllakën e bronzit poshtë bustit mund të lexoni:

 

Shqiponja, simbol i flamurit të Atdheut tuaj,

nuk e harron folenë,

por ngjitet lartësive. Fluturoni lart!”

Françesku

Tiranë, 21.09.2014

************

Para përfundimit të paraqitjes sime dëshiroj të prezantoj skulptorin e mirënjohur Zotin Qazim Arifi, autor i kësaj kryevepre të artit. Ai nuk ka nevojë për prezantim. Prezantimi më i mirë janë veprat e tij të mrekullueshme të artit; në veçanti portretet në dru, mermer dhe bronz; dhe koleksioni i tij i pasur me piktura.

Dhe dëshiroj të përsëris mirënjohjen e thellë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Stafit të tij për bashkëpunimin e tyre të çmuar dhe të vazhdueshëm për realizimin e këtij projekti.

 

*Fjalimi i Shkelqesise se Tij Imzot Ramiro Molinar Ingles ne ceremonine e Inaugurimit te bustit te Papa Françeskut ne Tirane me date 15 mars 2016. 

Previous Përurohet busti i Papës Francesku përpara piramidës në Tiranë
Next UDHA E KRYQIT NE RRESHEN NEPER RRUGET E QYTETIT.

Sugjerime