A kemi nevoje ne meshtaret per formim?

A kemi nevoje ne meshtaret per formim?

SC0A9398GJERGJ META    /

“Frymëmarrja e jetës” e quan Amadeo Cencini, i cili për formimin e meshtarëve din diçka. Sa herë ne meshtarët, në ato dialogët brenda vetes tone, ndjejmë se jemi pjesë e një rrugëtimi të papërmbushur, i cili çdo ditë e më shumë kërkon prej nesh thellimin drejt një jete njerëzore e meshtarake më të vërtetë e më rrënjësore?

Sot ka shumë meshtarë që lodhen e rraskapiten duke punuar në vreshtën e Zotit në të gjithë Shqipërinë në Kosovë e në Mal të Zi. Janë shenjat e një Kishe të gjallë. E kjo duhet të na bëjë të jemi të gëzuar e plot shpresë për të ardhmen.

E megjithatë jeta e meshtarëve më shumë se kurrë është sot e rrethuar nga çaste e situata që e rrezikojnë drejt rrëshqitjes në një jetë të palumtur apo të frustruar. Nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e celibatit i cili është një dhuarët për Kishën e meshtarët edhe pse përballet çdo ditë me njerëzinë e brishtësinë tonë, por ka akoma edhe më shumë. Janë aspekte relacionale, baritore, shoqërore që sot kërkojnë nga ana e meshtarit katolik më shumë kujdes e një formim të vazhdueshëm. Ritmi me të cilin po ndryshon bota dhe realitetit, por edhe vetë njeriu imponojnë domosdoshmërisht te ne meshtarët përpjekje për të kuptuar më shumë e për të jetuar më thellësisht jetën dhe misionin tonë.

Çështja e formimit integral shtrohet shumë urgjent sot. Për fat të keq shkollat e teologjisë që ne kemi bërë nëpër seminare janë e vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për një formim integral. Në pjesën më të madhe dalja nga bankat e seminarit shoqërohet edhe me zhgënjimet për një realitet që nuk gjendet në libra. Kontakti me këtë realitet, që është sa i brëndshëm aq edhe i jashtëm, shpesh na çon në stile jete difensive ose në një hapje 360 gradë pa asnjë pikë referimi. E pasojat mund të jenë shpesh të tmerrshme, qoftë për jetën e meshtarit e qoftë për jetën e atyre që na janë besuar.

Prandaj më duket urgjente këmbëngulja personale dhe institucionale për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve.

Së pari mendoj që vetë ne meshtarët duhet të jemi kërkues për formimin tonë ndaj vetes dhe ipeshkëvinjëve tanë duke u kërkuar atyre mundësitë dhe hapësirat për këtë kohë formimi. Ata kanë për detyrë, që u vjen nga urdhëri i tyre, që të kujdesen për ne. Por formimi eshte edhe nje pergjegjesi personale e vete meshtarit. i hapur ndaj te rese ai duhet gjithmone te kerkoje ato instrumenta qe e ndihmojne per t’u formuar.

Së dyti vetë ipeshkëvinjtë duhet të kenë për zemër formimn e meshtarëve të tyre. Ne nuk jemi vetëm “tapabuçhi”, ku nuk ka meshë duhet me çu me thanë meshë. Jemi persona që kanë nevojë për një dialog të hapur dhe të sinqertë me ipeshkëvinjtë. Kjo sot arrihet me një formim të dyanshëm. E nuk do të ishte keq që herë pas here të organizoheshin kurse të përbashkëta formimi edhe me ipeshkëvinjtë tanë. Këta të fundit kanë përgjegjësinë më të madhe ndaj formimit tonë si meshtarë. Nëse një meshtar është në gjëndje të keqe, një pjesë e përgjegjësisë bie me patjetër mbi ipeshkëvin dioqezan apo mbi eprorin rregulltar që nuk është kudjesur ndaj çdo sinjali që dërgon një meshtar në gjëndje të keqe.

E pika e tretë janë strukturat dhe ekipet e formimit që të krijuar duhet të ofrojnë herë pas here mundësitë e takimeve dhe të përditimeve.

Unë si meshtar, edhe pse kam 15 vjet meshë, dhe një përvojë tashmë të mirë, ndjej se kam boshllëqe të mëdhaja në formimin tim e se ndjej nevojën e vazhdueshme për të punuar me veten dhe me identiteti tim si njeri dhe si meshtar.

Mundësia që na ofrohet këtë herë (14 dhe 15 mars) me dy ekspertë të mirëfilltë formimi dhe më një temë shumë të bukur: “Të vetëdijshëm për një shërbesë të bukur. Të jemi udhëheqës të bashkësie në një kohë komplekse” duhet patjetër të shfrytëzohet. Ndaj shpresoj që meshtarët do ta shfytëzojnë këtë mundësi të ofruar nga ekipi i formimit të vazhdueshëm që po punon mirë në bashkërendim me të gjithë faktorët në çështjen e formimit.

Shpesh jeta bëhet e vështirë për secilin nga ne e duket sikur mungon frymëmarrja. E formimi i vazhdueshëm na ofrohet pikërisht si një frymëmarrje për jetën tonë meshtarake.

Previous Dy fjalë zemre për Motër Maddy-n
Next Promovohet në shqip: Do t'ju jap barinj (Pastores dabo vobis), Porosia enciklike rreth formimit të meshtarëve.

Sugjerime