Papa Françesku:  Kisha te mos pranoje para te pista

Papa Françesku: Kisha te mos pranoje para te pista

papa 1Papa Françesku    /

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita.

Duke folur për mëshirën hyjnore, disa herë kemi kujtuar figurën e atit të familjes, që i do bijtë e vet, i ndihmon, kujdeset për ta, i fal. Dhe si atë, i edukon dhe i qorton kur gabojnë, duke favorizuar rritjen e tyre në të mirën.

Kështu paraqitet Hyji në kapitullin e parë të Isaisë profet, në të cilin Zoti, si atë i dashur por edhe i vëmendshëm e i rreptë, i drejtohet Izraelit duke e akuzuar për pabesnikëri dhe prishje, për ta kthyer në rrugën e drejtësisë. Teksti ynë fillon kështu:

«Dëgjoni, o qiej, dëgjo o tokë,
sepse Zoti po flet:
“Fëmijët i rrita, i burrërova,
por ata më përbuzën.
Kau e njeh të zotin
edhe gomari grazhdin e pronarit të vet,
kurse Izraeli nuk njeh,
populli im nuk merr vesh”» (1,2-3).

Hyji, nëpërmjet profetit, i flet popullit me hidhërimin e një ati të zhgënjyer: i ka rritur bijtë e vet, dhe tani ata kanë ngritur krye kundër Tij. Edhe kafshët janë besnike ndaj pronarit të tyre dhe e njohin dorën që i ushqen; ndërsa populli nuk e njeh më Hyjin, nuk pranon të kuptojë. Megjithëse i plagosur, Hyji lë që të flasë dashuria, dhe i bën thirrje ndërgjegjes së këtyre bijve të prishur që të ndreqen dhe të lejojnë që Ai t’i dojë përsëri. Kjo është ajo që bën Hyji! Na del përpara që ne të lejojmë që Ai, Hyji ynë të na dojë.

Marrëdhënia atë-bir, së cilës shpesh i referohen profetët për të folur për marrëdhënien e besëlidhjes mes Hyjit e popullit të vet, është përçudnuar. Misioni edukativ i prindërve synon që t’i rrisë në liri, t’i bëjë të përgjegjshëm, të aftë të bëjnë vepra të mira për vetveten dhe për të tjerët. Ndërsa, për shkak të mëkatit, liria bëhet pretendim për autonomi, pretendim për krenari, dhe krenaria çon në kundërvënie e në iluzionin e vetëmjaftueshmërisë.

Prandaj Hyji e thërret popullin e vet: “Keni gabuar rrugë”. Me dashuri dhe hidhërim thotë populli “im”. Hyji nuk na mohon kurrë ne; ne jemi populli i tij, më i keqi ndër burra, më e keqja ndër gra, më të këqijtë ndër popuj janë bijtë e tij. E ky është Hyji: kurrë, kurrë nuk na mohon! Thotë: “Bir, eja”. Dhe kjo është dashuria e Atit tonë; kjo është mëshira e Hyjit. Fakti se kemi një Atë të tillë na jep shpresë, na jep besim. Kjo përkatësi do të duhej të jetohej në besim dhe në dëgjes,ë me vetëdijen se gjithçka është dhuratë që vjen prej dashurisë së Atit. E në të vërtetë, ja kotësia, marrëzia dhe idhujtaria.

Prandaj tani profeti i kthehet drejtpërdrejt këtij populli me fjalë të rrepta për ta ndihmuar që të kuptojë se sa i rëndë është faji i tij:

«Vaj, për popullin mëkatar, […] për bijtë e prishur!
E përbuzën Zotin,
hyjshmuan Shenjtin e Izraelit,
atij ia kthyen shpinën» (rr. 4).

Pasoja e mëkatit është një gjendje vuajtjeje, pasojat e tij i pëson edhe vendi, i shkatërruar dhe i bërë si shkretëtirë, deri në atë pikë sa Sioni – pra Jerusalemi – bëhet i pabanueshëm. Aty ku ka refuzim të Hyjit, të atësisë së tij, nuk ka më jetë të mundshme, ekzistenca i humb rrënjët e veta, gjithçka duket e mbrapshtë dhe e asgjësuar. Megjithatë, edhe ky moment i dhimbshëm është përgatitje për shpëtimin. Prova është dhënë që populli të mund të përjetojë hidhërimin e atij që braktis Hyjin, pra të ballafaqohet me zbrazëtirën e shkretë të një zgjedhjeje të vdekjes. Vuajtja, pasojë e pashmangshme e një vendimi vetëshkatërrues, duhet ta bëjë mëkatarin të reflektojë për t’ia hapur atë kthimit dhe faljes.

Dhe kjo është ecja e mëshirës hyjnore: Hyji nuk na trajton sipas fajeve tona (krh. Ps 103,10). Ndëshkimi bëhet mjeti për të na nxitur që të reflektojmë. Kështu kuptohet se Hyji e fal popullin e bën, fal dhe nuk shkatërron gjithçka, por e lë gjithmonë të hapur derën e shpresës. Shpëtimi kërkon vendimin për të dëgjuar dhe për të lejuar që të kthehemi, por mbetet gjithmonë një dhuratë falas. Pra, Zoti, në mëshirën e vet, tregon një rrugë që nuk është ajo e flive rituale, por ajo e drejtësisë. Kulti kritikohet jo sepse është i kotë në vetvete, por sepse në vend që të shprehë kthimin, pretendon ta zëvendësojë atë; dhe bëhet kështu kërkim i drejtësisë personale, duke krijuar bindjen mashtruese se janë flitë ato që shpëtojnë, jo mëshira hyjnore që e fal mëkatin. Për ta kuptuar mirë: kur dikush është i sëmurë shkon te mjeku; kur dikush ndihet mëkatar shkon te Zoti. Por nëse në vend që të shkojë te mjeku, shkon te magjistari, nuk shërohet. Shumë herë nuk shkojmë te Zoti, por parapëlqejmë të shkojmë rrugëve të gabuara, duke kërkuar jashtë Tij një shfajësim, një drejtësi, një paqe. Hyji, thotë Isaia profet, nuk e pëlqen gjakun e deshëve e të qengjave (rr. 11), sidomos nëse flija bëhet me duar të ndotura me gjakun e vëllezërve (rr. 15). Por unë mendoj për disa bamirës të Kishës që vijnë me ofertën – “Merreni për Kishën këtë ofertë” – është fryt i gjakut të shumë njerëzve të shfrytëzuar, të keqtrajtuar, të skllavëruar me punën e paguar keq! Unë do t’u them këtyre njerëzve: “Ju lutem, merre me vete çekun tënd, digje”. Populli i Hyjit, pra Kisha, nuk ka nevojë për para të pista, ka nevojë për zemra të hapura para mëshirës së Hyjit. Është e nevojshme t’i afrohemi Hyjit me duar të pastruara, duke shmangur të keqen dhe duke praktikuar të mirën e drejtësinë. Sa bukur përfundon profeti:

«Pushoni të bëni keq.
Mësoni të bëni vepra të mira:
kërkojeni drejtësinë,
ndihmoni të shtypurit,
jepini të drejtën bonjakut,
mbrojeni të vejën» (rr. 16-17).

Mendoni për refugjatët e shumtë që vijnë në Europë dhe nuk dinë se ku të shkojnë. Atëherë, thotë Zoti, mëkatet, edhe po të jenë të kuqe si purpuri, do të bëhen të bardha si bora e si leshi, dhe populli do të mund të ushqehet me të mirat e tokës e të jetojë në paqe (rr. 19).

Kjo është mrekullia e faljes së Hyjit; falja që Hyji si Atë, dëshiron t’ia dhurojë popullit të vet. Mëshira e Hyjit u jepet të gjithëve, dhe këto fjalë të profetit vlejnë edhe sot për të gjithë ne, të thirrur të jetojmë si bij të Hyjit.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Sheshi i Shën Pjetrit
E mërkurë, 2 mars 2016

 

Previous Pse regjizori i filmit 'Spotlight' ka shpresa për Kishën Katolike
Next Një ndihmë e thjeshtë për t’u rrëfyer sa më mirë.

Sugjerime