Sa komunikon Kisha në Shqipëri?

Sa komunikon Kisha në Shqipëri?

kisha komGJERGJ META   /

Jam i vetëdijshëm se me këtë që po them mund edhe të tërheq ndonjë shigjetë kritike, por më mirë gjërat të thuhen. Unë ka kohë që merrem me botën e komunikimit, pak si pasion vetjak e pak si detyrë që herë pas here më është besuar nga eprorët e Kishës katolike në Shqipëri. Mendoj se është një ndër gjërat që di të bëj më mire, falë edhe përvojës që kam grumbulluar në këto vite. Por çështja nuk shtrohet aq shumë në rrafshin personal se sa komunitar. Ne si Kishë komunikojmë shumë pak. Komunikojmë pak ad extra dhe ad intra.

Shkrimin e këtyre rreshtave ma nxitën dy emisione në tv shqiptare. Njëri është intervista e dy meshtarëve të dioqezës së Rrëshenit mbi marrëdhënien e tyre shpirtërore e sidomos mbi çështjen e atësisë shpirtërore që krijohet. Dhe tjetri është dokumentari mbi jetën e seminaristëve të Shkodrës i transmetuar po këto ditë. Reagimet e një udience laike për këto emisione kanë qenë të mira, herë kureshtare e herë me habinë: po këto gjëra ne nuk i kemi ditur. Falë shumë miqve gazetarë, më shumë në nivel njohjesh personale, janë të mundura disa emisione, por kjo nuk fsheh nga mbrapa ndonjë strategji komunikimi përveçse spontaneitet. Duhet thënë se në këto vite mediat shqiptare, me përjashtim të pak rasteve të veçuara, kanë qenë mjaft dashamirëse me Kishën Katolike. Po ashtu ka pasur gazetarë shumë të kujdesshëm e me dëshirën për të mësuar, me gjithë papërvojën që kanë pasur në këtë fushë, e cila në fakt është e ndërsjelltë.

Shpesh ne komunikojmë me mediat, e rrjedhimisht me publikun, vetëm në raste festash apo kremtimesh të jashtëzakonshme duke i përdorur ato si tribuna të protagonizmit tonë individual apo pjesërisht komunitar. Kështu për Krishtlindje e Pashkë vetëm sa dalin ipeshkëvinjtë apo ndonjë meshtar në ndonjë përshëndetje, vizitat e autoriteteve me deklaratat e tyre, mesha e mjaft. Por ka aspekte të përditshmërisë që duhen komunikuar dhe duhet të bëhen të njohura. Bashkësia e krishterë është një realitet që jeton si gjithë të tjerët e bashkë me gjithë të tjerët. Ka një jetën e saj të përditshme e po ashtu në këtë përditshmëri shpreh besimin e saj. Sot mjetet e komunikimit të masës na mundësojnë që ne të komunikojmë e të nisim një marrëdhënie me personat, me grupime të caktuara. Sigurisht ky lloj komunikimi nuk është i mjaftueshëm, madje kthehet në rrezik nëse bëhet e vetmja formë e komunikmit, por mundësia teknologjike që na ofrohet duhet të shfrytëzohet deri në fund.

Sot në Shqipëri, ne si bashkësi katolike, nuk kemi një apo disa media serioze që të na përfaqësojnë e të jenë tribuna apo kanale të mendimit të krishterë, si një kontribut për formimin e të krishterëve, por edhe për rritjen e shoqërisë në të cilën jetojmë. Mendimi katolik dhe jeta e katolikëve nuk ndjehet gjëkundi. Nuk është jeta e meshtarëve apo e ipeshkëvinjëve, shfaqjet tona nëpër tv, që përbëjnë jetën katolike. Ne jemi vetëm një shprehje e saj, madje e limituar. Është më tej jeta e motrave, e institucioneve të edukimit, jeta e përditshme në qytetet, fshatrat dhe famullitë tona që ne duhet ta tregojmë.

Edhe pse në këto vite janë bërë përpjekje për krijimin e organeve të komunikimit ato kanë dështuar në mënyrë të përsëritur duke u limituar në disa gazeta dioqezane që edhe kur i jep falas nuk i marrin apo në një Radio që botës bashkohore dhe njeriut bashkohor nuk i thotë asgjë, përveçse një grupi të ngushtë besimtarësh të një farë moshe, me gjithë përpjekjet dhe mundin e lavdërueshëm të stafit të saj.

Bindja se duhet të investojmë energji dhe kapital në këtë drejtim më shoqëron prej kohësh. Energjia dhe kapitali së pari shkojnë në drejtimin e personave profesionistë dhe të motivuar. Nuk mjafton vullnetarizmi. Duhen persona që paguhen për punën e tyre dhe profesionistë. Përpjekja që po bëhet me shumë sforcime për të mbajtur një portal modest si Peregrinus.al, është thjesht një pikë në oqeanin e kominikimit,  shpesh e panjohur dhe ndoshta e pavlerësuar sidomos ad intra.

Ne kemi nevojë të komunikojmë edhe me njëri-tjetrin, përvojën e bashkësive tona, veprimtaritë dhe iniciativat tona. Të dimë se ka jetë në të gjitha famullitë tona, një jetë konkrete.

Komunikimi është ngushtë i lidhur me logjikën e mishërimit. Nëpërmjet komunikimit u bëhesh i afërt shumë personave e Kisha duhet të jetë e pranishme në këtë botë virtuale e cila po kthehet në një realitet të madh, të banuar. Të komunikosh do të thotë të takohesh me tjetrin e të krijosh forma të së vetmes communio, atë me njerëzit dhe me Krishtin. Për Kishën ky nuk është një opsion, por një detyrë!

Previous Promovimi: Thirrja njerëzore një mister
Next Hyji nuk ndeshkon, Ai pret ...E DIELA III E KRESHMES /

Sugjerime