Promovimi: Thirrja njerëzore një mister

Promovimi: Thirrja njerëzore një mister

libri cenciniMARK PASHKJA     /

Shoqërimi dhe orientimi i njeriut për të bërë një zgjedhje themelore jete, që përputhet me personalitetin, karakterin dhe identitetin e vet është një nga sfidat më impenjative në shoqërinë e sotme. Të bindur për domosdoshmërinë e përballjes me këtë sfidë dhe për aktualitetin që karakterizon këtë dimension, eprorët e Seminarit Nderdioqezan Shqiptar vendosen sjelljen në gjuhën shqipe të librit “Misteri i Thirrjes” i Amadeo Cencini-it. I cilësuar si njëri prej ekspertëve më të njohur në fushën e përshpirtëris dhe formimit, kjo vepër e tija është një pasuri e shtuar jo vetëm për ambientin kishtar por edhe për dashamirësit e librit në përgjithësi.

Në fjalën përshëndetëse të këtij promovimi Rektori i Seminarit Dom Leonardo Falco kujtoi se ky libër është vetëm fillimi i një sërë botimesh që do të vijnë në gjuhën shqipe mbi formimin njerëzor dhe përshpirtërinë. Po ashtu ai vuri në dukje se kjo vepër vjen si dhuratë ndaj lexuesit shqiptar në kuadër të 70 vjetorit të pushkatimit të eprorëve të seminarit dhe seminaristit Mark Çuni.

Imzot Ottavio Vitale si i deleguar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për thirrjet nënvizoi faktin se thirrja, edukimi dhe formimi njerëzor janë pjesë esenciale e jetës njerëzore dhe si të tilla është e nevojshme që të trajtohen me maturi dhe pjekuri nga ana e përgjegjësve. Pikërisht nga këtu shtoi ai, buron edhe rëndësia e këtij libri që për Shqipërinë dhe kishën në vendin tonë është një aset tepër i vyeshëm.

Në cilësinë e redaktores së këtij libri, Loreta Toma bëri një paraqitje të pjesës së parë të librit që ka të bëj me analizimin e domethënies së thirrjes dhe dramën e refuzimit të saj. Gjatë ligjëratës së saj Znj.Toma theksoi se ideja kryesore që përpiqet të transmetoj autori është fakti se Zoti thërret gjithmonë me gjithë rezistencat apo  qasjen e njeriut për të shkuar drejt tij. Kur flitet për thirrje jo automatikisht nënkuptohet statusi klerikal i saj  por tendenca e njeriut për të jetuar në plotësi dhuratën e jetës në bashkim me Zotin pavarësisht modalitetit që ai zgjedh për ta jetuar atë.

Në vazhdim Zv.Rektori i Seminarit dom Gjovalin Simoni bëri një paraqitje nga ana biografike të autorit ku vihej re një CV mjaftë e pasur e tij dhe kompetenca për tu admiruar në shkencat e edukimit. Këtë fakt e tregonte edhe niveli i tij akademik, gjë të cilin e vërtetoi edhe vet Dom Gjovalini nisur nga përvoja si student i tij. Përveç këtij aspekti dom Gjovalini foli edhe për pjesën e dytë të librit që autori e quan edhe si thirrja e dyte. Kjo pjesë konsiston edhe në verifikimin dhe pastrimin e motiveve që e qon një individ për të bërë një zgjedhje të caktuar në jetë. Me shumë mjeshtri, këtu autori përdor figurat ungjillore si Maria, Pjetri, Toma etj.

Përveç veprës së A. Cencinit në të njëjtën kohë u bë edhe prezantimi i Librit “Udhëheqja shpirtërore sfidë dhe nevojë e ditëve tona” i meshtarit Dom Anton Ukaj. Kjo vepër në fakt është fryt i tezës së diplomimit që Dom Antoni ka mbajtur në Universitetin Papnor të Gregorianes në Romë.  Atë Mario Imperatori  si redaktor i librit,e vlerësoi maksimalisht këtë botim nisur nga rëndësia e pazëvendësueshme që ka udhëheqja shpirtërore në zbulimin e thirrjes. Ai ritheksoi para të pranishmëve domosdoshmërinë e shoqërimit personal të njerëzve brenda sferës kishtare dhe jo vetem. Në këtë kontekst vazhdoi ai, ky libër është një instrument mjaft i vlefshëm.

Dom Antoni në fjalën e tij përshëndetëse tha se ishte pikërisht rëndësia që jep udhëheqja shpirtërorë në shenjtëri, ajo që e shtyu të sillte në gjuhën shqipe këtë punë të tijën.

Ndërhyrjet jo të pakta nga të pranishmit ishin një tregues i qartë mbi aktualitetin, vlefshmërinë dhe domosdoshmërinë e trajtimit të këtyre temave.

 

Previous Studimi: Shtëpia e parë botuese në Shqipëri
Next Sa komunikon Kisha në Shqipëri?

Sugjerime