FYTYRËN TËNDE UNË KËRKOJ

FYTYRËN TËNDE UNË KËRKOJ

Fytyren tendeGJERGJ META     / E DIELA II E KRESHMES   /

Do ta quaja të Djelën e dytë të kreshmeve “e Diela e fytyrës së Hyjit”. Në Ungjillin e kësaj të diele ka një moment në të cilin Pjetri i thotë Jezusit se, pas asaj që kanë pare, do të dëshironin të rrinin aty. Çfarë kishin parë ata?

“Ndërsa (Jezusi) po lutej – na thotë teksti – fytyra iu shndërrua dhe petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima”. Ata kishin parë një Jezus që kurrë më nuk do ta shihnin ashtu. Një pamje e cila i tejçonte ato në një përmasë tjetër në të cilën njëkohësisht ata ishin familjarë dhe të befasuar.

Psalmisti (dhe Pjetri i kishte dëgjuar psalmet në Sinagogë sigurisht) e din mirë këtë ndjesi kur thotë: “Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time!” “Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj.” (Ps 27). Është ndjesia e atij që kërkon një fytyrë që ka parë diku e drejt së cilës rend e të cilën e dëshiron. Janë gati-gati ofshama të një të dashuruari për të parë fytyrën e të dashurës së tij. Njeriu kërkon pafundësisht diçka që ta përmbushë e plotësojë, diçka që t’i japë kuptim ekzistencës së tij dhe t’i gëzojë zemrën. Është si kërkimi i të dashurit në këngën e këngëve.

Është një fytyrë ajo e Hyjit që ne shpesh e humbim nga sytë, pasi fantazia jonë dhe aftësia jonë për të parë fatkeqësisht janë të ndotura. Ka një ndotje shpirtërore, ndoshta e pranishme gjithmonë, por që në modernitetin tonë ka trajta të tjera. Shqisat tona janë të ndotura, jo aq nga pikëpamja morale se sa ekzistenciale, pasi janë të ngarkuara shumë me morinë e madhe të imazheve, zhurmave dhe mjeteve të komunikimit. Por mbi të gjitha mendoj se sot njeriu ka humbur aftësinë kundruese e cila do ta kthente atë në një përmasë ekuilibri me veten dhe me atë çka e rrethon.

Kërkimi i fytyrës së Hyjit është kërkimi i fytyrës së tjetrit te i cili unë pasyqrohem dhe njoh veten time si individ, si subjekt. Pa tjetrin unë nuk do të dija se jam dhe se ekzitoj. E aq më shumë kur ky Tjetër është Hyj që më ka krijuar. Është e vërtetë se vetëm në takimin e me fytyrën e tjetrit një adoleshent kupton se ka një tjetër me të cilin bie në dashuri. Kjo fytyrë zanafillore që na bën të ndjehemi mire, me kalimin e kohës fillon e zbehet ose thjesht mbivendosen fytyra të tjera të cilat e mbulojnë këtë. Nuk ka gjë më të bukur se fytyra e tjetrit. Është impakti i parë që na bën të dashurohemi, të duam. Në shfaqjen e fytyrës së prindërve një fëmijë fillon e qeshet, gëzohet, sepse ajo fytyrë i jep atij siguri, gëzim, identitet.

Në Bibël fytyra e Zotit nuk mund të shihet. Kush sheh Zotin duhet të vdesë, por Hyji na është bërë i afërt dhe na e ka treguar fytyrën e tij në Krishtin dhe nëpërmjet tij. Fjala e mishëruar është për ne fytyra e Hyjit. E ku e shohim këtë fytyrë ne sot? Është Kisha, ky trup mistik i Krishtit, kjo hënë që pasqyron dritën e Zotit të saj. Edhe pse shpesh ndoshta e rrudhur, e njollosur nga mëkati i ynë që jemi bijtë e saj, ajo gjithnjë ka një shkëlqim në fytyrën e saj që na jep dritë. E sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë të zbulojmë fytyrën e kësaj Kishe e cila duhet të gëzohet e të shkëlqejë në bijtë e saj. Është kjo Kishë e cila kremton çdo të djelë Eukaristinë në të cilën ne kundrojmë Krishtin dhe bashkohemi me të. Është Eukaristia vendi tjetër ku ne shohim fytyrën e Krishtit. Në kremtimin e saj Kisha bëhet njësh përreth fjalës dhe eukaristisë e udhëhequr nga ipeshkëvi e meshtarët.

Ku tjetër ne e shohim fytyrën e Hyjit? Te personat në nevojë, te të gjithë ata që janë të lënë menjëanë, të lodhur e të rraskapitur, të varfër e të sëmurë, të burgosur e të dhunuar. Aty ne shohim atë aspekt tjetër të fytyrës së Zotit, atë që Pjetri nuk donte ta shihte, pasi nuk donte të zbriste nga mali. Por fytyra e shpërfytyruar e Jezusit mbi kryq është edhe ajo fytyra e Hyjit që për dashurinë ndaj botës dha Birin e tij në kryq. E kështu rrugëtimi ynë i Pashkëve shkon drejt kryqit për të kapërcyer më pas pragun e vdekjes drejt ringjalljes.

Previous Sa herë pyesim vetën: a ekziston Zoti? Ja si mundohet ta shpjegojë një shkrimtar hungares.
Next “Ejani e shihni” Takimet thirrore, çdo të shtunë të tretë të muajit.

Sugjerime