Paraqitet sot Enciklika “Qofsh Levduar” e papa Françeskut

Paraqitet sot Enciklika “Qofsh Levduar” e papa Françeskut

laudato si

Sonte ne oren 17.00 ne Seminarin e Shkodres do te paraqitet Enciklika e Atit te Shenjte Francesku mbi mjedisin me titull “Qofsh Levduar”. Relatoret do te jene Padre Mario Imperatori S.J., Moter Rita Ndoci dhe Dr. Albert Nikolla te cilet do te flasin per aspekte te ndryshme te kesaj enciklike. Me poshte po vendosim hyrjen e Enciklikes ne botimin shqip te bere nga SH.T. Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkev i Shkoder Pult.

_______________ 0_______________

PARAQITJE

Ai që, sikurse unë, është rritur dhe ka jetuar në një mjedis françeskan, e njeh mirë vlerën e fjalëve “Qofsh lëvduar!”. Ato na kujtojnë një stil specifik jete thellësisht ungjillore dhe bëhen pothuajse një moto për ndjekësit e Françeskut të Asizit.

massafraKënga e Vëllait Diell e kthen gjithë botën e krijuar te Krijuesi, ia kthen Hyjit qendërsinë e tij. Dhe nëse kjo vlente në kohët e Varfanjakut të Asizit, aq më tepër vlen sot që, prej revolucionit industrial e më tutje, e kemi përjashtuar Hyjin prej horizontit njerëzor, ndoshta pa e mohuar, por sigurisht duke e lënë atë mënjanë. Tundimi i hershëm i prindërve të parë riparaqitet periodikisht në histori, ndoshta në forma të ndryshme, por me një forcë gjithnjë e më të madhe.

Poezia që buron prej zemrës së Gaztori të Hyjit është urti e pastër e të thjeshtëve, e atyre shpirtrave të pastër të cilëve Hyji u dhuron urtinë e vërtetë që ta shohin të vërtetën dhe të dinë t’ua tregojnë atë të gjithëve.

Pra, mund të përfytyrohet gëzimi im duke parë se Papa Françesku ka zgjedhur këtë titull për Enciklikën mbi Kujdesin për shtëpinë e përbashkët, Botën e krijuar. Dhe ky gëzim sot përtërihet duke ju paraqitur juve përkthimin e kësaj Enciklike në gjuhën shqipe, me shpresën që ajo të hyjë në të gjitha shtëpitë e katolikëve, para së gjithash, por edhe të të gjithë burrave e grave vullnetmirë.

Toka jonë shqiptare është një përqendrim bukurie natyrore, një dhuratë e Krijuesit ndaj neve, krijesave të tij: kemi terrene pjellore, pyje, male, lumenj, liqene dhe detin, së bashku me panorama që, po t’i sodisim, mbetemi të mahnitur dhe pa frymë, aq e madhe është bukuria e tyre.

Si të mos mendojmë, përballë këtij spektakli të natyrës, për atë që është autori, për Hyjin? Si është e mundur që ndërsa dikush na tregon hënën me gisht ne të rrimë e të shohim gishtin në vend që të shohim hënën e cila na tregohet? Bota e krijuar është si një tabelë shumë e madhe rrugore që na kujton një të vërtetë më të madhe: Krijuesin.

Enciklika e Papa Françeskut, ndërsa na ndihmon të ngjitemi prej krijesave te Krijuesi, na jep edhe nxitje të rëndësishme që të mësojmë ta vlerësojmë botën e krijuar si dhuratë. Deliri i gjithëpushtetësisë i njeriut e bën atë shpesh ta shkatërrojë natyrën ose, të paktën, të mos kujdeset për të. Nëse Hyji e ka vënë njeriun në një shkallë më të lartë në krahasim me krijesat e tjera, kjo nuk do të thotë se duhet t’i mposhtë ato apo t’i keqpërdorë deri në shkatërrimin e tyre. Fakti se jemi më lart, nuk na autorizon të shkatërrojmë: në të vërtetë, kjo na ngarkon me një përgjegjësi, atë që të jemi rojtarë dhe mbrojtës.

Ati i Shenjtë në Enciklikë nis nga një përshkrim i përpiktë i problematikave kryesore të lidhura me degradimin mjedisor, kujton pastaj themelet biblike të teologjisë së botës së krijuar dhe, para se të japë udhëzimet baritore, përvijon një kuadër të vizionit që njeriu i sotëm ka për vetveten, një vizion me një rrënjë antropologjike të shtrembër që është shkaku i problemit ekologjik kaq të madh në kohën që jemi duke jetuar.

Bashkohem me ndjenjat e Papa Françeskut dhe, megjithëse duke mos gjetur në Atdheun tonë të njëjtat problematika të rënda që jeton bota perëndimore, gjithsesi nuk mund të rri i palëvizur përballë rrezikut të një përvetësimi pasiv të asaj kulture materialiste e konsumiste që shoqërohen në mënyrë të pashmangshme me teknologjinë e progresin dhe që dukshëm janë duke e ndryshuar fytyrën e shoqërisë shqiptare, në të mirë e në të keq.

Por, jemi ende në kohë për ta ndrequr këtë. Nuk duhet thënë se Kisha nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me problemet shoqërore: ajo e shikon njerëzimin ashtu sikurse Hyji e ka shikuar dhe e ka dashur, dhe ka detyrën morale t’u tregojë burrave e grave të kohës së vet rrugën kryesore që duhet ndjekur për të arritur të mirën e vërtetë.

Duke jua paraqitur frytin e kësaj pune të gjithëve, ju nxis ta marrim në konsideratë seriozisht, të reflektojmë së bashku me Papën mbi vlerën e jetës dhe të botës së krijuar, të marrim përsipër përgjegjësitë që na takojnë si bashkëpunëtorë të Hyjit në veprën e krijimit dhe të veprojmë konkretisht për të krijuar kushtet më të përshtatshme në mënyrë që Bota e krijuar të vazhdojë ta lëvdojë veprën e Krijuesit në gjithë bukurinë dhe shkëlqimin e vet.

Edhe prej Shqipërisë sonë le të lartësohet himni drejt Qiellit: O Zoti im, ti qofsh lëvduar!

 

+ Angelo Massafra OFM

Arqipeshkv Metropolit i Shkodër-Pult 

President i Konferencës Ipeshkvore

të Shqipërisë

 

 

Previous Të bashkuar përballë sfidave të botës
Next Ti qofsh lëvduar o Zot, në shqip.

Sugjerime