TUNDIMI? NJË MUNDËSI E ARTË!

TUNDIMI? NJË MUNDËSI E ARTË!

Woman holding red apple on black background

GJERGJ META    /

Duam të flasim pak për tundimin dhe tundimet?

“E mos na lër të biem në tundim…” – kështu të krishterët i luten Atit. Në versionin ortodoks të lutjes “Ati ynë” kemi “…mos na shtjer në ngasje” e në versionin më të vjetër katolik të kësaj lutjeje kemi “mos na le me ra n’keq”. Të treja këto versione kanë të drejtën e qytetarisë në përkthim, pasi kapin ngjyrime të veçanta të të njëjtit fenomen: tundimit! Sigurisht fjala në shqip do të jetë ndonjë transformim morfologjik i fjalës latine tentatio, tentationis. Në këtë të djelë të parë të Kreshmes nuk na intereson për momentin etimologjia e fjalës, më shumë se sa ajo çka ndodh në personin e Jezusit si pasojë e tundimeve. Janë dy forca që veprojnë në jetën e Jezusit sidomos në momentin e tundimeve. Së pari Ungjilli i Lukës na thotë që “Shpirti e shtyu, e çoi Jezusin në shkretëtrirë” (Lk 4,1) dhe së dyti aty ai u tundua prej djallit (Lk 4,2). Janë dy forca, që shtyjnë të dyja, por njëra drej së mirës, së bukurës dhe të vërtetës dhe tjetra drejt imitimit të shëmtuar të tyre, d.m.th. drejt mashtrimit dhe gënjeshtrës. Të lexosh me vëmendje tundimet e Jezusit e shikon se në dukje nuk ka asgjë të keqe në fjalët e djallit. Në çdo fjalë të tij ai citon Shkrimin e Shenjtë, Biblën. E kjo është rregulla e parë e rëndësishme: Tunduesi kurrë nuk del me fytyrën e tij të vërtetë, por gjithmonë vishet si engjëll drite. Ndaj për të kuptuar ku qëndron mashtrimi, jo gjithmonë është e lehtë, dhe kërkohet një vullnet e proces jo vetëm intelektiv, por mbi të gjitha urtie shpirtërore. Mësuesit e shpirtit e kanë quajtur: shoshitje shpirtërore! Kjo urti shpirtërore Jezusit i vjen nga fakti që ai njihte mirë Shkrimin e Shenjtë, jo vetëm nga pikëpamja intelektive, por mbi të gjitha shpirtërore. Ai jetonte me këtë fjalë, me ligjin dhe profetët, si një hebre i mirë e mbi të gjitha ai kishte një marrëdhënie të veçantë me Atin, një marrëdhnie e të thellë dhe intime.

Jezusi fiton mbi tundimet, mbi tre tundimet që ndjekin një rënditje të rëndësishme edhe nga pikëpamja njerëzore.

Mund të shquajmë në tundimin e pare, në ngacmimin që djalli i bën Jezusit, ofrimin e një vizioni jete të limituar, të rrethshkruar vetëm në përmasën fiziologjike. “Nëse ti je Biri i Hyjit urdhëroji këtij guri të bëhet bukë” (Lk 4,3). Është një vizion jete sot shumë i përhapur në të cilin njeriu matet me çka han e çka vesh, duke reduktuar këndin e shikimit të jetës së tij vetëm në atë çka matet, peshohet, dhe preket. Jezusi e zgjeron vizionin e jetës dhe konceptin e jetës. Nuk mohon të parin, por e zgjeron atë, duke e nxjerrë kështu djallin një gënjështar. Jeta është më e gjërë dhe më e thellë. Njeriu nuk jeton dhe nuk e ushqen jetën e tij vetëm me gjëra që shihen, por janë edhe disa përmasa të tjera të njeriut që ushqejnë jetën e tij e mbi të gjitha Fjala që del nga goja e Hyjit. Prandaj në këtë kohë kreshmesh liturgjia e fjalës është shumë e pasur dhe një udhëheqje e sigurtë për të përjetuar kreshme sa më të thella e autentike.

Tundimi i dytë shkon pak më tej, hyn pak më thellë. Ngrihet nga barku e shkon drejt muskujve, drejt psikes dhe dëshirës, jo më për të ngopur barkun, por ambicien. Prek, jo më istiktet bazë, por pak më shumë, vullnetin dhe sidomos marrëdhënien me të tjerët duke e pare këtë në perspektivën e sundimit. Djalli është i gatshëm t’i japë Jezsuit gjithçka ai sheh nga maja e malit (edhe gjeografikisht niveli ngrihet), mbretëri e pasuri, vetëm që ai të njohë si zot djallin e ta adhurojë atë. Janë këto premtime të bëra Mesisë në Psalmin 2, por që nuk mund t’i bëjë kush tjetër, përveçse Zotit. Djalli nuk është pronar i asgjëje dhe nuk mund të japë çka ai nuk ka. Në procesin e ndërgjegjësimit për veten e tij Jezusi e shtyn edhe këtë tundim duke i kujtuar djallit aksiomën absolute të besimit monoteist hebraik: “Adhuro Zotin Hyjin tënd dhe vetëm atij shërbeji” (Lk 4,8). Pushteti i djallit është vetëm në dukje. Ai nuk ka mundësi të realizojë atë çka premton, sepse ai gënjen. Jo gjithmonë ky tundim vjen në forma të bujshme në jetën e njeriut, por ngadalë dhe me shumë joshje. Pushteti dhe pasuria, nëpërmjet të cilës ne rrehemi se sundojmë të tjerët, bëhen shpesh motivi i jetës tonë duke harruar se do të mjaftonte një sëmundje e pashërueshme, një gjë fare banale, që të mund të hedhë në ajër gjithçka ke mbledhur e fituar.

Tundimi i tretë shkon akoma më në thellësi. Prek një raport thelbësor të Jezusit: atë me identitetin e tij e sidomos pjesën më të thellë të tij e të çdo njeriu, atë shpirtëroren. Jezusi preket në besimin e tij, në marrëdhënien e tij me Atin dhe në vetëdijen e identitetit të tij. Ky është tundimi i fundit, por i papërmbyllur, sepse ky tundim do të kthehet përsëri në një formë tjetër në momentin para kryqit dhe në kryq. Pasi humbi dy betejat e para djalli provon edhe këtë të fundit, më e rëndësishmja për të, në mënyrë që të heqë Jezusin nga misioni i tij.

Nëse lufta jonë e përditshme, dhe secili nga ne ka një luftim të përditshëm në jetën e tij të brendshme apo edhe në realitetin ku jeton e nga i cili është i rrethuar, nuk mbështetet nga vetëdija se nuk jam vetëm, por me mua është Zoti, atëherë është një betejë e humbur. Çdo përgjigje e Jezusit shkon në këtë drejtim. Protagonist i vërtetë i këtij luftimi është Shpirti që brenda nesh vepron dhe jeton. Nëse ai e çoi Jezusin në shkretëtirë, po ai e mbushi plot me urtinë e tij që të dinte të përgjigjej në momentin e duhur.

Tundimi është një mundësi e artë nëse e shohim si një moment ku Zoti lufton me ne dhe për ne kundër së keqes. Ka shumë rëndësi që të mbajmë të gjallë dialogun brenda vetes tone, madje edhe me ato pjesë të errëta tonat që nganjëherë shpërthejnë si vullkan e gati-gati me llavën e tyre na marrin përpara. Tundimi është pjesë e jetës tonë e askush nuk mund të jetojë pa tundime. Madje do të guxoja të thoja: o i lumi tundim! Tundimi na kujton se jemi njerëz dhe të kufizuar, e se vetëm nuk ia dalim asnjëherë. Zbulimi më i bukur që mund të bëjmë është ky: që jemi njerëz deri në fund me gjithë të mirat e të metat tona. Në këtë proces rritjeje, që zgjat deri në dekikën e fundit të frymës tone, duhet të rrimë zgjuar që tundimi të mos kthehet në një rrëshqitje pa kthim, por ne nje mundesi per kthim. 

Previous Festa e Zojës së Lurdit në Dioqezën Rrëshen
Next DHURO GJAK SHPËTO JETË!

Sugjerime