AMADEO CENCINI: Misteri i thirrjes (dhe i mospërgjigjes)

AMADEO CENCINI: Misteri i thirrjes (dhe i mospërgjigjes)

libri cenciniLibri që po paraqesim (Amedeo Cencini, Misteri i thirrjes (dhe i mospërgjigjes), Botime Arqipeshkvia  Shkodër – Pult, 2016.)dhe që do të promovohet me datë 24 shkurt 2016 në orën 15.30 në Seminarin ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të mirë” në Shkodër është i Padre Amedeo Cencini rregulltar kanosian. Padre Cencini ka marrë doktoraturën në psikologji në Universitetin Gregorian. Është specializuar në psikologji në Institutin e lartë të Psikologjisë analitike. Është Docent i baritores së thirrjeve në Universitetin Papnor Salezian të Romës. Autor i shumë publikimeve të vlerësuara, sidomos në fushën e psikologjisë së formimit dhe të thirrjes. Më poshtë do të gjeni parathënien e librit të bërë nga vetë autori. Libri është publikuar nën kujdesin e Imzot Ottavio Vitales, Ipeshkëv i Lezhës, si botim i Arqipeshkëvisë Shkodër – Pult.

AMADEO CENCINI    /

Me këtë vëllim, do të përpiqemi të kuptojmë misterin e thirrjes, pa pretenduar të hyjmë në të, por thjeshtë duke qëndruar te pragu, me respekt, me qëllim që të kuptojmë, për aq sa është e mundur.

Është një mister, në fakt, Hyji-që-thërret; por është një mister edhe njeriu-që-përgjigjet dhe ndoshta edhe më shumë njeriu-që-nuk-përgjigjet. Një mister brenda misterit, që duket sikur dendësohet gjithnjë e më shumë, por që prapëseprapë duhet të trajtohet. Edhe pse banon te secili prej nesh: nuk ekzistojnë thjeshtë ata që e pranojnë thirrjen dhe ata që nuk e pranojnë, por është më e saktë të themi se te secili prej nesh është një pjesë e vetes sonë që i përgjigjet thirrjes, ndërsa një “pjesë” tjetër e unit tonë që i kundërvihet, i trembet dhe e mohon atë, apo nuk e pranon aspak, e dështon atë.

Pse?

Dy liri në dialog me njëra-tjetrën

Kështu shprehet dokumenti Nuove vocazioni per una nuova Europa (Thirrje të reja për një Evropë të re): «… thirrja e krishterë është një dialog mes Hyjit dhe personit njerëzor. Bashkëbiseduesi kryesor është Hyji, që thërret atë që do, kur do dhe si do “në saje të vullnetit të vet dhe të hirit” (2Tim 1,9); që i thërret të gjithë për t’i shpëtuar, pa u kufizuar prej gatishmërisë së të thirrurit. Por liria e Hyjit takohet me lirinë e njeriut, në një dialog të mistershëm dhe tërheqës, që përbëhet prej fjalëve dhe heshtjeve, prej mesazheve dhe veprimeve, prej shikimeve dhe gjesteve, një liri që është e përsosur, ajo e Hyjit, dhe tjetra e papërsosur, ajo e njeriut. Pra, thirrja është totalisht veprimtari hyjnore, por edhe realisht veprimtari e njeriut: punë dhe depërtim i Hyjit në zemrën e lirisë njerëzore, por edhe mund dhe luftë e njeriut për të qenë i lirë që ta pranojë dhuratën»[1].

Këtu ndoshta gjendet, apo zë fill, përgjigjja e asaj pikëpyetjeje.

Po ky dokument vazhdon: «Ai që vihet përkrah një vëllai në ecjen e shoshitjes thirrore hyn në misterin e lirisë dhe e di se mund të japë një ndihmesë vetëm nëse e respekton këtë mister»[2].

Ky vëllim dëshiron të vihen në këtë qëndrim të respektshëm dhe vëllazëror përkrah atij që lexon, atij që është duke vendosur për jetën e vet, atij që është i thirrur për të ndihmuar në këtë shoshitje, atij që percepton në vetvete takimin-ndeshje mes këtyre dy lirive.

Në libër ka ide që përsëriten me njëfarë këmbënguljeje, ide që do të duhej të bënin pjesë në njëfarë kulture thirrore të ditëve tona. Ideja, për shembull, që thirrja është ëndërr e Hyjit për njeriun, nismë – pra – krejt e tij, që nuk duhet të ngatërrohet thjeshtë me tërheqjen psikologjike apo me mendjemadhësinë subjektive, të tipit moral apo të prirjeve, të kandidatit. Madje mund të themi se thirrja është propozimi, nga ana e Hyjit që thërret, e të pamundurës njerëzore që bëhet e mundur hyjnore. Do ta theksojmë shpesh këtë.

Një tjetër ide që përsëritet në tekst me njëfarë shpeshtësie ka lidhje me gëzimin e Hyjit (dhe pastaj të njeriut): Hyji, Ati thirrës, kënaqet kur një bir i tij i zë besë atij, e pranon thirrjen e tij dhe përgatitet për ta realizuar atë. Gëzimi njerëzor, ai i vërteti dhe i qëndrueshmi, është i mundur vetëm si pasqyrim i këtij gëzimi hyjnor.

Në fund, siç edhe është thënë, çdo kapitull i tekstit, dhe pra çdo reflektim, niset gjithmonë prej një nxitjeje ungjillore. Për të theksuar jo vetëm idenë se Ungjilli është krejt thirror, por se nuk mund të ekzistojë një baritore thirrore, që nuk është e themeluar në Bibël, ashtu si nuk mund të ketë një gjallërues thirror që nuk e lë veten të frymëzohet prej Fjalës dhe shembullit të Mësuesit.

Vëllimi ndahet në tri pjesë.

Pjesa e parë ka karakter hyrës dhe riparaqet thjeshtë disa analiza mbi domethënien e thirrjes ashtu siç del prej Ungjillit.

Pjesa e dytë, pjesa më e ngjeshur, trajton dramën e refuzimit, mundësinë për t’i thënë “jo” thirrjes, me të cilën çdo qenie njerëzore duhet të përballet, edhe ai që në kohën e vet e ka pranuar zërin e Hyjit që e thërriste.

Në fund, në pjesën e tretë, kthehet në plan të parë thirrja si gjest dhe nismë hyjnore, e atij Hyji që thërret vazhdimisht dhe nuk e lëshon veten përpara pasigurive njerëzore: është tema e thirrjes së dytë.

Pikërisht për këtë arsye libri nuk u drejtohet vetëm të rinjve të thirrur për të vendosur në lidhje me të ardhmen e tyre, por edhe besimtarit që është i thirrur çdo ditë, për të bërë një zgjedhje që do të jetë totale dhe përfundimtare vetëm ditën e fundit.

[1] PONTIFICIA OPERA PER LE VOCAZIONI ECCLESIASTICHE, Nuove vocazioni per una nuova Europa, 1997, 33 a.

[2] Po aty.

Previous Papa drejt Meksikës: kard. Parolin, të ngrihet zëri kundër së keqes
Next Festa e Zojës së Lurdit në Dioqezën Rrëshen

Sugjerime