Kreshmet: një shndërrim i vazhdueshëm jetës

Kreshmet: një shndërrim i vazhdueshëm jetës

Peregrinus_uneGJERGJ META    /

Qëllimi përfundimtar i Kreshmeve nuk janë kreshmet, por Pashka e Krishtit, Ngjallja e tij. Jo vetëm kreshmet, por e gjithë jeta e të krishterit është e prirur drejt takimit me Krishtin e lavdishëm në Ngjallje. Për këtë arësye rrugëtimi është një gjëndje e vazhdueshme e një të krishteri i cili ka si synim një shndërrim të vazhdueshëm të jetës. Nëse kreshmet, apo çdolloj praktike religjioze, nuk çon drejt një transformimi, një përmirësimi, atëherë ajo nuk ka vlerë, por mund të kthehet madje në një peshë, në një ligj shtypës dhe krijon trishtim e dëshpërim. Ja pse Jezusi në Ungjillin e të Mërkurës së përhime u thotë bashkëbiseduesve të tij: “Kur të agjëroni mos u mërrloni (mos u vrenjtni) porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se po agjërojnë…” (Mt 6,16).

Koha e kreshmeve mund dhe ka për qëllim të na ndihmojë në shndërrimin e tre marrëdhënieve themelore të jetës tonë: me tjetrin, me Hyjin dhe me vetveten, nëpërmjet tre veprimtarive të njeriut të cilat porositen në mënyrë të veçantë në këto ditë: lëmosha (Mt 6,1-4); lutja (Mt 6,5-15); agjërimi (Mt 6,16-18). Të treja këto elementë gjendeshin tashmë në jetën e Izraelit e gjithashtu gjenden edhe në jetën e shumë religjioneve. Në qendër të këtyre tre elementëve gjendet lutja Ati Ynë, lutja par exellence e të krishterëve. Kjo lutje themelon, ndërmjet njeriut dhe Zotit, një raport të ri: njeriu mund t’i drejtohet Hyjit me fjalën Abba- Atë. Pikërisht në këtë raport kaq të rëndësishëm luhet edhe jeta e një të krishteri. Raporti ndërmjet nesh dhe Hyjit nuk është thesht krijues-krijesë, por Atë dhe  Bir, një raport familjar, intim dhe shumë i thellë. Pikërisht kreshmet synojnë në transformimn gjithnjë e më të thellë të kësaj marrëdhënie. Do të jetë pikërisht Ati ai i cili nuk do ta lërë Birin e tij në greminën e vdekjes, por do ta marrë prej varrit e do t’i japë përsëri jetën, atë jetë që Biri I tij ia kishte besuar krejtësisht: o Atë në duart e tua po e dorëzoj frymën time!

Jezusi vendos në vend të parë lëmoshën. Më duket se përvoja e parë që ne kemi është pikërisht ajo e shoqërisë, e marrëdhënies me të tjerët. Gjëja e parë për të cilën ne vetëdijësohemi fillimisht është ekzistenca e tjetrit. Një fëmijë që vjen në jetë konstaton dalëngadalë se përreth vetes ka prindër e të afërm. Aq e vërtetë është kjo saqë pikërisht ky raport fillestar me pridnërit, kushtëzon edhe marrëdhëniet e tjera të çdo njeriu kur ai rritet, pikërisht marrëdhënien me Zotin, me të tjerët dhe me vetveten. Lëmosha, e cila shpesh mendohet si një veprim nëpërmjet të cilit unë i jap tjetrit atë çka më tepron, në Ungjill është një çështje drejtësie. Pra unë nuk i jap tjetrit atë çka më tepron, por atë çka atij i takon, çka i nevojitet që të jetojë, e këtë nuk e marr prej tepricave të mia, por prej asaj çka unë kam për të jetuar. Në këtë mënyrë ne shprehim një lloj vokacioni komunitar, i rrënjosur brenda nesh dhe i cili nëpërmjet bashkëndarjes shëron edhe ato palsaritje apo plagë, që mëkati dhe e keqja kanë shkaktuar tek të tjerët apo në marrëdhniet tona.

Është lutja përvoja kulmore e kreshmeve. Në këto kreshme Papa ka porositur në mënyrë të veçantë që të ushtrojmë dëgjimin e Fjalës së Hyjit. Nga fjala dhe dëgjimi i saj ne motivohemi, marrim hov dhe nxitje për të vepruar në një farë mënyrë. Marrëdhënia jonë me Zotin, i cili është dashuri (1 Gjn 4,8), u jep substancë veprimeve tona. Forcon marrëdhëniet tona në shoqëri e kthehet në një instrument qartësues dhe pastrues për realitetin tonë të brendshëm, shpesh i mbytur nga struktura dhe mbistruktura të panevojshme dhe sipërfaqësore. Nuk është e mundur të jesh i pastër në zemër pa dëgjimin dhe “përtypjen” e Fjalës, e cila duke depërtuar pastron jetën tonë, pastron shikimin tonë i cili drejtohet plot dashuri ndaj tjetrit e ndaj vetes.

Ja pse i treti është agjërimi! Mosngrënja e ushqimeve apo kufizimi i tyre nuk ka një qëllim në vetvete. Ushqimet janë bërë për t’u ngrënë. Jezusi në asnjë rast nuk ka ndaluar ushqime apo ka vendosur rregulla se kur duhet të hahet e si duhet të hahet. Kjo ndodh në vartësi të rrethanave dhe kushteve të secilit. Por agjërimi ka të bëjë me rregullimin e një marrëdhënieje me vetevten, me trupin, mendjen, shqisat. Është një lloj “ushtrimi”, askeze, në të cilën njeriu mpreh virtytet dhe lufton veset të cilat zënë vend në trupin e njeriut, por ama janë tregues të një realiteti shpirtëror, psikik dhe trupor të dëmtuar e të lodhur. Sot kufizimi i ushqimeve mund të shoqërohet edhe me kufzimin e “ushqimeve virtuale”, me displinimin e kohës e të vetvetes që çon drejt një ekuilibri me veten, duke i lënë hapësirë kështu marrëdhënies me Zotin dhe me tjetrin. Lufta ndaj egoizmit rrit mundësinë që unë të jem më afër të tjerëve e më i dëgjueshëm ndaj Fjalës së Hyjit. Një marrëdhënie e mirë me të tjerët e me Zotin çon detyrimisht drejt një marrëdhënie të mirë me vetveten dhe ansjelltas.

Kështu kreshmet, të dashur miq, janë një rast i mirë që nëpërmjet dëgjimit të Fjalës, ushtrimit të veprave të dashurisë, sikurse është lëmosha, disiplinimit të vetvetes, sikurse është agjërimi, të ndjejmë në trupin dhe në jetën tonë shenjat e një jete tjetër të mundshme qysh këtu. Një jetë e ripërtërirë dhe që çon drejt një freskie dhe entuziasmi për të përballuar përditshmërinë dhe jetën në të gjitha ngjyrimet e saj.

Previous “Bëni gjithçka t’ju thotë!” (Gjn 2,5b) – “Zgjojeni botën!” (Papa Françesku)
Next FESTA E ZOJËS SË LURDIT NË SAPË

Sugjerime