FITO MBI INDIFERENCËN DHE ARRIJE PAQEN: Prezantimi i Mesazhit të Papë Françeskut për Ditën e 49-të Botërore të Paqes  Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” – Tiranë

FITO MBI INDIFERENCËN DHE ARRIJE PAQEN: Prezantimi i Mesazhit të Papë Françeskut për Ditën e 49-të Botërore të Paqes Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” – Tiranë

 

Bernard Caruana O.P/

Dua t’ju rrëfej fillimisht dy frika që më kanë përcjellur kur më është propozuar të marr pjesë në këtë konferencë të sotme.

Për paqen është folur dhe shkruar ad nauseam. Mund të themi se fjala «paqe» nuk ka paqe sepse gjatë shekujve të historisë dhe ende sot është kuptuar në mënyra shumë të ndryshme, shpesh edhe kufizuese siç janë, për shembull fjalorët tanë të cilat – në vazhdimësi me antikitetin klasik – përshkruajnë paqen si “marrëdhënie të mira ndërmjet njerëzve, pa grindje e pa armiqësi; gjendje pa shqetësime […] pa luftëra e pa ndeshje”. Ose mund të mendojmë për një paqe të detyruar  – si në kohët romake – me forcën e armëve. Sigurisht, nuk ishte ky kuptimi i fjalëve të Aristotelit: “Luftojmë që të mund të jetojmë në paqe”!

Në kuptimin e saj më të thellë, paqe do të thotë harmoni: mes njeriut dhe vetvetes, midis njeriut dhe të afërmin e tij, me Zotin dhe me tokën. Besimet fetare të pranishme në trevat shqiptare e kanë përzemër kultivimin e paqes. Rrënjët e fjalës Islam janë «silm» që do të thotë «paqe». Vetë Kurani propozohet si rrugë e paqes. Kurse Krishtërimi e konsideron paqen si një dhuratë prej Zotit. Paqja është, në fakt, dhurata e parë i të Ngjallurit (Gjn 20, 21). Pak përpara, në të ashtuquajturën «lamtumirë» Jezusi premton: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota” (Gjn 14, 27). Paqja pra, nuk është vetëm mungesë e dhunës, e luftës (pax romana); nuk është qetësia e varrezave. As nuk është një indiferentizëm para problemeve siç e konceptojnë stoikët ose një pax perniciosa (një paqe e rrezikshme / e dëmshme) – e atyre që mbyllen në egoizmin e tyre. Këto varen nga vullneti i njeriut. Paqja që parashtron Krishti është një dhuratë prej se larti i cili lind në dashuri (rr. 15-23) dhe lulëzon në gëzim (rr. 28b).

Frika ime ishte atëherë që më duhej të hulumtoja këto këndvështrime, për më tepër të propozoj ndonjë teori të re duke i shtuar ashtu një vagon tjetër këtij treni tani të gjatë dhe njëkohësisht më erdhën ndërmend fjalët e Jim Morrison-it (kantautor, poet dhe shkrimtar): “Asnjëherë mos fol për dashurinë dhe për paqen: një Njeri ka provuar dhe e kanë kryqëzuar”! Kurse u ngushëllova kur mora vesh se duhet vetëm të pasqyroja mesazhin i atit i cili, pak ditë më parë, Roberto Benigni e kishte përkufizuar “njeriu më i madh në botë në shtetin më të vogël në botë”. Bëhët fjalë për Papa Françeskun, i cili me 1 janar na ka drejtuar mesazhin e tij për Ditën e 49-të Botërore të Paqes me temën “Munde indiferencën e fito paqen”. Ja frika ime e dytë: si do të ishte e mundur të flisja për këtë temë në një kohë kaq të shkurtër? Tani, dua vetëm të shpresoj që, të paktën, nuk keni lexuar mesazhin e Papës!

Pikënisje dhe fill përcjellës i mesazhit është në fakt një parim mjaft i rëndesishëm i tomizmit: «caritas pacem causat»; dashuria shkakton paqen (II. II. q. 29. ar. 3). Virtyti i dashurisë i jep shën Tomës, mundësinë për të shtjelluar temën e paqes. Pasi flet pikërisht për veprën e dashurisë, Toma i Akuinit tregon efektet e brendshme dhe të jashtme të dashurisë. Efektet e jashtme janë: bamirësia, lëmosha dhe qortimi vëllazëror. Efektet e brendshme të dashurisë janë: gëzimi, paqja dhe mëshira. Ky është, sipas nesh, kuadri brenda të cilit gërshetohet mesazhi i Papë Françeskut për Ditën Botërore të Paqes.

Mesazhi mund të vlërësohet si një përmbledhje i papnisë dyvjeçare dhe rrjedhimisht, shpesh dalin në pah ato që janë temat dhe shprehjet të cilat Papa Françesku i ka për zemër. Hapet me një ftesë për të ruajtur arsyet e shpresës edhe para asaj, që, sipas shprehjes se vetë Françeskut, mund të quhet “lufta e tretë botërore vende-vende”, që po shkakton dhimbje në shumë vende të botës.

Papa përvijon disa forma të indiferencës – një qëndrim të mbylljes së zemrës –  që karakterizojnë kohën tonë. Së pari, indiferenca ndaj Zotit, nga e cila rrjedh edhe indiferenca ndaj të afërmit e ndaj Gjithësisë së krijuar nga Hyji. “Kjo është” – nënvizon Papa duke cituar Benedikti XVI – “njëra prej efekteve të rënda të një humanizmi të rremë dhe të materializmit praktik, të gërshetuar me një mendim relativistik dhe nikilistik. Njeriu mendon se është autori i vetes së vet, i jetës së vet dhe i shoqërisë; ai ndihet i vetëmjaftueshëm dhe synon jo vetëm ta zëvendësojë Hyjin, por edhe të bëjë krejt pa të; si rrjedhojë, mendon se nuk i detyrohet për asgjë askujt, me përjashtim të vetes së vet, dhe pretendon të ketë vetëm të drejta” (nr.3).

Pasi tregon se paqja kërcënohet nga indiferenca në të gjitha nivelet, Mesazhi ofron një reflektim bibliko-teologjik, që na lejon të kuptojmë nevojën për kapërcimin e indiferencës, për t’ia hapur zemrën mëshirës, angazhimit e solidaritetit.

“Çfarë mund bësh për të nxitur paqen në botë” pyeti njëherë Nënë Tereza? “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”! Pikërisht solidaritetin, Papa e quan virtyt moral e sjellje për t’u kultivuar nga ata që kanë përgjegjësi edukative e formuese, siç janë, për shembull familjet, edukatorët, operatorët kulturorë dhe mjetet e komunikimit shoqëror, secili sipas rolit dhe përgjegjësisë që i takon.

Duke besuar se njeriu e ka aftësinë të fitojë mbi të keqen duke përdorur të mirën, Mesazhi vë në dukje forma të ndryshme solidariteti e angazhimi në shoqërinë bashkëkohore, në favor të njerëzve në vështirësi si viktimat e konflikteve të armatosura dhe të fatkeqësive natyrore, të varfërit dhe emigrantët. Papa i falënderon dhe i inkurajon të gjithë të angazhohen në këto veprimtari, edhe pse nuk u bëhet reklamë. Falënderon sidomos të gjitha ato familje, famulli, bashkësi, kuvende e shenjtërore, që i janë përgjigjur kërkesës për të strehuar një familje refugjatësh.

Mesazhi përfundon me thirrjen e Papë Françeskut që secili, në frymën e Jubileut të Mëshirës, të angazhohet konkretisht për të përmirësuar realitetin në të cilin jeton, duke filluar nga familja, nga fqinjët e nga ambienti i punës.

Të njëjtën thirrje u drejton Ati i Shenjtë edhe përgjegjësve të kombeve, që të bëjnë gjeste konkrete e, madje, edhe akte të vërteta guximi, në favor të njerëzve më të brishtë, si të burgosurit, emigrantët, të papunët e të sëmurët. Papa i fton në veçanti: të mos i tërheqin popujt e tjerë në konflikte e luftra; të falin borxhin ndërkombëtar të vendeve më të varfëra e të favorizojnë qëndrueshmërinë e tyre; të miratojnë politika bashkëpunimi, që respektojnë vlerat e popullsive lokale dhe nuk cënojnë të drejtat e fëmijëve në bark të nënës.

Nuk është vetëm indiferenca në qendër të Mesazhit për Paqen 2016, por edhe shpresa në aftësitë e njeriut, që me hirin e Zotit, di të kapërcejë të keqen e të mos dorëzohet, duke e lëshuar veten në duart e indiferencës. Papa përmend disa ngjarje të vitit 2015, që e dëshmojnë më së miri këtë besim, si për shembull, marrëveshja për klimën, samiti i Adis Abebës për fondet që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm, miratimi i Agjendës 2030 dhe 50-vjetori i dy dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit, “Nostra Aetate” dhe “Gaudium et spes”, që hapën derat e dialogut me fetë jo të krishtera e me krejt familjen njerëzore.

Për ta ruajtur këtë shpresë, Papa u bën thirrje të gjithëve ta orientojnë jetën kah dashuria, mëshira dhe solidariteti, duke i kthyer në program jete, në stil sjelljeje në marrëdhëniet me të tjerët, pra, duke u bërë të mëshirshëm si Ati, siç është tema e Jubileut të Mëshirës, që është hap ne muajin dhjetor.

Si përfundim, dëshiroj të theksoj dy provokime që gurgullojnë nga mesazhi i Papës dhe që herët a vonë, kërkojnë prej nesh njëfarë ndjeshmëri dhe përgjigje konkrete, si individ dhe si shoqëri. Se pari, në numrin 3, Françesku, në lidhje me encikliken “Lëvduar Qofsh”, kujton: “Duke jetuar në një shtëpi të përbashkët, nuk mund të mos e pyesim veten për shëndetin e saj […]. Ndotja e ujërave dhe e ajrit, shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, shkatërrimi i mjedisit, shpesh janë fryt i indiferencës së njeriut ndaj të tjerëve, sepse gjithçka është e lidhur. Ashtu si edhe sjellja e njeriut me kafshët ndikon në marrëdhëniet e tij me të tjerët, për të mos folur për atë që ia lejon vetes të bëjë tjetërkund atë që nuk guxon të bëjë në shtëpitë e vet”. Përmbytjet nga reshjet e shumta që kanë shkaktuar pasoja të rënda mbi banorët në vendin tonë kohët e fundit na detyrojnë ta marrim seriozisht këtë propozim.

Se dyti, Françesku, duke folur për kërcënimin e paqjes prej indiferencës së globalizuar (nr. 4), tërheq vemendjen për situatat e padrejtësisë që shkaktojnë një çekuilibrin të rëndë shoqëror duke krijuar “një klimë pakënaqësie që rrezikon të degjenerojë, herët apo vonë, në dhunë dhe pasiguri”. Në nivel institucional pastaj, shkeljen e të drejtave dhe nevojave themelore të të tjerëve, si ushqimi, uji, ndihma mjekësore apo puna tundojnë popullatat që t’i marrin me forcë ose me mënyra të shtrembëra. Uroj që gjithë këtë energji që po përdoret në angazhimin për reformat e llojllojshme të na kthejnë një shoqëri më të pastër (në kuptimin e plotë të fjalës), më të mëshirshme dhe më paqësore. Faleminderit!

 

 

Previous Përmbytjet: Të varfërit ndihmojnë të varfërit.
Next MBYLLJA E VITI TE JETES SE KUSHTUAR

Sugjerime