AGUSTIN LERE ZEMREN TE T’COPTOHET

AGUSTIN LERE ZEMREN TE T’COPTOHET

Mesha e pareDON GIANFRANCO CADENELLI    /

Don Agustini më ka ftuar të bëj sot homelinë dhe unë, me paksa dridhje por me kënaqësi, kam pranuar të flas në këtë “Meshë të Shenjtë”.  E falenderoj për këtë privilegj.

Unë e kam njohur don Agustinin kur ishte i vogël, ishte 14 vjeç.Erdhi në shtëpinë tonë në Suç (me mua dhe don Marco Domenighini, që ka qenë edukatori më direkt i tij) kur ende nuk ishte i pagëzuar.

Dhe dje, pas shugurimit meshtarak, kur don Marco e ka veshur shkëlqyëshem, si Jezusi, kam kujtuar që kur e kam parë për herë të parë, don Agustini ishte lakuriq, ishte duke u larë në lumin Mat …

Mendimi im ka shkuar ke shëmbelltyra e profetit Ezekjel… ku flitet per popullin e Izraelit si për një vaizë lakuriqe, e braktisur ne baltën e rrugës që Zoti e bën prinçeshë.

Ne priftave, Zoti na nxjerr gjithmonë nga llomi i mjerimit tonë, i lakuriqësisë sonë,  dhe na bën njerëz që shkëlqejnë të vëshur nga dashuria e Tij!

Don Agustni erdhi në Suç me bagazhin e fesë, të thjeshtë por të qëndrueshme, që kishte trashëguar nga familja, mbi të gjitha nga gjyshërit. Erdhi si “i dërguar”, pa ditur akoma se çfarë Zoti do të kishte bërë me të, me jetën e tij.

Agustini adoleshent shfaqte një personalitet të fortë. Nuk dorëzohej lehtësisht ndaj udhëzimeve që ne meshtarët edukues i jepnim.

Por ama ishte i vendosur që të bënte, me jetën e tij, një dhuratë … dhe, një ditë, zhgjidhi t’ia dhurojë Zotit që e ka thirrur si “punëtor” në vreshtin e vet!

Hyji e kishte joshur dhe ai nuk beri rezistencë! Dhe në fund, dje, vendosi ti premtojë bindje Kishës, në personin e Ipeshkvit.

“Meshën e tij të parë” don Agustini e ka celebruar dje, me Ipeshkëvin që e ka shuguruar prift dhe me shumë bashkëvëllezër që e kanë mirëpritur në bashkësinë priftërore … me të gjithë neve, popullin e Hyjit, që lutej për të!

Kështu, don Agustini, dje ka filluar tashmë t’i bindet urdhërit të Jezusit, kur, përpara turmës së uritur, që dëshironte ti dëgjonte fjalët e tija, u tha apostujve: “U thoni atyre të ulen dhe jepuni ju të hanë!”.

Tashmë, pra, një herë e ka bërë atë që është detyra e tij kryesore, … ka kontribuar në mrekullinë që, nga tani e mbrapa, është i thirrur të bëjë çdo ditë me jetën e tij: të japë Bukën e Jetës të gjithë atyre që duan të “jetojnë” më të vërtet, që duan të jenë “gjymtyrë të gjallë” dhe jo kocka të përthara.

Dhe sot don Agustini e përsërit këtë gjest (në të vërtetë, prandaj, kjo është Mesha e tij e dytë… edhe pse është e para që “kryeson”).  Dhe këtë gjest do ta përsërisë çdo ditë të jetës së vet, nëse nuk do të ketë pengesa të mëdhaja që do t’ia ndalojnë dhe nëse do të dijë ta mbajë veten besnik ndaj premtimeve që i ka bërë dje solemnisht Zotit, përpara Ipeshkëvit dhe gjithë Kishës.

Fjala e Hyjit, sot, na kujton misterin e madh të Mishërimit që, në këto ditë Krishtlindjesh, kemi soditur: na kujton që Jezusi ka ardhur si dritë në errësirë, për të ndriçuar jetën e çdo njeriu. Na kujton misterin e dritës së Krishtit që shkëlqen në zemrën e atyre që janë të aftë të duan!

Mund të themi që jemi të ndriçuar nga Jezusi nëse dimë ta duam vëllain që na është pranë. Ndryshe, (duhet ta dimë!) janë errësirat që na mbështjellin, që na mbulojnë, që na mbyllin sytë. Dhe, në këtë rast, në qoftë se nuk jemi të aftë të duam, nuk dimë më ku të shkojmë, sepse errësira e së keqes na errëson shikimin. E kur nuk dimë ku t’i vëmë këmbët … dalim jashtë rrugës, përfundojmë keq!

Por ne e dimë që Drita e vërtetë, ajo që shndrit çdo njeri, erdhi në botë dhe është në dispozicionin e të gjithëve.  Eshtë Jezusi, që pret të jetë i mikpritur në zemrën tonë, të lënduar dhe të gjakosur prej mundimeve tona, prej mëkateve tona.

Është Jezusi, që pret vetëm çastin për të hyrë e për ti kuruar plagët e zemrave të copëtuara, për t’u dhënë sërish dritë syve të mjegulluara nga skllavëritë e ndryshme ku ne njerëzit shpesh jemi të nënshtruar..

Është Jezusi, që ofrohet si mjek i shpirtrave tanë … dhe ofrohet “falas”, siç ka thënë Papa Françesko pak ditë më parë.  Mjafton ta mirëpresim me besim dhe pa frikë!

Dhe Zoti, në planin e tij të shëlbimit, ka dashur, në menyrë misterioze, që të ishin disa njerëz, disa burra të shkretë (edhe ata mëkatarë dhe, ndonjëherë, të mbuluar nga errësira) që të shpallnin praninë e tij shëlbuese dhe të shpërndanin dhuratat e mëshirës së tij.

Janë priftat, mes të cilëve, tani, është don Agustini!

Për vullnet të Hyjit ai është zgjedhur “bashkëpunëtor” i tij, për gëzimin e të gjithëve!

Zoti i ka dhënë pushtetin të transmetojë dashurinë e Tij të mëshirshme, me disa gjeste të vogla dhe me disa fjalë të thjeshta dhe, në të njëjtën kohë, me gjithë jetën e tij.

Dhe sot, gëzimi i të gjithë neve është rrjedhojë pikërisht e këtij fakti: në dhuratën që na ka bërë me një meshtarë të ri, shohim se si Zoti ka mëshirë për ne, për popullin e vet, sepse na ka dërguar një lajmëtar të ri të Ungjillit, të lajmit të mirë të Hyjit që shpëton!

Prandaj sot nuk jemi këtu për t’i bërë festë don Agustinit … nuk është ai në qendër të festës që jemi duke bërë. E din edhe ti Gust, që kjo nuk është festa jote!

Edhe nëse je ti “shkaku” ose “preteksti” i festës … festa nuk është e jotja! Ne bëjmë festë “me ty” dhe ti e bën “me ne” … por festa nuk është e jotja!

Festa sot, është e popullit të Rrëshen-it, Të Mirditës, e njerëzve të kësaj dioqeze kaq e varfër për prifta;  festa është e jona, e bashkëvëllezërve të tu meshtarë, sepse do të kemi, nga sot e tutje, një “lojtar më tepër” në skuadrën tonë, që vjen për të përforcuar punën tonë të mundimshme, të vuajtshme dhe të dobët si ungjillizues.

Sot është edhe festa e Ipeshkëvit tonë, Mons. Cristoforit, që, pranë momentit për të lënë shërbimin e tij si bari i kësaj djoqesës, e sheh të plotësuar lutjen që bën çdo ditë, …  që Zoti të dërgojë punëtorë të mirë në të korrat e tij;  duke kërkuar “që të jenë edhe të pakët, por të mirë!”, siç i sugjeronte Shën Vinçenci të lutej!

Është festa e të gjithë neve që, në ty, don Agustin, shohim shenjën e mëshirës së Atit që ri-jep jetën, që dhuron sërish shpresën, që na ndihmon të shohim lart … të shohim çlirimin tonë, që është afër!

E kjo festë, që fillon sot, nuk duhet të mbarojë! Kurrë. Dhe kurrë nuk do të mbarojë!

Sepse, ashtu siç na kujtojnë fjalët e një këngë që të rinjtë shpesh këndojnë, “festa jemi ne që ecim drejt Zotit”. E për të ecur drejt Jezusit, të gjithë ne kemi nevojë për një udhërrëfyes, për një bari. Dhe sot, me ty, populli ynë, dioqeza jonë … ka një bari më shumë. Për këtë bëjmë festë!

I dashur don Agustini, kjo festë s’do të mbarojë kurrë nëse ti do të jesh gjithmonë pranë njerëzve, nëse do të ecësh me ata, duke ndjekur hapat e tyre.

Në qoftë se do të përzihesh me ata, duke u bërë pis me mundimet e tyre dhe me mjerimin e tyre, me baltën që haset në rrugën e njerëzimit; nëse do të dish t’i mbështesësh në shpresat e tyre dhe t’u gjendesh afër atyre, biles aq sa të marrësh erën e tyre mbi rrobat tuaja, siç bariu që e mban erën e deleve (siç tha Papa Françesku).

Nuk do të ketë rëndësi ajo që do të “bësh” për ta (gjithmonë pak do të jetë, ji i sigurt) por do të jetë me e rëndësishme mënyra se si ti do të jesh i “pranishëm” në mes tyre.

Kur ti do të jesh në mes tyre, do të jetë gjithnjë festë për fëmijët që presin për të mësuar shenjën e kryqit, për adoleshentët që kanë nevojë për t’i vënë në vijë, drejt së mirës, energjitë  dhe entuziazmin e tyre, për të rinjtë që do të dëgjojnë nga ty një fjalë shprese për të ardhmen e tyre.

Do të jetë gjithnjë festë, kur ti do të hysh nëpër familje dhe do të sjellësh paqe, solidaritet me problemet e tyre, inkurajim përballë vështirësive të baballarëve dhe nënave që sot gjenden përpara detyrave edukuese jo të lehta.

Do të bëjnë festë  të sëmuret dhe të moshuarit, kur ti do t’u çosh atyre ngushëllim dhe, qoftë edhe me një shikim të vetëm, do të dish t’u japësh forcë për të mbartur kryqin.

Edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë që punojnë për të mirën e shoqërisë, nga vullnetarët social tek mësuesit, nga mjekët tek politikanët, do të jenë të inkurajuar dhe do të bëjnë festë kur ti, “njeri i Hyjit”, do ta çmosh punën e tyre dhe do t’i stimulosh që të bëjnë shërbimin e tyre për të mirën e të gjithëve dhe progresin e shoqërisë.

Do të jetë festë në zemrën e atyre që janë të “lodhur” nga jeta dhe nga “zhgënjimet” e saj, nëse ti, edhe vetëm me një Fjalë, që s’është  e jotja, por e Hyjit, do të dish t’u ndezësh një dritë shprese;  nëse do të dish t’i mirëpresësh, nëse do të dish t’i dëgjosh me durim dhe t’i ngushllosh me mëshirë.

Do të  jetë festë kur ti, si ati i mëshirshëm i shëmbëlltyrës së Ungjillit, do të përqafosh me gjeste dhe  fjalë, mëkatarët e penduar që duan të rifillojnë gjithmonë nga falja e Hyjit.

Do të jetë festë për bashkësitë e krishtera në të cilat do të jesh dërguar, kur, në Meshën e Shenjtë të së dielës, do të paraqesësh mes duarve të tua të varfëra Qengjin e Hyjit që i shlyen mëkatet e botës! Kur, duke u lutur me fjalët që na ka mësuar Jezusi vetë, do të shtrëngosh duart e tyre për të kujtuar që të gjithë ne jemi vëllezër e motra, bij dhe bija të të njëjtit Atë që është në qiell.

Do të jetë festë! Një festë që nuk do të mbarojë kurrë!

Dhe ti mund të behësëh drejtues i festës në qoftë se do të pish gjithnjë nga “burimi i gëzimit tonë” që është Vetë Jezusi.

Prandaj, kurrë mos u lodh të lutesh, për ty dhe për të gjithë ata që të janë besuar.

Ji i përvuajtë: mbaje mend që është Jezusi që shëlbon. Shërbehet prej nesh, nga jetët tona të shkreta, por është Ai që ndryshon “shkretëtirën me lule”. Kudo të shkosh, në çdo shërbim, në çdo takim … çoje Atë, Jezusin, jo vetveten tënde.

Atëherë festa s’do të mbarojë kurrë, sepse është Ai burimi i festës, burimi i gëzimit tonë.

Dua të të them edhe një gjë.

Kur unë isha prift i ri, në vitet e para, nuk e kisha kuptuar mirë, pse në Meshën e Shenjtë, meshtari, para se të shperndajë kungimim, duhet t’i paraqesë popullit hosten e shuguruar … vetëm pasi të jetë e ndarë përgjysmë! Ndoshta nuk ma kishte shpjeguar mirë profesori i liturgjisë … ose nuk kisha qenë unë i vëmendshëm ose nuk e kisha studiuar mirë.

Prandaj, meqë mua më dukej një gjest paksa i çuditshëm, jo i hijshëm, unë kërkoja gjithmonë ta paraqesja hosten të “plotë”. E bashkoja mirë me duart e mia, duke e mbajtur njërën gjysmë afër tjetrës, derisa të mos shihej që ishte thyer. I thoja vetvetes sime: <<Dua që të shihet mirë Jezusi … krejt i plotë, i mirë rrumbullakët, plot me forcë … një “bukë e jetës i pacenuar” që paraqitet mirë!>>

Pastaj, dalëngadalë, me kalimin e viteve, e kam kuptuar “perse-në”, …kam kuptuar që  ishte më mirë ta paraqesja hostën e “ndarë”. E kam kuptuar nga vetë jeta ime.

Sa herë më është dashur ta pranoj që jam “copë-copë” përpara të tjerëve!

Qoftë për paaftësitë e mia, për dobësitë dhe kontradiktat, edhe për mëkatet e mia … por akoma më shumë, për dëshirën time që të jem i “shpërndarë dhe i ngrënë” siç një bukë e mirë që rijep jetë.

Kam kuptuar, (dhe për fat të keq pa e arritur kurrë ta jetoj plotësisht), që jeta e një prifti ka kuptim në qoftë se copëtohet, thyhet … në qoftë se ai bëhet një cope për secilin nga vëllezërit i cili i është “dërguar”.

Dhe kështu, kjo bukë, që është jeta jonë e ofruar, nuk mbaron kurrë! Nuk konsumohet, siç kaçuba që digjei mbi malin Sinai!

Kam kuptuar, dalëngadalë, që Jezusi duhet të paraqitet i“copëtuar” … sepse Ai, për të na shpëtuar, e ka lënë Veten t’i “copëtohej zemra”!

Kam kuptuar që e vetmja mënyrë për të treguar dashurinë e Hyjit që shëlbon është ajo e paraqitjes së Jezusit që bëhet “copash” për të qenë i ngrënë dhe ajo e të bërit me jetën tonë një diçka për t’u “bashkëndarë”.

Është ligji i dashurisë, i dashurisë që shëlbon dhe që na jep mundësinë për të mposhtur “errësirat e urrejtjes dhe të së keqes”  dhe për të jetuar gjithmonë në “dritë” (sikurse sot Shën Gjoni na ka kujtuar në leximin e parë).

I dashur don Agustini, mos ki frikë të paraqesësh Jezusin e “copëtuar” dhe ti vetë “i bërë copë-copë”. Nuk do të bësh kurrë figurë të keqe, mos ki frikë …

Do të jesh shenja e Jezusit që don me zemrën e tij hyjnore të shporuar,  nga e cila rrjedh “ujë dhe gjak” për shëlbimin e çdo njeriu.

Nëse ne priftat nuk e lëmë veten “të na copëtohet zemra” sikurse Jezusit, jemi instrumentë të paefektshëm të hirit të Tij. Sepse është vetëm nga plagët e zemrës sonë që mund të kalojë butësia e dashurisë së Jezusit.

“Të padobishëm” jemi gjithnjë, sepse është Jezusi që shëlbon, por ama të paefektshëm nuk duhet të jemi kurrë, kurrë!

Ai nuk na don të pafrytshëm: na ka zgjedhur që të japim fryt … dhe që fryti i tij të mbetet në zemrën dhe në jetën e atyre që Ai ka vënë në rrugën tonë.

Dua të përfundoj duke kujtuar fjalët e Shën Simeonit të vjetër, që kemi dëgjuar në Ungjillin e sotëm: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe … sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve!”

Këto nuk janë fjalë që i përkasin vetëm Atë Cristoforit!  …

Sigurisht , ai, në vitet e shumta të shërbimit të tij në mes nesh (tashmë janë 10 në episkopat dhe 23 të misionit në Shqipëri!) si Simeoni i vjeter, e ka parë shëlbimin e Hyjit që i është treguar në shumë ngjarje, në shumë persona, në shumë rrethana të këtyre viteve.

Dhe, në don Agustinin, Ipeshkëvi ynë e sheh dhuratën që Zoti ia dorëzon si fryt të punës së tij të palodhshme misionare.

Prandaj Atë Cristofori mund të shkojë “në paqe” … jo në Parajsë, është akoma herët!  … i urojmë jetë të gjatë!  …

Por ama mund të shkojë “në paqe me zemrën e tij”, sepse ka patur mundësinë të shohë, edhe sot, shëlbimin e përgatitur për këtë popull që e ka dashur dhe vazhdon ta dojë.

Por edhe të gjithë ne, sot dhe çdo herë që marrim pjesë në Eukaristi, mund të “shkojmë në paqe”  … siç meshtari na fton të bëjmë gjithmonë në përfundimin e Meshës.

Sepse këtu, në këtë Darkë të Shenjtë në të cilën marrim pjesë, në këtë takim misterioz mes varfërisë sonë dhe asaj të madhështisë së tij, e shohim që Zoti nuk bën kurrë t’i mungojë Kishës së vet hiri i tij nëpërmjet meshtarëve të tij. Përmes atyre, nga duart e mjera të tyre, na dhuron shëlbimin e tij.

Kështu që, siç thuhet që çdo fëmijë që lind në botë është shenja që Hyji ka ende besim në njerëzimin, edhe çdo meshtarë që shugurohet është shenjë që Zoti ka akoma besim në Kishën e tij që, përtej mjerimeve dhe varfërisë së saj, është ende instrument nëpërmjet së cilës Zoti shërbehet, për ta dashur dhe për ta shpëtuar çdo njeri që Ai don.

Dom Agustin! Zoti të mbroftë dhe të shoqëroftë!

Previous Në bujtinë nuk pati vend per ta – MESHA E NATES
Next Përmbytjet: Të varfërit ndihmojnë të varfërit.

Sugjerime