PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR NË DRITËN E SHKRIMIT TË SHENJTË

PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR NË DRITËN E SHKRIMIT TË SHENJTË

Stefan palokaSTEFAN PALOKA     /

Bibla, si dije njerëzore e frymëzuar nga Shpirti i Hyjit (të më falin teologët për ndonjë shmangie të paqëllimtë nga shinat dogmatike), ngërthen në vetvete dhe bën object trajtimi të gjitha fushat e jetës dhe fashat e shoqërisë njerëzore. Si përsiatje e thellë dhe e gjithanshme mbi jetën dhe botën, ajo merr në konsideratë në mënyrë mbresëlënëse edhe personat me aftësi të kufizuar, gjendjen e tyre të brendshme, pozitën e tyre sociale apo, sikurse jemi mësuar t’i themi, statusin social si dhe qëndrimin që shoqëria njerëzore në tërësi dhe populli i Hyjit në veçanti duhet të mbajnë ndaj tyre, si në rrafshin ontologjik, ashtu edhe në atë deontologjik.

Në Testamentin e Vjetër, gjejmë referenca të shumta kryesisht implicite ku mbizotërojnë konotacionet negative mbi aftësinë e kufizuar si dukuri dhe bartësin e saj si individ. Në ligjet që rregullojnë jetën e komunitetit lebrozi duhej të veçohej nga pjesa tjetër e popullsisë. Priftërinjtë nuk mjaftonte të ishin vetëm levitë apo thjesht meshkuj, por duhej të ishin pa të meta, çka sugjeron edhe mungesën e të metave fizike si kusht për t’u ofruar në shërbim të Zotit. Madje edhe bagëtitë që ofroheshin si fli në rite të ndryshme – shih Librin e Daljes dhe atë të Ligjit të Përtërirë (Deutoronomin) – nuk plotësonin kushtin e të qenit të fliuueshme nëse në to konstatoheshin të meta.

Ku bazohej ky qëndrim i popullit të zgjedhur ndaj aftësisë së kufizuar? Pse kjo qasje e tij, sipas së cilës aftësia e kufizuar shihej si vulë e ndëshkimit të Zotit ndaj bartësit të saj apo të parëve të tij? Që në fillim le të themi se në Bibël nuk do të gjejmë asnjë rresht në të cilin Zoti të citohet duke sugjeruar në ligjëratë të drejtë kushtëzime, kufizime apo privime për PAK. Edhe në rastin e lebrozëve, mendojmë se ligjet dhe rregulloret e shenjta nuk përfaqësojnë kurrfarë ndëshkimi, porse janë me funksion ekskluzivisht parandalues, duke marrë parasysh natyrën ngjitëse të sëmundjes dhe rrjedhimisht reperkusionet katastrofike të bashkëndarjes së hapësirave të qëndrimit dhe banimit ndërmjet të prekurve dhe atyre me trup të shëndoshë.

Në fakt, në Shkrimin e Shenjtë dhe pikërisht në Librin e Daljes, kapitulli 20, rreshti 5 kemi paralajmërimin e Zotit për ndëshkim deri në brezin e tretë dhe të katërt për të gjithë idhujtarët. Edhe pse aty nuk shtjellohet mënyra e vuajtjes së dënimit, ndoshta nën ndikimin e kulturës paramonoteiste nga e cila vinte populli i Hyjit, por edhe për shkak të fqinjësisë së detyruar të tij me paganët, aftësia e kufizuar me siguri që është parë si një formë ndëshkimi. Këtë na e dëshmon edhe një episod në Testamentin e Ri, në të cilin Jezusi shëron të verbërin që ka lindur i verbër, në Ungjillin sipas Gjonit, kapitulli 9, rreshti 2, nxënësit duan të dinë nga Mësuesi i Madh se kush ka mëkatuar, ai vetë apo prindërit e tij, që ka lindur i verbër.

Por në Testamentin e Vjetër nuk mungojnë as referencat gjithashtu implicite me vlerësime pozitive për PAK. Kështu, nuk janë të pakta rastet në të cilat bashkësisë së Izraelit i tërhiqet vëmendja lidhur me atë se Zoti nuk gjykon sipas pamjes së jashtme, por sipas brendisë së njeriut, sipas zemrës së tij. Ky mësim hyjnor bie ndesh me mendësinë e përgjithshme e cila do që njeriun ta gjykojë jo për atë që përfaqëson në të vërtetë (personalitetin, karakterin, potencialet), por për atë që duket, për anën e tij të jashtme (fuqinë fizike, hijeshinë, të qenit trendy). Ishte kjo qasje që e bëri babën e Davidit ta përjashtonte këtë të fundit nga darka që kishte përgatitur për Samuelin. Pse? Pasi Davidi ishte djali i vogël dhe, në këto rrethana,  Isai (i ati) ishte i bindur se mbreti i ardhshëm i Izraelit mund të ishte cilido prej të bijve, përjashto Davidin! Por ngjarjet rrodhën në drejtim të kundërt dhe Zoti zgjodhi që te Davidi i vogël dhe i dobët të dëftohet me tërë madhështinë e vet fuqia krijuese dhe ngadhënjyese e Hyjit. E, pra në sytë e bashkëqytetarëve, madje edhe të familjarëve të vet ai mund të barazohej me një PAK! A nuk është këtu rasti të shprehim disa konsiderata që i gjykojmë të dobishme për cilindo që vendos që prej sot, si I krishterë a, thënë ndryshe, njeri I nënshtruar vullnetit hyjnor, vendos që një PAK ta shohë me sytë e Zotit dhe botën e tij ta lexojë nën dritën e Shpirtit të Krijuesit?

Së pari, Aftësia e kufizuar nuk është shenjë e ndëshkimit hyjnor për njeriun që e bart apo aq më pak për të parëlindurit e tij. Se kjo është e vërteta e vetme, na e dëshmon edhe Ungjilli sipas Gjonit, kapitulli 9, pika 2, ku, në përgjigje të pyetjes së sipërcituar të dishepujve lidhur me arsyen pse ai i verbër kishte lindur i verbër, Jezusi deklaron: “Nuk kanë mëkatuar as ai, as prindërit e tij,  por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit”.

Së dyti, prania e PAK në botë jo vetëm që nuk përbën shenjë paralajmëruese për të ashtuquajturit të shëndoshë lidhur me pasojat fizike të mëkatit, por është tregues i mrekullueshëm i larmisë krijuese të Zotit, për të cilin ka vend për të gjithë në këtë planet dhe në jetën e pasosur. Vuajtjet e PAK nuk janë dhe sçmund të jenë pasojë e aftësisë së kufizuar. Ato shkaktohen, sikurse është pranuar tashmë gjerësisht në literaturën bashkëkohore, dhe është fiksuar edhe në Konventën Ndërkombëtare të PAK, nga barrierat që gjenerojnë qëndrimet dhe steriotipet e krijuar në shoqëri në rrjedhën e historisë, në bashkëveprim me faktorët fizikë dhe mjedisorë. Mposhtja e këtyre barrierave do t’u jepte PAK të njëjtat shanse si të gjithë njerëzve të tjerë, duke i liruar ata vetë nga faktorët që pengojnë zhvillimin e tyre dhe shoqërinë nga një barrë e krijuar artificialisht prej asaj vetë.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, duke shprehur parapëlqimin e Tij për të nëpërkëmburit, ndër të cilët edhe PAK, Jezusi deshi që, nga njëra anë, në dobësinë e tyre të tregonte fuqinë e vet të pamatë dhe , nga ana tjetër, t’i tregonte Kishës së Vet të Shenjtë se, si kripë e tokës, për detyrë ka, ndër të tjera, edhe trajtimin e PAK me dashuri, butësi dhe mirësi të paskaj si një projeksion i mëshirës hyjnore, asaj mëshire me të cilën synohet jo zhveshja nga dinjiteti, por garantimi i lumturisë për të gjitha krijesat e Zotit.

Previous Në vitin e Mëshirës, një vepër mëshire nga të rinjtë e famullisë Rrëshenit
Next Hyji e dashuron brishtësinë! – E DIELA IV E ARDHJES

Sugjerime