Hyji e dashuron brishtësinë! – E DIELA IV E ARDHJES

Hyji e dashuron brishtësinë! – E DIELA IV E ARDHJES

ShkoderGJERGJ META    /

Vogëlsia dhe brishtësia nuk janë asnjëherë pengesë që Hyji të realizojë planet e tij. Më duket pikërisht ky thelbi i leximeve të kësaj të Diele IV të Kohës së Ardhjes, pikërisht pak ditë para Krishtlindjes. Leximi i parë përmend Betlehemin ndër qytetet më të vogla të Judës, por që prej këtij qyteti kaq të vogël e pothuajse të papërfillshëm Zoti do të nxjerrë shëlbuesin. Krishti do të lindë në Betlehem. Po ashtu në Ungjill janë dy gra: Elizabeta e Maria. Njëra nëna e Gjon Pagëzuesit, e cila mbahej beronjë, pra sterile, dhe të cilën Zoti e gëzoi me një fëmijë. E tjetra është Maria, një virgjër që mbeti shtatzënë për virtyt të Shpirtit të Shenjtë, por që për veten e saj thotë se jam “e përvujtë”. Në të dyja rastet kemi dy pamundësi nga pikëpamja njerëzore që kthehen në dy mundësi për Hyjin. Çka është e pamundur për njeriun është e mundur për Zotin. E Krishtlindja është pikërisht një pamundësi njerëzore e cila dëshmon mundësinë e Hyjit.

Figura e Marisë në historinë e shëlbimit është ndër më të dashurat. Ajo, edhe pse e quajti veten një “shërbëtore e përvujtë”, lejoi deri në fund besnikërinë e Zotit të shfaqej në jetën e saj. Kjo i kushtoi asaj shtrenjtë, pasi u bë dëshmitare e “dështimit” të Birit të saj madje edhe me shokët e tij më të ngushtë, dishepujt, por asnjëherë nuk u pezmatua apo dëshpërua. Nëpërmjet kësaj gruaje, një vazjë e re nga Nazareti i Galilesë Hyji na komunikoi ne jetën d.m.th. Krishtin.

E gjithë historia e shëlbimit që kundrohet në Shkrimet e Shenjta na tregon pikërisht këtë paradoks hyjnor. Na tregon se si Zoti duke hyrë në historinë e njerëzve, të popullit të tij, edhe në situatat më të errëta, edhe atëherë kur dukej se çdo shpresë ishte e mbyllur, ai diti të gjejë rrugët për të nxjerrë në breg atë që kërkon ndihmën e tij dhe që e kërkon me gjithë zemër. Kjo sepse Historia e Hyjit me njeriun është në thelb një histori dashurie e cila përkthehet në besnikëri pa kushte e Zotit edhe atëherë kur njeriu është i pabesë dhe tradhëton. Pabesnikëria e njeriut nuk e tërheq apo shkatërron besnikërinë e Hyjit. Po ashtu vogëlsia e njeriut dhe brishtësia e tij nuk e bën Hyjin të tërheqë dashurinë e tij ndaj njeriut.

Jo rrallëherë gjendemi në ekzistencat tonë në situata të cilat duken pa kthim dhe të pamundura, për shkak të rrethanave që na bëjnë të humbim shpresën. Shpeshherë nuk ndjehemi në lartësinë e duhur për angazhimet apo per atë që na kërkohet. Kjo na bën të humbim shpresën se do t’ia dalim. Leximet e sotshme na tregojnë se për Hyjin vogëlsia apo brishtësia e njeriut nuk është një pengesë për realizmin e planit të tij. Edhe me gjëra të vogla ai është një mjeshtër i tillë që bën vepra të mëdha. Madje edhe prej asaj çka për sytë e njerëzve duket një “mbetje” për sytë e Hyjit është një burim energjie me anë të të cilit ai na komunikon dashurinë e tij.

Historia e Marisë dhe Elizabetës është një histori gëzimi dhe pritjeje. Kjo sigurisht për arësye të dy jetëve të veçanta që po lindnin prej kraharorëve të tyre, por më shumë për shkak se ishin të zgjedhura të ishin pjesë e planit të mrekullueshëm të Hyjit. Ato u treguan gra të guximshme dhe i thanë po këtij plani. E çuditshme për mendësinë e kohës se si pikërisht një grua e brishtë si Maria na mëson të gjithëve guximin. Po, pikërisht guximin për jetën, guximin për Zotin, për t’i thënë atij “po” edhe kur gjithçka është në disfavor. Edhe pak ditë e është Krishtlindje. Guxo t’i thuash “po” Hyjit që vërshon në historinë dhe në jetën tënde!

Previous PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR NË DRITËN E SHKRIMIT TË SHENJTË
Next Në Brunei, 5 vjet burg për këdo që feston Krishtlindjen!

Sugjerime