Fjalor i vogël i Jubileut

Fjalor i vogël i Jubileut

Logo jubileuÇfarë do të thotë Jubile?

Quhet edhe Vit i shenjtë, sepse nxit shenjtërinë e jetës së besimtarëve. Është viti i faljes së mëkateve dhe i ndëshkimeve për mëkatet, i kthimit dhe i pendesës sakramentale. Për Papën Françesku do të jetë “një mënyrë për ta rizgjuar ndërgjegjen tonë shpesh të fjetur para dramës së varfërisë dhe për të hyrë gjithnjë e më shumë në zemrën e Ungjillit ku të varfërit janë të privilegjuarit e mëshirës hyjnore“.

Cila është motoja e Jubileut?

Në moton e logos, të nxjerrë nga Lk 6,36, “Të mëshirshëm sikurse Ati”, propozohet ta jetojmë Mëshirën sipas shembullit të Atit që kërkon të mos gjykojmë e të mos dënojmë, por të falim dhe të dhurojmë dashuri e falje pa masë (krh. Lk 6,37-38).

 Çfarë është Mëshira?

Mëshira është një prej emrave të Hyjit, një prej cilësive të tij. Mëshirë do të thotë dashuri e dhimbshme, që kujdeset për personin.

Të kemi mëshirë do të thotë të imitojmë Zotin që përkulet mbi varfëritë e njeriut, ta shikojmë tjetrin me zemër të dhimbshme, të gatshme për falje. Papa e përkufizon mëshirën “arkitrau i Kishës”.

Cilat janë shenjat e Jubileut?

Shtegtimi, porta e shenjtë dhe ndjesët.

Çfarë është shtegtimi?

Shtegtimi është një shenjë e veçantë e Vitit të shenjtë sepse është ikonë e ecjes që çdo njeri bën në ekzistencën e vet. Jeta është një shtegtim dhe qenia njerëzore është udhëtare, shtegtare që përshkon një rrugë deri në cakun e dëshiruar“. Pra, shtegtimi është një rrugëtim pendimi dhe përgatitjeje për përtëritjen e brendshme që besimtari bën pas hapave të Jezusit.

Është edhe një itinerar “material”: për të fituar ndjesën jubilare duhet të shkojmë në Romë, në njërën prej bazilikave patriarkale (Shën Pjetër; Shën Gjoni në Lateran; Shenjtja Maria Maxhore; Shën Pali jashtë Mureve) ku duhet të marrim pjesë në Meshë apo në një kremtim liturgjik (lavdet e mëngjesit, mbrëmësore…), ose në një “ushtrim përshpirtërie” (sikurse Udha e Kryqit apo Rruzarja).

Çfarë domethënieje ka Porta e Shenjtë?

Jezusi ka thënë: “Unë jam dera” (Gjn 10,7) për të treguar se askush nuk mund të shkojë te Ati përveçse nëpër të. Jezusi është e vetmja rrugë që çon në shpëtim. Si rrjedhojë, kalimi nëpërmjet Derës së shenjtë kujton kalimin që çdo i krishterë është i thirrur të bëjë prej mëkatit në hir nëpërmjet Krishtit, që i thërret të gjithë të marrin pjesë në frytet e shëlbimit të Zotit dhe të mëshirës së tij.

Papa Françesku ka kujtuar: «Nëpërmjet Portës së Shenjtë do të lejojmë të na përqafojë mëshira e Hyjit dhe do të angazhohemi të jemi të mëshirshëm me të tjerët ashtu sikurse Ati është me ne».

Çfarë është ndjesa?

Është shprehja e dashurisë së butë e të mëshirshme të Hyjit ndaj njeriut mëkatar. Ndjesa është falja e ndëshkimeve të përkohshme për mëkatet tashmë “të falura” prej Hyjit nëpërmjet Rrëfimit. Teologjia katolike mëson se çdo mëkat i yni ka një pasojë të dyfishtë:

  • krijon një faj që falet me zgjidhjen sakramentale në Rrëfim, nëpërmjet të cilit mëkatari vendoset përsëri në gjendjen e hirit dhe në bashkim me Hyjin.
  • sjell një ndëshkim që mbetet përtej zgjidhjes. Njeriu mëkatar, megjithëse i pajtuar me Hyjin, është ende i shënuar prej atyre “mbetjeve” të mëkatit që nuk e bëjnë krejtësisht të hapur ndaj hirit.

Në veçanti, ndëshkimi i përkohshëm mund të kryhet në tokë me lutje dhe pendesa, me vepra bamirësie dhe me pranimin e vuajtjeve të jetës. Për ta shlyer borxhin e ndëshkimit të përkohshëm Kisha u lejon besimtarëve të pagëzuar të marrin ndjesët.

Ndjesa mund të jetë e pjesshme (është vetëm një hap në ecjen e pastrimit) ose plenare, e tërësishme (siç është ajo jubilare), sepse është një hir i jashtëzakonshëm që e shëron krejtësisht njeriun, duke e bërë atë një krijesë të re.

 

Si fitohet ndjesa jubilare?

Ndjesa plenare i jepet me rastin e Jubileut të krishterit që ndjek këto sjellje:

  • Duhet t’i afrohet me zemër të penduar sakramentit të Pendesës.
  • Duhet të bëjë një shtegtim në njërën prej Bazilikave jubilare, në Romë, në Tokën e Shenjtë dhe në Kishat e caktuara në çdo dioqezë. Duke vizituar këto Kisha duhet të marrë pjesë në Meshë, ose në një lutje tjetër: Lavdet e mëngjesit, Mbrëmësorja, Udha e Kryqit, Rruzarja, Adhurimi apo lutja personale të përfunduara me lutjen “Ati ynë”, Dëshmimin e fesë, Lutjen drejtuar Marisë. Lutja duhet thënë sipas qëllimeve të Papës, si dëshmi e bashkimit me të gjithë Kishën.
  • Në radhë të tretë, duhet të angazhohemio në vepra bamirësie dhe pendese që shprehin kthimin e zemrës.

 

                                            Përgatitur nga: Arqidioqeza Shkodër-Pult

Previous MËSHIRA NDAJ VETVETES
Next JUBILEU I MESHIRES - ADMINISTRATURA E JUGUT

Sugjerime