NJE MESI PER NE: Një Krishtlindje tjetër, një mundësi tjetër!

NJE MESI PER NE: Një Krishtlindje tjetër, një mundësi tjetër!

AGUSTIN BARDHI/

Shumë familje kanë vendosur  një pemë të zbukuruar në shtëpi dhe drita shumëngjyrëshe për të treguar se diçka ndryshe po ndodh, po feston, disa të shtyrë nga klima që ndërtohet në vendin ku jetojnë, të tjerë ndoshta sepse besojnë në Zotin e bërë Njeri e si rrjedhoje festojnë Krishtlindjen. Nuk është hera e parë që po e festojmë, tashmë u bënë 2000 vite dhe prapëseprapë është si të ishte takimi i parë i një historie të përjetshme! Edhe ata që nuk kanë fare lidhje me këtë festë, në një mënyrë apo në një tjetër, bëhen pjesëmarrës të këtij gëzimi, sepse është e pamundur t’i kthesh kurrizin një Foshnje…!

Po pse një fëmijë, pse Zoti na vjen në këtë mënyrë? Ne do të na pëlqente më shumë të vinte si një super-mjek, që të kuronte të gjitha sëmundjet që aq shumë na mundojnë…, pse jo si një super-luftëtar, që të luftonte e të fitonte gjithë këto luftëra që kanë mbuluar globin…, do të na pëlqente  më shumë të vinte si një super-ekspert ekonomie, që të zgjidhte të gjithë problemin e krizës…? Pse jo dikush që na i zgjidh problemet me shkop magjik? Shumë njerëz dëshirojnë, e kërkojnë një Zot të tillë! E prapëseprapë Zoti vendos të vijë si Fëmijë. Nuk është aspak e lehtë sot të pranohet një Zot i tillë kur bota të vë përballë situata si vdekja shumë fëmijëve nga vrasësit talebanë, kur shumë njerëz rrëmbehen nga Boko Haram, kur qytete të tëra detyrohen të boshatisen apo t’u pritet koka nga ideologjia djallëzore e ISIS, apo kur për shkak të korrupsionit e padrejtësisë varfërohen e shkatërrohen shumë popuj, si ne rastin tonë të Shqipërisë! E shumë situata tjera që ndodhen në zemrat tona. Atëherë çfarë ka për të na thënë ky Zot-Fëmijë?

Të gjithë e dimë se si përpara një fëmije zemra jonë përjeton një përvojë gëzimi qe s’është e lehtë të shprehet me fjalë. Një fëmijë ka nevojë për kujdes, ka nevojë të shërbehet e të shoqërohet në rritje hap pas hapi. Është Krishtlindja, është festa e mundësive të reja, festa e një “shansi tjetër” që na dhurohet falas, për të rikuperuar atë që kemi humbur, për të bërë paqe aty ky kemi bërë luftë, për të takuar kë kemi braktisur, për të mundësuar jetën ku i kemi çel shteg vdekjes. Është Krishtlindja, momenti ku gjithpushtetësia hyjnore përulet të marrë natyrën njerëzore, kështu Krijuesi gjunjëzohet para krijesës për hir të dashurisë, për t’i thënë se është e mundur, është e mundur të dalësh nga vetja, nga burgu i egocentrizmit, shkurajimit…! Zoti është bërë Njeri për të na zbuluar dashurinë për të  na tërhequr tek vetja, për të na mësuar përvujtërinë e cila na shpëton.

 

Prandaj Zoti vjen ndër ne i barabartë me ne, (përveç mëkatit) për të na bërë sa më të lehtë takimin me të, bashkimin me të. Prandaj vjen krejtësisht i zhveshur, i çarmatosur, i gatshëm për të qenë i pranuar nga çdo njeri. Bëhet fëmijë për të na mësuar të pranojmë pa frikë, tamam si fëmija që iu dhurohet krejtësisht krahëve që e përqafojnë. Për këtë Krishtlindja, është  mundësia e radhës dhe e palimitueshme e dhënë nga Zoti njeriut, për të na zhveshur prej egoizmit tonë, prej ideologjive tona, prej kërrusjes në vetvete që nuk na lejon të shohim shpresën. Bëhet njeri i barabartë me ne për të mos e cenuar aspak lirinë tonë, e krejt të lirë na lë, ta pranojmë ose jo. Prandaj fakti që Zoti na vjen si fëmijë e jo si ndonjë superfuqi që neve do të dëshironim, do të thotë se Zoti është ndryshe ngase e mendojmë ose e projektojmë ne. Dashuria e ka shtyrë Zotin e madh të bëhej i vogël, pra Zoti vjen si Fëmijë për të na dhënë mundësinë të mësoj të jemi, baba, nënë, motër, vëlla. Për të na mësuar të jemi një familje, që nuk i zënë vendin njëri – tjetrit por që plotësojmë njëri – tjetrin. Atëherë mos t’i qëndrojmë indiferent kësaj Foshnje, indiferenca jonë e vret shpresën, e bllokon jetën. Ta lejojmë t‘na ndryshojë butësia e Krishtit fëmijë, t’a lejojmë të gjejë një strehë në zemrën tonë.

Previous HAPJA E VITIT JUBILAR TË MËSHIRËS NË DIOQEZËN E SAPËS
Next MËSHIRA NDAJ VETVETES

Sugjerime