Ardhja: fillimi i një misteri të madh

Ardhja: fillimi i një misteri të madh

 

Nga Kolë Dedaj/

968882_642238622456761_1631453619_nNë shumicën e vendeve, kur fillojnë të bien flokët e para të dëborës, në periudhë dimri fillon një atmosferë krejt e veçante, ajo e Krishtlindjes. Edhe besimtarët e feve të tjera apo ata që nuk besojnë fare, përgatisin një festë dhe mundohen të shndrisin një rreze gëzimi. Në një kohë të ftohtë, një fluks i nxehtë dashurie e kaplon mbarë botën. Një yll drejton këta persona gjatë muajve të dimrit, por për ku i drejton? Çka dëshiron të na zbulojë?[1]

Koha e ardhjes është kohë përgatitore e cila nuk do të kishte kuptim pa fundin e saj, Krishtlindjen. Duhet kuptuar sadopak misteri i mishërimit për të pasur një vizion të duhur për ardhjen. Për këtë Krishtlindja, pas Pashkëve dhe Rrëshajëve, është festa më e madhe. Në Kishën primitive nuk kishte Kohë Ardhjeje. Vetëm në shekullin e V fillon Ardhja të jetë kohë përgatitje për lindjen e Zotit. Ngjyra vjollcë (manushaqe) është karakteristika e saj, që tregon njëkohësisht një realitet mbretëror dhe pendestar[2].

«Birit të amshuar, iu desh të zbriste nga lavdia e tij qiellore në tokë, për shkak të misterit të mbrapshtisë, që kishte mbuluar tokën»[3]. Krishti erdhi për ta shëruar lidhjen e bijësisë që ne e kishim lënduar. E si erdhi?

Krishti lindi në thjeshtësi, në një grazhd, ku nuk kishte erëra të mira kemi, madje kishte të kundërtën e tyre. Lindi që edhe më i fundit i të fundmëve të jetë i shpëtuar prej Tij. Lindi në një familje të varfër që familja të rifitoj dinjitetin e saj. Dëshmitarët e tij të parë ishin barinjtë, njerëz ndër më të thjeshtit, që në këtë thjeshtësi e varfëri të tregohet lavdia e Hyjit. Pastaj edhe mbretërit të drejtuar nga ylli arrijnë në Betlehem për të adhuruar Mbretin e tyre. Nga këtu mund të kuptojmë fjalët e Jezusit kur thotë «në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit» (Mt 18,3). Që të hyjmë në mbretërinë e qiejve, kushti është të bëhemi si fëmijë, pra duhet të përulemi (shih Mt 23,12), madje duhet të lindim nga lart (krh. Gjn 3,7), prej Hyjit (krh. Gjn 1,13) për t’u bërë bijtë e Tij (krh. Gjn 1,12)[4].

Për t’iu përgjigjur pyetjeve të fillimit, ky yll na drejton drejt lindjes së më të thjeshtit e më të përvuajturit e njëkohësisht Mbretit të mbretërve, Krishtit Jezus. Ky është misteri i shkëmbimit të mrekullueshëm[5]: Krishti u bë si ne, që ne në këtë kohë pritjeje e përgatitjeje të ardhjes së tij të mund t’i gjejmë vend në zemrat tona. «Eja, o Zot, Jezus!» (Zb 22,20).

 

 

[1] Krh. Edith Stein, Misteri i Krishtëlindjes, Dritani, Tiranë 2005, fq. 25-47.

[2] Krh. Don Pren Kola, Kremtimi i meshës, shenja, vende dhe ngjyra liturgjike, vëllimi II, Drita, Prizren 2013, fq. 84-90.

[3] Edith Stein, vep. cit., fq. 28.

[4] Catechismo della Chiesa Cattolica (CCC), 525-526.

[5] Liturgjia e orëve, I, Antifona e Mbrëmësores në tetëshen e Krishtëlindjes.

Previous Imzot Rrok Mirdita kthehet ne shtepine e Atit!
Next Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta

Sugjerime