Zoti flet sot, tani dhe këtu! – E DIELA II E ARDHJES

Zoti flet sot, tani dhe këtu! – E DIELA II E ARDHJES

Peregrinus_uneGJERGJ META    /

Zoti flet sot, i flet njeriut tani dhe ketu në historinë e tij. Vetëm me këtë vetëdije mund të themi se historia e njeriut kthehet në një histori shëlbimi dhe hapësira në një vend-takimi midis njeriut dhe Hyjit. Ungjilli i Lukës i kësaj të djele të dytë të Ardhjes, me hapjen e tij solemne, duke na treguar koordinatat historike në të cilat ka predikuar Gjon Pagezuesi, i cili ka paraljmëruar  ardhjen e Jezusit, na jep pikërisht mundësinë të reflektojmë se Zoti që ne besojmë nuk është një Zot abstrakt i largët nga jeta jonë, por ai quhet Emanu-el, Zoti me ne. Kjo afërsi e Hyjit me njeriun në historinë e tij është lajmi i mirë, është ungjilli.

Gjon Pagëzuesi, njëri prej dëshmitarëve të pritjes së Mesisë, atij që duhet të vinte dhe ishte pritur e parathënë prej të gjithë profetëve të Beslidhjes së Vjetër, është një figurë emblematike e kohës së ardhjes e na shoqëron në vetëdijësimin për praninë e Hyjit në të tashmen e botës. Ai e tregon Hyjin në ardhje, por afër. E tregon atë të pranishëm: “Ja (ku është) qengji i Hyjit” (Gjn 1,29).

Por këtë mision Gjoni nuk do të mund ta kryente e nëse Fjala e Hyjit nuk do të zbriste mbi të (Lk 3,2). Protagonist absolut i kësaj historie është Fjala e Hyjit, e cila duke zbritur mbi Gjonin i jep atij zhdërvjelltësinë e gjuhës. Zoti është protagonist i një procesi purifikimi i kumtuar prej Gjonit. “Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembëra le të bëhen të drejta e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshta” (Lk 3,5). Është një veprimtari hyjnore. Vepruesi është Hyji, ai i cili mbush luginat, rrafshon malet e kodrat, drejton udhët e shtrembëra dhe mbush gropat. Hyji ndërhyn në histori, por jo pa lejen e njeriut. Mund të duket e çuditshme kjo gjë, një paradoks, por është kështu. Hyji dëshiron të hyjë e të rrije në historinë e njerëzve dhe me ta, por kurrë pa dëshirën dhe vullnetin e njeriut. Kjo është drama që luhet pikërisht në arenën e historisë. Takimi i dy lirive e i dy vullneteve: Hyjit me njeriun. I pari me dëshirën për të lartësuar nejriun në dinjitetin më të lartë, në pjesmarrjen në jetën hyjnore dhe i dyti në një kërkim të lodhshëm e plot pengesa për shkak të mëkatit të tij dhe egoizmit që vjen nga i keqi. Të presësh Krishtlindjen, ardhjen e Hyjit, do të thotë pikërisht të presësh këtë takim ndërmjet Hyjit dhe Njeriut. Pa këtë takim nuk është i mundur përjetimi i Krishtlindjeve.

Këtij takimi duhet t’i përgatitemi. Sigurisht ka një aspket të jashtëm të kësaj përgatitjeje shumë i rëndësishëm që ndihmon edhe brendinë e nejriut. Kështu ne përveç zbukurimeve të Krishlindjes kemi edhe liturgjitë e ndryshme gjatë kësaj kohe me leximet e Biblës etj. Por asgjë prej këtyre nuk zëvendëson kohën që i duhet kushtuar në heshtje dhe reflektim takimit me Zotin. Dimesioni i shkretëtriës, që ne jo vetëm e pësojmë, por duhet ta krijojmë përreth nesh, na lejon të dëgjojmë zërin e atij që bërtet në shkretëtirë (Lk 3,4). Falë shkretëtirës Gjoni ka mundur të perceptojë se fjala ka zbritur në të dhe i kërkon të shpallë praninë e Hyjit. Ai është profet për këtë, pikërisht sepse ka marrë fjalën e ka pranuar atë e ua shpall njerëzve.

I krishteri është profet sa herë që në heshtjen e zemrës dëgjon Fjalën e Hyjit në të tashmen e historisë së tij e këtë Fjalë e ndan me të gjithë. Ngjarjet e jetës, prania e njerëzve, janë një fjalë e Hyjit për ne. Thjesht duhet t’ia vëmë veshin Hyjit që flet sot, tani e këtu!

Previous Pema e Krishtlindjes, jo e Viti të Ri
Next Imzot Rrok Mirdita ka nevoje per lutjet tona

Sugjerime