A mund të jetojnë bashkë të krishterë e mysliman?

A mund të jetojnë bashkë të krishterë e mysliman?

croce_islam1Nga Mark Pashkja/

Kjo ka qenë një ndër pyetjet e shumta që e shprehur ose jo në mënyrë të hapur, shumë gazetarë, analistë apo dhe njerëz të thjeshtë ngrinin përball zhvillimeve të fundit në Evropë. Kjo tendencë retorike u zhvillua më shumë sidomos pas sulmeve terroriste të Parisit.

A është e mundur një bashkëjetesë që shkon përtej konceptit të tolerancës, që si nocion përmban në vetvete një sjellje të imponuar përball pamundësisë së zgjedhjes së një realiteti apo ambienti tjetër jetësor?

Si një vend jo pak i ekspozuar ndaj “importit” të ideve, mendimeve dhe sjelljeve, shpeshherë i karakterizuar edhe nga mungesa e një aparati kritik të mirëfilltë përjashtim nuk bëri as Shqipëria. Në këtë klimë “importi” që mbizotëronte këtu dhe në një situatë evropiane ku pyetjet dhe gjykimet hidheshin në mënyrë retorike dhe të pafundme, paradoksalisht përgjigja vinte po nga Shqipëria. Por si gjithmonë kur bëhet fjalë për gjëra të çmueshme që mund të nxjerrim nga vetja, të mbytur nga sindroma e inferioritetit nuk “eksportojmë” asgjë.

Në këtë vorbull zhvillimesh, besoj që një eveniment mjaft i rëndësishëm për tu evidentuar dhe për tu propozuar si model dialogu, bashkëjetese dhe diskutimi i shëndoshë jo vetëm për Shqipërinë por edhe më gjerë ishte takimi mes Departamentit të shkencave Islame të Universitetit Bedër dhe Institutit Filozofik-Teologjik Katolik në Shkodër. Për fat të keq jehona që pati ky takim ishte shumë e vogël duke u kufizuar vetëm në dy, tre lajmërime në websitet e institucioneve përkatëse.

Nënvizoj jehonën që duhet të kishte ky takim dhe rëndësinë e madhe të tijen për t’u propozuar si shembull e  model për disa arsye:

Së pari kemi të bëjmë me një takim të nivelit akademik mes profesorëve  dhe studentëve dhe që bazohet në një trajtim racional të pikave dhe dimensioneve që na mundësojnë një bashkëjetesë të sinqertë dhe vëllazërore. Dimensione  të cilat burojnë nga elementet esencialë të religjioneve e që janë larg logjikave të fryra populiste dhe formalizmave që  për fat të keq shpeshherë janë përdorur nga politika për qëllimet e saja.

Së dyti ishte një takim që u zhvillua në vazhdën e shumë takimeve të tjera që përfshijnë Departamentin e Shkencave Islame, Institutin Filozofik-Teologjik Katolik dhe Akademinë Ortodokse. Kjo gjë tregon ekzistencën dhe konsolidimin e një tradite të filluar vite më parë e mbi të gjitha të nisur nga baza dhe që do jetë themeli i një jete në paqe, në vëllazëri dhe solidaritet në Shqipërinë e së nesërmes.

Së treti kemi të bëjmë me takime dhe aktivitete që kanë për protagonistë klerikët, laikët, dhe operatorët social të së ardhmes. Kështu që bëhet fjalë pikërisht për ata që do të jenë e nesërmja e komuniteteve fetare dhe faktorë bazë për marrëdhëniet ndër-shoqërore mes besimeve. Si rrjedhojë edhe individët që në të ardhmen do të reflektojnë dhe përcjellin vlerat origjinale të secilit besim dhe jo qëndrimet e deformuara dhe radikale të tyre

Përcjellja dhe të jetuarit e momenteve të tilla, ku me të vërtetë besimi i tjetrit të pasuron, të bën të arrish në përfundimin dhe të bindesh brenda vetvetes se jo vetëm që bashkëjetesa mes besimeve është absolutisht e mundur por siç na kujtonte Papa Françesku vendi ynë mund të “eksportoj” një model për boten mbarë.

Previous “Rrno për me tregue” del në versionin e saj origjinal në tre vëllime …
Next Pema e Krishtlindjes, jo e Viti të Ri

Sugjerime