Ai vjen, në jetën dhe dhimbjen e çdo dite! –  E DIELA I E ARDHJES

Ai vjen, në jetën dhe dhimbjen e çdo dite! – E DIELA I E ARDHJES

ATTESA 1GJERGJ META   /

Mungesa e shpresës dhe çoroditja janë reagimet e para kur njeriu gjendet përballë situatash si ato të përshkruara në ungjillin e Lukës që Kisha na ofron në këtë të Dielë të parë të Ardhjes. Është fjalimi i Jezusit rreth gjërave që do të ndodhin në fundit e botës, por që i paraprijnë ardhjes së tij të dytë sikurse ai vetë ka premtuar. Nëse përballë këtyre situatave, që në jetën tonë mund të përkthehen edhe me çaste dramtike që një njeri kalon, qoftë në rrafshin personal e qoftë në atë familjar apo shoqërore, istikti njerëzor është ai i frikës, Jezusi na fton në një tjetër lloj sjellje: “drejtohuni dhe çojeni kryetr lart”, sepse “i afërt është çlirimi juaj”. Janë fjalë inkurajimi dhe shprese për vetë faktin se Jezusi, sikurse në të djelën e kaluar na garanton se ai është alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi dhe se pra fjalën e fundit në trajektoren e historisë e ka Zoti e nuk kemi pse të frikësohemi. Mendoj shpesh për sitauata të vështira në jetën e perosnave, të familjeve, ku edhe pse hëna apo yjet janë në vendin e tyre, ka një univers tjetër që çoroditet, që shkundet e pothuajse shkatërrohet dhe ky është universi i jetës njerëzore asaj të përditshmes. A ka një shpresë kur përreth nesh apo edhe brenda nesh gjithçka duket sikur ka marrë fund? Në optikën e besimit po, ka një shpresë. Besimi është dritë, një dritë që i jep kuptim dhe drejtim ekzistencës tonë. Sigurisht nuk mund të kapet ky sens (kuptim dhe drejtim) i asaj çka na ndodh nëse njeriu jeton në cektësi, apo nëse nuk i vë veshin atyre shenjave që na e tregojnë këtë drejtim. Cektësia e jetës që përkthehet në realizmin e çdo dëshire apo egoje që të vjen ndërmend nuk të çon larg, përkundrazi ka aftësinë të të tërheqë në disa shtigje pa shteg kërkund, sepse përgjumin dhe rëndojnë dinamizmin e jetës (dynamis) që në terma konkeretë do të thotë se jeta shkon drejt një realizimi, një përmbushjeje (telos) dhe një plotësie (pleroma). Të shikosh me sytë e besmit do të thotë të heqësh perden që pengon takimin tonë me një përmasë të përtejme të jetës. Kjo perde e redukton jetën vetëm në të këtushmen, në atë çka unë përjetoj këtu dhe tani, por duke e mbyllur ndaj një realiteti që më tejkalon dhe më mbush, duke i dhënë kështu kuptim jetës time dhe të atyre që më janë përreth.

Çfarë mund të bëj unë që jeta ime të marrë një kuptim apo edhe ajo e të tjerëve të marrë një kuptim në mes të gjërave të tmerrshme që shpesh terrorizojnë jetën tonë, sikurse një dështim në jetë, humbja e një apo shumë personave të dashur, luftërat që sot po plagosin botën tonë, terrorizimi që na friëkëson aq shumë etj? Janë dy sjelljet që na kërkohen dhe që janë sipas mendimit tim dy rrugë që i japim frymëmarrjes jetës tonë.

E para janë fjalët në Ungjillin e  Lukës: “rrini zgjuar dhe lutuni”. Dy fjalë në mënyrën urdhërore koha e tashme që na ftojnë për një dimension soditës të jetës dhe të përditshmërisë tonë. Të rrish zgjuar do të thotë t’i ikësh me urrjetje asaj plogështie vrastare që shpesh mundon jetët tona. Një plogështi që nuk na hap dritën, na merr frymën e na bën të mos shijojmë asgjë, por të jetojmë në ankth, në pasiguri e në friukë, që na bën të mos vlerësojmë vetveten dhe ata që na rrethojnë. Folja tjetër “lutuni” na fton për një dialog intim me Hyjin. Lutja është pikërisht ky bashkëbisedim ndërmjet nesh dhe Hyjit. Në këtë heshtje dhe kundrim të misterit të Hyjit unë zbërthej misterin e vetvetes dhe të botës. Në takim me Hyjin që botën e ka krijuar dhe e do, do të gjej e do të dalloj krejt bukurinë e botës dhe do të kem një vështrim pozitiv mbi të dhe mbi veten time. Historia ime do të ketë një kuptim.

E dyta është sjellja që na fton shën Pali në letrën drejtuar Selanikasve (leximi II): “bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve...”. Në momentet e vështira shumë njerëz, përfshi edhe ne vetë nuk kemi dëshirë që dikush të na flasë apo të na bëjë moral duke na treguar se si duhet të veprojmë, por të gjithë e dimë se në ato momente kemi nevojë për një prani që na don dhe na kupton, për një përqafim e një buzëqeshje. Vetëm kështu është e mundur të shohim se nuk jemi vetëm dhe se sëbashku mund të vihemi në pritje.

Të presësh Jezusin që do të vijë në fundin e kohërave do të thotë ta presësh atë në jetën e çdo dite sidomos kur ai kalon dhe vjen në jetën e njerëzve afër nesh. Nuk do të jemi gati për gjykimin e Hyjit në fundin e kohërave, nëse nuk i bëhemi gati atij çdo ditë kur vjen në jetën e botës.

Previous A JE TI MBRET?
Next Zoti zbret në ferr

Sugjerime

Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore