A JE TI MBRET?

A JE TI MBRET?

krishti mbretGJERGJ META      /

Koncepti i pushtetit, i mishëruar nga figura e Jezusit, në dialogun e tij me Pilatin në Ungjillin e  Gjonit (Gjn 18,28-40) përmbys modelet me të cilat ishte mësuar ky i fundit, por edhe realiteti përreth Jezusit, duke filluar me vetë dishepujt e tij. Sigurisht për ta shpejguar e bërë të qartë se si Jezusi e mendonte pushtetin i’u ka dashur më së pari “të lodhej” me dishepujt e tij. Kujtojmë fjala vjen episodin e bijve të Zebedut që kërkonin poste në mbretërinë e ardhshme të Jezusit “bëj që të ulemi njëri në të djathtë e tjetri në të majtën tënde” (Mk 10,37). Modelin e  tij të mbretërimit gjithsesi Jezusi do ta tregojë jo më me fjalë, por me jetën e tij, kur në kryq njëri prej “cubave” të kryqëzuar bashkë me të do t’i kërkojë Jezusit të hyjë në Mbretërinë e tij, duke kapur kështu thelbin e logjikës që ka mbretërimi i Jezusit. Të shohim paksa dialogun me Pilatin që na ofron e diela e Krishtit Mbret.

Në dialogun me Pilatin, Jezusi, pyetjes: “A je ti mbret i Judenjve?” (Gjn 18,33) i përgjigjet: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote” (Gjn 18,36) duke përdorur kësisoj parafjalën “ek” nga greqishtja që shumë mirë mund ta përkthejmë edhe “mbretëria ime nuk është prej kësaj bote”. Pra jo vetëm që nuk i përket kësaj bote, por as nuk e ka zanafillën dhe nuk e merr autoritetin prej kësaj bote. Është shumë e qartë atëherë se pushteti i Jezusit, fuqia e tij nuk i vjen atij nga bota, nga realiteti i këtushëm, por e gjithë jeta e tij, veprimtaria dhe misioni i tij vjen nga lart. Dhe mbretëria e tij është mbretëria e të vërtetës pasi ai ka ardhur për të dëshmuar të vërtetën (Gjn 18,37). Kjo ka një lidhje të drejtëpërdrejtë me nxënësit e tij, sepse edhe nxënësit e tij “nuk janë prej kësaj bote” (Gjn 17,14). Bashkësia e Jezusit atëherë është një bashkësi e cila edhe pse jeton në botë, nuk i përket kësaj bote, por jeta e saj dhe e çdo individi ka një parim jetësor që vjen nga lart. Jezusi është mbret i atyre që jetojnë të vërtetën duke kundërshtuar kështu një botë të gënjeshtërt, një jetë të pavërtetë “mbret” i të cilës është “princi i kësaj bote” (14,30), princi i gënjeshtrës. Vetë Jezusi ka jetuar jetën e tij, qysh kur filloi misionin e tij në shkretëtirë, duke i çjerrë maskën gënjeshtrës dhe “princit të saj”, i cili për të mbijetuar mbulohet madje edhe me të mirën, madje edhe duke cituar Shkrimin e Shenjtë (Mt 4,1-11). Atëherë të jesh pjesë e kësaj mbretërie do të thotë të jesh shërbëtor i së vërtetës.

Më vjen të them se Kisha është ajo bashkësi e dishepujtve të Jezusit e cila “nuk është prej kësaj bote”, por që ama jeton në botë. Kjo do të thotë se pranimi i sovranitetit të Hyjit në jetën e saj është kusht themelor që ajo të kryejë misionin e saj i cili është misioni i të vërtetës. Të pranosh sovranitetin e Hyjit, mbretërimin e Krishtit, do të thotë sipas logjikës së Ungjillit të Gjonit të jesh gati për martirizimin (dëshmi dhe martirizim janë e njëjta gjë). Dishepujt e Jezusit, pikërisht pse nuk janë prej kësaj bote, nuk janë të thirrur të jenë ushtarë për të mbrojtur Jezusin (Gjn 18,36), por përçues të dashurisë së tij në botë. Nuk jemi ne që i japim autoritet Krishtit, por anasjelltas. Në disa raste Papa Françesku ka tërhequr vëmendjen për mondanitetin e Kishës. Kjo është diçka më shumës e sa një shpirt varfërie e distancimi nga kotësitë. Është vetëdija e çdo dishepulli të Jezusit dhe e gjithë Kishës se është këtu për të shërbyer e jo për të qenë shërbyer. Akoma më shumë është vetëdija e thellë se historia ka një trajektore të tillë që fillimi dhe mbarimi, alfa dhe omega, është Krishti dhe aspak ajo.  Kur reflektoj shpesh për rolin e të krishterëve në këtë botë më bien ndërmend fjalët e Jezusit në Ungjillin e Mateut: ju jeni kripa e tokës,… ju jeni drita e botës,” (Mt 5,13.14). Të krishterët mund të jenë edhe pak, sikurse jemi ne në këtë realitetin tonë shqiptar, por mund të jenë dritë dhe kripë aty ku janë. Në të dyja rastet mund të jenë të padukshëm, por bëjnë të dukshëm realitetin dhe i japin atij shije, shijen e Hyjit.

E Diela e Krishtit Mbret në fund të vitit liturgjik na çon drejt realitetit të fundëm, fundit të historisë kur Krishti do të jetë gjithçka në të gjithë.

Previous MISERICORDIAE VULTUS - Teksti i plote i Bulles se Papa Françeskut per Jubileun e Jashtezakonshem te meshires
Next Ai vjen, në jetën dhe dhimbjen e çdo dite! - E DIELA I E ARDHJES

Sugjerime