ARDHJA / 2 – Si ta jetojmë ardhjen në jetën e çdo dite?

ARDHJA / 2 – Si ta jetojmë ardhjen në jetën e çdo dite?

ardhja 2PEREGRINUS    /

Vegimet e mëdhaja, kumtimet e vazhdueshme dhe shembujt e mësuesve të mëdhenj e modeleve të ardhjes (Isaia, Gjon Pagezuesi, Maria, Jozefi) na çojnë drejt faktit që ne nuk mund të presim diçka tjetër përpos Krishtit, ta pranojmë me besim të plotë sapo ai të trokasë në derën tonë, të kemi ato sjellje që përgatisin ardhjen e tij. Duke ndjekur liturgjinë e Fjalës mund ta sintetizojmë në këtë mënyrë:

  • Të rrimë zgjuar në besim, në lutje, në një hapje të vëmendshme dhe të gatshme për të dalluar “shenjat” e ardhjes së Zotit në të gjitha rrethanat dhe momentet e jetës në fundin e kohërave.
  • Të ecim në rrugën e hapur nga Hyji, të lëmë rrugët e shtrembëra; “të kthehemi” për të ndjekur Jezusin drejt Mbretërisë së Atit.
  • Të dëshmojmë gëzimin që na sjell Jezusi shpëtimtar, me dashuri plot ëmbëlsi dhe durim ndaj të tjerëve, të hapur ndaj çdo nisme për të mirën, nëpërmjet të cilave ndërtohet Mbretëria e ardhshme në gëzimin e pafund.
  • Të kemi një zemër të varfër dhe të zbrazur nga egiozmi, duke i përngjarë Jozefit, Marisë, Gjon Pagëzuseit, të varfërve të tjerë të Ungjillit, të cilët pikërisht falë kësaj gjëje kanë ditur të dallojnë në Jezusin Birin e Hyjit i ardhur për të shëlbuar njerëzit.
  • Të marrësh pjesë në kremtimin eukaristik në këtë kohë ardhjeje do të thotë të pranosh Zotin që vazhdimisht vjen në mesin tonë, ta ndjekësh në rrugën që çon drejt Atit; derisa me ardhjen e tij të lavdishme në fundin e kohërave ai të na shtijë të gjithëve bashkë në Mbretërinë e tij, për të na bërë pjesë të jetës së amshuar me të lumët dhe shenjtërit e qiellit.

Duke jetuar kështu ne të krishterët kryejmë një rol profetik kundërshtimi ndaj një bote të përgjumur që rrezikon të humbasë shpirtin e saj, dhe dëshmojmë gëzimin e thellë dhe besimin e sigurtë të ardhjes së një bote më të mirë nëpërmjet ardhjes së vazhdueshme të Krishtit.

Previous ARDHJA /1 - Koha e ardhjes, koha e pritjes - Viti C
Next ARDHJA /3 - Si të përgatisim familjet për Krishtlindje?

Sugjerime