Mesha u krye, jetoni të lirë!

Mesha u krye, jetoni të lirë!

Peregrinus_uneGJERGJ META   /

Historiografia shqiptare, për sa herë të vijë 4 nëntori, nuk mund të mos kujtojë vitin 1990, kur në Varret e Rrmajit në Shkodër, Dom Simon Jubani kremtoi Meshën e shenjtë në publik, pikërisht 23 vjet pas ndalimit kushtetues të religjionit në Shqipëri, pra nga 6 shkurti i vititi 1967. Nuk e di nëse në ndonjë skutë të shërbimeve sekrete shqiptare ka ndonjë video të asaj dite, sikurse p.sh. janë pamjet e një jave më vonë më 11 nëntor, por mund të imagjinoj sigurisht “frikën” dhe gjithë ankthin e Dom Simonit dhe të atyre që moren pjesë në atë sipërmarrje gjigande. Të gjithë ata që e kanë njohur e përshkruajnë një trim të paepur dom Simonin, njeri që nuk trembej e nuk luante nga vendimet e tij në të mirë apo në të keq. Nuk them se kjo e bënte atë më pak apo më shumë të virtytshëm, por sigurisht që kjo pjesë e karakterit të tij i dha atij mundësinë që të hynte në Panteonin e etërve të lirisë së shqiptarëve. Unë nuk dua të flas këtu për dom Simonin. Historia le të flasë për të. Unë thjesht i dedikoj krejt admirimin tim njerëzor atij e shumë sivllezërve të tij meshtarë katolikë që janë për ne më të rinjtë, e do të jenë për brezat e ardhshëm, modele të qëndresës së paepur kundër njërës prej diktaturave më të egra të shekullit XX.

25 vjet nga mesha e parë kanë nevojë sigurisht që, përveç kremtimit, të karakterizohen edhe nga një lloj bilanci që prek jo vetëm çështjet fetare, por edhe ato shoqërore në vendin tonë. E kam cilësuar më herët atë moment si cicërima e një dallëndysheje që lajmëronte fillimin e pranverës, ose më mirë jepte sinjalin e parë të daljes nga dimri i gjatë i diktaturës komuniste. Përtej këtij shëmbëllimi ndoshta paksa romantik, liria e religjionit është ndër liritë themelore të njeriut, sepse ka të bëjë me intimitetin, me brendinë e ndërgjegjes së tij. Si është sot Shqipëria për sa i përket lirisë religjioze? A është e lirë feja nga shteti? Po shteti nga feja? A po përjeton vërtet religjioni një liri në ato përmasa që kërkohen? Janë pyetje që do të kërkonin kohë dhe më shumë rreshta se sa një artikull gazete për t’u përgjigjur. Gjeopolitika aktuale po rikthen dukshëm në publik çështjen fetare. Është një realitet që rëndom në shumë vende, majde edhe demokratike, përdoret si instrument për pushtet. Por ka edhe një dimension tjetër themelor që është ai i besimit si një realitet i përtejmë, nevojë e brendshme e njeriut, realitet që na lidh me Zotin dhe i hap jetës tonë damarët e shpresës për një jetë më kuptimplotë personale dhe më të paqtë e të harmonishme shoqërore.

Nuk mundet askush të mohojë se liria fetare në këto vite në Shqipëri ka njohur hapa të rëndësishëm në afirmimn e saj. Është një pasuri e madhe e vendit tonë kjo liri dhe, qoftë në kuadrin legjislativ e qoftë në marrëdhëniet me shtetin, duhet thënë se është një moment fatlum që po kalojmë në postkomunizëm.  Sa i përket lirisë personale të ushtrimit ajo është puthuajse e pacënueshme. Por jo vetëm kaq, janë edhe dy vlera të rëndësishme sikurse ajo e dialogut ndërfetar dhe e bashkëpunimit ndërinstitucional. Po ashtu objektet e kultit, shkollat e drejtuara nga entet fetare, fakultetet e teologjisë, kanë shënuar në hap të rëndësishëm në rritjen dhe promovimin e vlerave religjioze në Shqipëri.

Për Kishën katolike në këto vite qysh nga ajo ditë e më pas janë shënuar momente të rëndësishme sikurse ka qenë vizita e Gjon Palit II, rithemelimi i hierarkisë kishtare, hapja e shkollave katolike nëntëvjeçare dhe të mesme, ndërtimi i Kishave, madje edhe i një Universiteti katolik.

Por unë mendoj se ka ende për të bërë shumë. Nuk e kam fjalën vetëm në kthimin e pronave si një çështje ende pezull, e cila është në rrugë zgjidhjeje. Madje unë për veten time e kam thënë se sa më shumë Kisha të jetë e shkëptur nga astetet pasurore aq më mirë kryen misionin e saj edhe pse këto janë të nevojshme. Ajo që mua më duket problematike në këto vite është një lloj përgjumje e religjioneve e them edhe e Kishës, përveçse në disa raste, sa i përket pozicionimit të saj në jetën sociale. Akuza e padrejtësive sociale dhe ekonomike, sidomos ndaj më të pambrojturve, është rruga e profecisë për Kishën. Kisha nuk është ajo që mban njerëzit urtë e butë si të ishte një opium. Kisha është bashkësia e njerëzve që janë të hapur ndaj Zotit dhe vëllezër me njëri-tjetrin dhe me gjithë njerëzimin. Dimensioni shoqëror dhe ai vertikal -hyjnor nuk mund të shkëputen nga njëri-tjetri. Por që kjo të ndodhë religjionet, dhe njerëzit e Kishës si në rastin tim, duhet të ndërtojnë atë liri të brendshme që i bën të aftë të mos kushtëzohen nga asgjë e askush në detyrën e tyre. Prandaj, larg privilegjeve dhe “shërbimeve” dhe sa më afër atyre që janë në nevojë. Më duket se Papa Françesku në këtë prizëm është shumë largpamës. Një Kishë e varfër për të varfërit.

Më duket urgjent edukimi me lirinë si një nga shtyllat e rritjes së njeriut sidomos i të rinjëve. Nga një liri e brendshme është e mundur të shijohet e të ndërtohet një liri e jashtme e cila ndërton më pas një shoqëri të shëndoshë. Kisha është dishepulle e mësuesit të saj që thotë: “Do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”, pa komplekse e pa nevojën e kompromiseve. Më duket se ky është mësimi i madh i Dom Simonit, i asaj Kishe që doli nga katakombet e një regjimi absurd, për Kishën e sotshme që gëzon lirinë dhe më shumë mundësi se atëherë.

 

Previous Fenë nuk ua solla unë por e gjeta në mesin tuaj
Next Botimet Albanologjike Françeskane

Sugjerime