Sot kremtojmë vullnetin suprem të Hyjit për të rimarrë atë që është e tija

Sot kremtojmë vullnetin suprem të Hyjit për të rimarrë atë që është e tija

massafraANGELO MASSAFRA OFM / Arqipeshkev i Shkoder-Pultit     /

Hirësi Shumë e Nderuar, Kardinal Salvatore De Giorgi, që e doni Shqipërinë dhe keni dashur të jeni i pranishëm këtu sot: për ardhjen tuaj në Shkodër dhe sepse na keni sjellë bekimin e Papës Françesku ju falënderojmë me gjithë zemër;

Shkëlqësia e Juaj, Nunci Apostolik dhe ju Bashkëvëllezër në Episkopatin e kësaj toke, i cili qe rithemeluar nga kujdesi atëror i shën Gjon Palit II në përfundim të ngjarjeve të trishtuara të diktaturës komuniste;

Meshtarë dhe të kushtuar Zotit, bij të këtij populli dhe ju misionarë dhe misionare,

Autoritete Fetare që na nderoni me praninë tuaj me shpirt bashkëndarjeje të gëzimit tonë;

Zotëri Kryeministër, Zonja Kryetare Bashkisë së Shkodrës, Zonja Ministre e Kulturës dhe të gjitha ju Autoritete që na keni ndihmuar ta bëjmë solemne këtë ditë nëpërmjet ndërhyrjeve domethënëse siç janë restaurimi i rrethimit dhe i Kapelës që pas pak minutash do ta bekojmë dhe për të cilat ju falënderojmë që tani;

Vëllezër e Motra, shumë prej të cilëve keni qenë të pranishëm në Meshët e Shenjta të 4 dhe 11 nëntorit 1990:

 

Qoftë bekuar Zoti që s’na dha kafshatë për dhëmbët e tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku prej gracke të gjuetarëve:

laku u këput e ne shpëtuam!

Ndihma jonë është në Emër të Zotit, që krijoi qiellin e tokën”. (Ps 124)

 

Dëshiroj t’ju drejtoj përshëndetjen time më të sinqertë me fjalët e Psalmit 124 që, mendoj, e shprehin shumë mirë kuptimin e pranisë sonë këtu sot.

Në të vërtetë, po kremtojmë ringjalljen e këtij populli që ndodhi 25 vjet më parë, pas një periudhe të gjatë në të cilën të gjitha liritë dhe, sidomos, liria e shprehjes së fesë ishin ndaluar dhe, në këtë menyrë, ishte shkelur dinjiteti i popullit shqiptar. Një dinjitet që, megjithatë, nuk ka humbur kurrë!

Fe e Atdhe kanë qenë për popullin tonë dhe për Martirët e tij një binom i pandashëm; aq sa kur është përpjekur të nënvizohet dhunshëm vetëm në Atdheun, duke keqpërdorur emrin e “popullit”, ka ndodhur ajo që dihet tashmë nga të gjithë dhe efektet e së cilës i shohim edhe sot, 25 vite më vonë.

Ati i Shenjtë Françesku i ka treguar gjithë botës Shqipërinë si shembull të dialogut ndërfetar të hapur ndaj bashkëjetesës së qetë; dhe është e vërtetë! Por a do të ishim me të vërtetë të aftë për këto virtyte nëse në ne do të mungonte koncepti “i vërtetë” i “shqiptarisë”?

Pikërisht ky perceptim na bën të jemi të aftë të kapërcejmë konfliktet; me anën e tij  u kemi bërë ballë stuhive të historisë; me anë të tij sot mund ta quajmë veten një popull që ecën drejt një të ardhmeje plot me shpresë. Por çfarë është “shqiptaria” nëse jo ky gërshetim i mrekullueshëm mes Fesë në një Hyj të vetëm dhe përkatësisë në një Atdhe të kushtuar Atij?

Po, 25 vjet më parë, po këtë datë, më 4 nëntor 1990, u kremtua riti i parë publik liturgjik pas shkurtit të vitit 1967, kur u ndaluan fetë. Guximi i Dom Simon Jubani, past dritë, me disa meshtarë dhe guximi i disa besimtarëve kanë bërë që feja të fillojë të shfaqet përsëri haptas, duke hedhur themelet për ngjarjen e madhe të fesë së 11 nëntorit të po atij viti, kur prania e popullit në këto varreza u bë e papërmbajtshme, por edhe për 16 nëntorin, kur vëllezërit myslimanë e morën përsëri Xhaminë e Plumbit, simbol të fesë së tyre po ashtu të ndaluar nga totalitarizmi komunist ateist.

Si atë ditë, në menyrë të dukëshme rishfaqej feja, e po bashkë me të rilindi edhe Atdheu, i zhveshur deri në atë moment prej  karakteristikës së vet kryesore, asaj të përkatësisë në Hyjin, për t’iu nënshtruar “hyjnive” të tjera, atyre të komunizmit personal të improvizuar herë sipas sistemit ateist ballkanik, rus e në fund kinez.

Kështu pra, sot po kremtojmë guximin e këtij populli për ta ripërvetësuar identitetin dhe dinjitetin e vet, por më lejoni të shpreh edhe një bindje timen personale: sot, sidomos, kremtojmë vullnetin suprem të Hyjit për të rimarrë atë që është e tija, këtë popull pasi edhe ky i përket.

Njëmend Zoti ia pat fshehur fytyrën e vet për pak kohë popullit tonë, por pastaj ka dashur edhe një herë të na dëftohet në mëshirën e vet si Hyj-Paqe.

Prandaj me të drejtë, me fjalët e Psalmit mund të përsërisim ende edhe sot:

 

Qoftë bekuar Zoti që s’na dha kafshatë për dhëmbët e tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku prej gracke të gjuetarëve:

laku u këput e ne shpëtuam!

Ndihma jonë është në Emër të Zotit, që krijoi qiellin e tokën”.

 

Atij i qoftë nderi, lavdia dhe falënderimi, sot e në amshim. Amen.

 

Previous Don Gianfranco Cadenelli, 13 vite misionar i Krishtit në Shqipëri
Next Prej Eukaristisë na vjen forca për të kapërcyer dobësitë e brendshme dhe kundërshtitë e jashtme*

Sugjerime