Prej Eukaristisë na vjen forca për të kapërcyer dobësitë e brendshme dhe kundërshtitë e jashtme*

Prej Eukaristisë na vjen forca për të kapërcyer dobësitë e brendshme dhe kundërshtitë e jashtme*

Kardinal de GiorgiSALVATORE CARD. DE GIORGI / Arqipeshkev i merituar i Palermos    /

Në dritën e Fjalës së Hyjit që dëgjuam, po rijetojmë në këtë varrezë një prej ngjarjeve më tragjike të historisë së vonë të Kishës suaj, e shtypur prej përndjekjes komuniste, por që sot gëzon për restaurimin dhe bekimin e kishëzës, dëshmitare e dhunave të egra të përndjekësve dhe e fesë heroike të etërve tuaj.

Kjo varrezë ishte profanuar prej mizorisë çnjerëzore të të patenzonëve me vrasjen e meshtarëve dhe laikëve në mars të vitit 1946 të pushkatuar jashtë murit.

Nga viti 1967 është ndaluar çdo shprehje publike e fesë prandaj nuk u kremtua më asnjë Meshë publike. Por më 4 nëntor 1990 u kremtua Mesha e Parë, shprehje e guximit baritor të meshtarit Dom Simon Jubani dhe e nismës së atyre besimtarëve që e kishin thirrur për atë qëllim.

Me emocion dhe me gëzim në këtë kremtim eukaristik, 25 vjet më vonë, po kremtojmë dhe po rijetojmë atë Meshë të parë si shenjë e ringjalljes dhe e shpresës, e shprehur në mënyrë të shkëlqyeshme prej logos së zgjedhur për këto kremtime jubilare: pema e jetës, çinari i varrezës, afër të cilit janë pushkatuar një numër i madh martirësh të njohur dhe të panjohur me thirrjen “Rroftë Krishti Mbret”. Ai kujton rrënjët tuaja të hershme të krishtera të mbjellura prej Apostujve mbi brazdën e paganizmit, kujton të kaluarën e vuajtjeve tuaja të jetuara duke shpresuar në Zotin e vuajtur e të lartësuar, tregon të tashmen e lirisë së rigjetur, të destinuar të rritet në fenë dhe në shpresën që nuk zhgënjen. Kjo shpresë ka një emër: Krishti i vdekur dhe i ringjallur, në shenjën e Kryqit të lavdishëm, me të cilin e ka mposhtur botën.

Po e rijetojmë atë ngjarje me ndjenjat e fesë, të emocionit dhe të gëzimit të popullit hebre të kthyer në atdhe pas mërgimit në Babiloni, që e ndoqëm në leximin e parë.

Është gëzimi i njësisë së rigjetur në fenë e Hyjit të etërve që i ka liruar, dhe në zbatimin e Ligjit të tij, e vetmja dritë për rindërtimin që dukej i vështirë, nëse jo i pamundur.

Prifti Esdra u urdhëron priftërinjve ta lexojnë dhe ta komentojnë me pjesë gjatë gjithë mëngjesit, mes vëmendjes së devotshme e të prekur të popullit: një gëzim i madh që shpërthen në nxitjen drithëruese të Esdrës dhe të qeveritarit Nehemia: “Kjo është dita që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj”.

Është ajo që na përsërit Zoti ne çdo të diel, ditën e kushtuar atij, në të cilën na fton dhe na pret si bij në Shtëpinë e vet për të na dhuruar gëzimin e vet me dritën e Fjalës së vet dhe me forcën e Bukës Eukaristike, të Trupit e të Gjakut të Birit të vet.

Të mos e lëmë pa përgjigje ftesën e tij: kështu do ta privonim veten prej dhuratës së madhe të dashurisë së tij duke dizertuar Meshën e së Dielës.

Përgjigjja jonë le të jetë e hareshme, e gëzueshme, e vetvetishme, si ajo e izraelitëve kur u kthyen prej mërgimit në këngën që dëgjuam dhe përsëritëm në psalmin përgjegjës: “Seç u gëzova kur më thanë eja të shkojmë në shtëpinë e Zotit… për të lëvduar emrin e Zotit”, burim i paqes, i njësisë, i sigurisë dhe i çdo të mire.

Të marrim pjesë në Meshën e së dielës nuk është thjesht detyrë, është një nevojë pa të cilën nuk mund të bëjmë nëse duam të jetojmë si të krishterë.

Në përndjekjet e para të Kishës, si edhe në tuajën, ka pasur prej atyre që kanë parapëlqyer martirizimin për të mos munguar në takimin e së dielës me Zotin: Mesha kremtohej fshehurazi dhe në burg madje me pak bukë e verë. Çfarë mrekullie! Edhe sot në shumë anë të botës ka të krishterë që marrin pjesë në Meshë megjithëse e dinë se rrezikojnë jetën për arsye të atentateve të paparashikueshme në kishat e tyre. Sa dëshmi e bukur feje! Dhe është domethënës fakti se në këto ditë po zhvillohet në Tiranë një Kuvend për të krishterë të përndjekur, që ne i kujtojmë në mënyrë të veçantë në këtë Meshë, duke mos e harruar të kaluarën tuaj.

Në të vërtetë, prej Eukaristisë na vjen forca për të kapërcyer dobësitë e brendshme dhe kundërshtitë e jashtme që Shën Pali i ka ndeshur në ushtrimin e shërbesës së tij apostolike, siç na ka kujtuar në leximin e dytë.

I takojmë ato, në fakt, edhe ne në misionin që Zoti ua ka besuar pa dallim të gjithë të krishterëve me Pagëzimin: atë që të shpallim e të dëshmojmë shkëlqimin e lavdishëm të Ungjillit të Krishtit, kudo dhe gjithmonë, në shtëpi, në rrugë, në vendin e punës, në shkollë dhe në fushën politike; pa frikë, pa turp, pa u shkurajuar, me gëzim, me guxim, me entuziazëm, të bindur sikurse Sh. Pali, se jemi gjithmonë të ndihmuar prej fuqisë së jashtëzakonshme të Hyjit prandaj mund të jemi të munduar por jo të shtypur, të tronditur por jo të dëshpëruar, të përndjekur por jo të braktisur, të goditur por jo të vrarë, ashtu si shumë të mbijetuar në mesin tuaj.

Për të qenë në gjendje të shpallim Ungjillin duhet ta njohim atë, sepse vetëm duke njohur Ungjillin njohim Jezusin. E si? Nëpërmjet leximit të tij të përditshëm, sikurse nuk lodhet duke porositur Papa Françesku. Besoj se të gjithë në shtëpi keni Biblën apo të paktën katër librat e Ungjillit. Nëse nuk i keni, kërkojani famullitarëve tuaj. Gjeni çdo ditë të paktën pesë minuta kohë për të lexuar një pjesë të tij, mundësisht në familje. Ju siguroj se me të vërtetë hyn drita e Krishtit në familjet tuaja dhe në zemrat tuaja, duke dhuruar gëzim, harmoni, kthjelltësi e paqe.

Pastaj, për ta shpallur në mënyrë të besueshme Ungjillin duhet të jetojmë sipas Ungjillit, ta mishërojmë atë, ta bëjë të shkëlqejë në jetën tonë, në sjelljet tona, në zgjedhjet tona, në mënyrë që, siç ka saktësuar Shën Pali, jeta e Jezusit të dëftohet në trupin tonë të vdekshëm.

Dëshmia supreme e Ungjillit është martirizimi, dhe Kisha juaj është skuqur prej gjakut të martirëve që kanë parapëlqyer të humbin jetën tokësore për të mos humbur atë të qiellit.

Ata besonin fort në jetën e pasosur, në ringjalljen përfundimtare, sepse, siç dëgjuam në Ungjill, Jezusi është ringjallur, është ringjallur me të vërtetë dhe prandaj na ka dhënë garancinë se edhe ne do të ringjallemi.

Ne sot duam ta përtërijmë pa ngurrim fenë tonë në ringjalljen dhe në jetën e pasosur, siç pohojmë në Besojmë dhe siç kemi kujtuar para pak ditësh në Përkujtimin e të vdekurve.

Kjo varrezë, që do të thotë fjetore dhe në pritje të ringjalljes ruan mbetjet e vdekshme të të dashurve tuaj, sidomos të atyre të vrarë për besnikëri ndaj Ungjillit, sikurse Shërbëtori i Hyjit Gjon Gazulli, i varur, varrin e të cilit ju e quani “varri i Shenjtit”, na kujton se vdekja nuk është fundi i jetës, por fillimi i jetës pa fund.

Eukaristia është garancia dhe hershii i saj. Këtë donte të shprehte dom Simoni njëzet e pesë vjet më parë duke kremtuar në këtë vend, në qiell të hapur e publikisht Meshën e Shenjtë, duke sfiduar ndalesat dhe zemërimin e përndjekësve e duke rizgjuar guximin e të ndrojturve për të marrë pjesë me fenë e martirëve, sidomos të 38 Shërbëtorëve të Hyjit, për të cilët presim me besim lumturimin.

Këtë pret prej jush Jezusi me Nënën e vet Marinë! Në këtë ju nxit Arqipeshkvi juaj. Këtë jua porosit nëpërmjet zërit tim Papa Françesku, që me rastin e vizitës së vitit të kaluar ju drejtoi fjalë që jehojnë gjithmonë aktuale për ecjen tuaj të fesë: “Shkoj shpirtërisht te ai mur i varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve ku kryheshin pushkatimet, dhe me ngashërim vendos lulen e lutjes dhe të kujtimit mirënjohës e të përhershëm. Zoti ka qenë pranë jush, shumë të dashur vëllezër e motra, për t’u përkrahur; Ai ju ka drejtuar e ngushëlluar dhe së fundi ju ka ngritur mbi krahët e shqiponjës sikurse një ditë bëri me popullin e lashtë të Izraelit, siç dëgjuam në leximin e parë. Shqiponja, e paraqitur në flamurin e Vendit tuaj, ju thirrtë në ndjenjën e shpresës, që ta vendosni gjithmonë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen por është gjithmonë pranë nesh, sidomos në momentet e vështira”.

Dhe ky është edhe urimi im që, me dashuri dhe admirim, e vë në altarin e flisë eukaristike.

 

*Homelia e Kardinalit Salvatore De Giorgi, Arqipeshkëv i merituar i Palermos ne Shkodër me 4 nëntor 2015 ne Kremtimin Eukaristik në 25-vjetorin e Meshës së Parë pas rënies së Komunizmit dhe Bekimi i Kapelës së Varrezave

Previous Sot kremtojmë vullnetin suprem të Hyjit për të rimarrë atë që është e tija
Next Fenë nuk ua solla unë por e gjeta në mesin tuaj

Sugjerime