Motër Mimoza Paluca: Unë vajzë e vetme, murgeshë dhë nënë.

Motër Mimoza Paluca: Unë vajzë e vetme, murgeshë dhë nënë.

moter mimozaMotër Mimoza Paluca është anëtare e Institutit të Motrave saleziane, Bijat e Marisë Ndihmëtare të Maria Mazzarello-s që jetojnë e ushtrojnë karizmën e tyre në të gjithë botën. Në Shqipëri ato gjenden në Tiranë, Lezhë dhe Shkodër. Dje me datë 25 tetor 2015 Motra Mimoza ka bërë kushtet e përjetshme (betimin e përjetshëm) në këtë Insitut, se do të jetojë në varfëri, bindje dhe pastërti gjithë jetën e saj sipas modelit dhe karizmës së themeluesve të Institutit. Në këtë intervistë motër Mimoza na tregon për veten e saj, për frymëzimin që ka marrë për t’u bërë motër dhe sfidat që ka përpara si motër ajo dhe të gjithë ata që i janë kushtuar Zotit.

  1. Si ka filluar rrugëtimi yt drejt jetës së kushtuar?

Rrugëtimi im drejt jetës së kushtuar besoj se e ka zanafillën qëkur nëna ime më tregonte “përralla” para se të flija gjumë. Pasi kisha një imagjinatë të zhvilluar, identifikohesha me ndonjë ndër personazhet e historisë dhe doja të “ndryshoja” botën në të mirë duke vepruar realisht aty ku jetoja. Duke qenë se 10 vitet e para të fëmijërisë i kam jetuar gjatë periudhës së diktaturës, nuk e njihja jetën rregulltare. Menjëherë pas rënies së diktaturës në fshatin tim erdhën motrat e Nënë Terezës të cilat më përgatitën për kungimin e parë. Në praninë e këtyre motrave ëndrra ime për të bërë mirë për botën, u shndrit. Në fakt, është ende i gjallë në mua kungimi im i parë kur, pasi kisha marrë Jezusin, nuk kam fjetur gjithë natën, me mendimin e gëzueshëm që Zoti banon në mua, më do mua, me një dashuri të tillë sa nuk mund të zëvendësohet as krahasohet me një dashuri tjetër. Bashkë me një shoqe kishim planifikuar “arratisjen” tonë me motrat e Nënë Terezës, por, për disa rrethana të Provanisë, dëshira për t’iu kushtuar Zotit në urdhrin e motrave të Nënë Terezës, nuk u realizua. Motrat, në fakt, u larguan papritmas nga fshati ynë dhe vetëm pas disa vitesh erdhi sërish një kongregatë tjetër: motrat stigmatine. Tashmë isha gati e bindur se duhet të realizoja planin tim kushtuar Zotit në këtë urdhër, prandaj lexova jetën e themelueses së tyre dhe isha gati për të filluar një përvojë verifikimi. Duke qenë se isha vajzë e vetme, prindërit e mi nuk ishin dakort me shprehjen e dëshirës sime. Për këtë arsye motrat stigmatine më propozuan të frekuentoj kursin e anglishtes tek motrat saleziane në Shkodër dhe ndërkohë mund të thelloja thirrjen e Zotit. Provania lejoi që një karizmë të ndihmonte një tjetër, pasi kur njoha motrat saleziane unë gjeta paqen dhe vendin tim.

  1. Cili ka qenë edukimi fetar që ke marrë në familje?

Nuk di si mund ta quaj edukimin fetar të marrë në familje, por sigurisht familja ime jetonte në praninë e Zotit dhe në sigurinë se Zoti është Babë i mirë që shndrit mbi bijtë e tij qofshin të krishterë apo musulmanë, apo jo besimtarë të deklaruar. Në fakt nga nëna ime kam mësuar të dua pa dallim, qoftë të krishterin e qoftë musulmanin e guxoj të them njeriun, kushdo qoftë ai. Për të mos thënë që përvojën më njerëzore që kam bërë si fëmijë e kam mësuar nga një grua musulmane, e quajtur Raba, e cila, në periudhën e diktaturës, duke qenë  se gjithçka ishte me racion dhe ne ishim të vegjël, e shpeshherë vuanim nga uria, ajo na sillte perime nga kopshti i saj me një delikatesë dhe kujdes të jashtëzakonshëm. Nga familja ime kam parë dhe përpiqem të mësoj akoma sot, faljen dhe dhembshurinë ndaj të gjithëve e sidomos ndaj më të “afërmve”, gjë e cila është më e vështirë. Kam mësuar se vetë edukimi është themel i një shoqërie dhe edukimi fetar i jep plotësi jetës vetjake dhe shoqërisë gjithashtu. Edukimi fetar o çon te Personi i Jezu Krishtit me gjithë “pasojat” që vijojnë, ose nuk është edukim fetar, por fetarizëm. Atëherë mendoj se edukimi fetar që kam marrë nga prindërit po jep frytet e tij, çdo ditë e më tepër.

  1. Pse Bijat e Marisë Ndihmëtare? Don Bosko, çfarë përfaqëson për ecjen tënde?

Siç përmenda më sipër, kur njoha motrat saleziane unë gjeta paqen dhe vendin tim. Kisha parë filmin e don Boskos në TVSH pa njohur ende bijtë dhe bijat e tij. Në fshatin tim kisha filluar të angazhohesha me një “gazetë” lajmëruese të famullisë, nxitesha kur shikoja fëmijë që loznin vetëm dhe unë, pa ditur, bëhesha animatorja e tyre. Më pëlqente shumë të studioja, por kushtet dhe rrethanat ishin të papërshtatshme. Motrat saleziane i përgjigjeshin asaj që në mua ishte kultivuar pa njohur ende ekzistencën e karizmës, në të cilën motoja ishte: “Da mihi animas coetera tolle”. Shumë elementë të jetës sime ishin të ngjashme me ato të don Boskos dhe Maria Mazzarello-s. Në këtë çast në mua ishte e qartë jo vetëm të kushtuarit, por edhe zgjidhja për Kongregatën saleziane. Don Bosko për mua është Atë i të rinjve dhe unë do të doja t’i përgjigjesha Zotit me amësinë për të rinjtë dhe të rejat e tij.

  1. Ky është viti i jetes së kushtuar e Papa ju ka kërkuar të zgjoni botën. Çfarë do të thotë sipas teje në kontekstin shqiptar kjo grishje e Papa Françeskut?

Papa u tregua shumë i qartë kur i bëri thirrje, sidomos motrave, të realizojnë në jetën e kushtuar thirrjen amnore. Sipas meje në kontekstin tonë shqiptar, duhet zgjuar profecia e jetës së kushtuar. Papa na vuri përpara realitetin e martirizimit, të profetit, të amësisë. Ishte një ftesë urdhërore e Papës për të qenë adhurues të Jezusit. Vetëm në këto kushte lind profeti dhe profeti thotë Papa, është e vetmja thirrje që e bën jetën e kushtuar të ndryshme dhe të dallueshme nga të krishterët e tjerë. Profeti dëgjon dhe shpall atë që ka dëgjuar nga Hyji. Profeti denoncon çka nuk qëndron në përputhje me shpalljen e kumtuar, pavarësisht pasojave që mund të vijnë. Profeti ndërmjetëson për popullin e vet, pasi profeti është i Hyjit për nga thirrja, por është i popullit pasi vjen nga populli, nga populli i vet. Kjo thirrje e vetme, por me një kërkesë të trefishtë, bën që Kisha të presë nga të kushtuarit që “të kenë pasion për njerëzimin. Mirënjohje, pasion dhe shpresë janë tre sfidat e të kushtuarve” për të zgjuar botën dhe në kontekstin tonë, për të zgjuar popullin shqiptar.

  1. Më përshkruaj ditën tipike të një motre saleziane?

Kjo pyetje është disi e vështirë pasi, thënë sipas një renditje, nuk do të merrte një përgjigje të plotë. Megjithatë nëse mund të themi diçka atëherë dita tipike do të fillonte dhe do të mbaronte me zemrën e drejtuar kah tabernakulli. Brenda kësaj dite mushkëritë mbushen me dashurinë për fëmijët dhe të rinjtë të cilët banojnë në shtëpitë tona që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Në misionin e saj një motër saleziane kalon nga kisha në klasë e nga klasa në mensë e nga mensa në orator e nga oratori në universitet (për motrat studente) e nga universiteti në pastrim. Ndoshta kjo më habiste dhe më mahniste njëherësh te motrat saleziane: nuk ishte roli që e bënte motrën, por shërbimi në çfarëdolloj roli.

moter mimoza 1 moter mimoza 2 moter mimoza 3 moter mimoza 4 moter mimoza

Previous Më thuaj pas kujt shkon të them se kush je!
Next Vatikani i jep studiuesit Peter Bartl medaljen e artë për merita në studimet albanologjike

Sugjerime