Sinodi? Jo vetëm divorci dhe homoseksualët!

Sinodi? Jo vetëm divorci dhe homoseksualët!

Peregrinus_uneNga Gjergj Meta   /

Këto ditë Sinodi i Zakonshëm i Ipeshkëvinjëve në Romë është drejt mbylljes së tij. Mbyllet pikërisht të dielën me datë 25 tetor. Nesër është një ditë pushimi, e para pas 18 ditësh, e të enjten nis diskutimi për relacionin përfundimitar të etërve sinodalë. Një relacion të cilin pasi të aprovohet në sallë, Papa mund të lejojë të botohet menjëherë, ose ta përdorë për një dokument që do të nxjerrë më vonë ose të dyja bashkë. Të shohim!

Dhe kemi arritur tanimë në pikën “e shumëpritur”: kungimi për të rimartuarit dhe çështja e homoseksualëve. Të paktën mediat po na servirin këto dy tema si tema-nyje të këtij Sinodi. Duke u hedhur një sy relacioneve të circules minores të bie në sy që temat janë shumë të larmishme dhe nuk është e vërtetë që këto janë të vetmet probleme. Por sigurisht që këto janë të vetmet probleme për ata që duan të gjejnë një kalë për të kalëruar e për të nisur beteja luftarake që sipas meje nuk i sjellin dobi askujt me ashpërsimin e tyre.

Nëse është e vërtetë që këto nuk janë të vetmet çështje, është po aq e vërtetë që këto janë çështjet që i mbajnë të ngërthyer ipeshkëvinjtë në mosdakordësi midis tyre. Pikërisht raporti ndërmjet mëshirës dhe doktrinës, mbetet një çështje kyçe e cila duket (shpresoj të gaboj) se është larg për t’u zgjdhur vetëm në këtë Sinod.

Si do t’ia dalin ata të gjejnë një gjuhë të përbashkët? Papa është garanti i unitetit e këtë e ka theksuar edhe në këto ditët e fundit. Gjithçka që etërti sinodalë do të thonë do t’i shkojë atij në dorë e ai do të vendosë se çfarë do të bëjë. Sinodi është pikërisht për këtë gjë, një instrument që ndihmon Papën në ushtrimin e shërbesës së tij, por që në të njëjtën kohë zhvillon edhe kolegjialitetin e ipeshkëvinjëve në Kishën katolike. A do t’ia dalin në këtë kolegjialitet, sidomos për temat më të nxehta?

Mëshira apo/dhe drejtësia? Kjo më duket çështja e madhe në këtë Sinod, por jo vetëm edhe në jetën e Kishës. Si mund të pajtohen këto dy realitete në kompleksitetin e jetës baritore që ne si famullitarë jemi të thirrur të ushtrojmë çdo ditë? Droja ime është se këto dy çështje, kungimi për të rimartuarit dhe çështja e personave me orientim homosekual, do të errësojnë apo zbehin çështjet të tjera sikurse janë p.sh. shoqërimi i të rinjëve drejt martesës, edukimi i fëmijëve, i adoleshentëve për martesën dhe familjen, një pastorale familiare që ndihmon ato familje e çifte që dëshirojnë të jetojnë martesën e tyre deri në fund të bashkuar e të pazgjidhshme. Po ashtu formimi i meshtarëve për një kompetencë më të madhe në fushën e ndihmës për situatat familjare, kërkmi i një gjuhe të përshtatshme për të folur për këto tema e kështu me rradhë, janë çështje që duhet të zgjojnë jetën tonë baritore akoma më shumë.

Duke u kthyer në realitetin shqiptar mendoj se urgjente për ne nuk janë aq shumë kungimi i të divorcuarve e të rimartuarve apo çështja e homoseksualitetit, se sa mënyra e përgatitjes së çifteve të reja për martesën e krishterë apo për martesën në përgjithësi, ndihma ndaj familjeve në nevojë, sidomos atyre që janë në krizë apo të varfëra. Çfarë insturmentash ne kemi në dorë e çfarë duhet të vëmë në lëvizje që këtyre familjeve apo të rinjevë t’u gjendemi pranë?

Shpresoj shumë që pas këtij Sinodi dhe me fillimin e Vitit Jubilar të Mëshirës, një Frymë e re do të fryjë në jetën e Kishës dhe familja do të jetë në prag të një ringjalljeje për të treguar edhe një herë shëmbëllimin e Kishës si nusja e padangë dhe e parrudhë e Krishtit.

Previous Takime thirrjeje- “Ejani e Shihni!” Çdo të shtunë të tretë të muajit pranë Seminarit Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë”- Shkodër
Next 25 VJET NGA HAPJA E KISHËS NË SHQIPËRI “Lindja dhe zhvillimi i Thirrjeve në Kishën tonë. Roli dhe sfidat e formimit në Shqipëri pas viteve ’90”.

Sugjerime