Papa Françesku: Sinodi nuk është parlament, … këtu nuk bëhen kompromise!

Papa Françesku: Sinodi nuk është parlament, … këtu nuk bëhen kompromise!

sinodiNga Radio Vatikani shqip  /

Sinodi nuk është parlament, por shprehje e Kishës, që e interpreton realitetin me zemrën e Zotit. Papa Françesku hapi sot me këto fjalë punimet e Sinodit të zakonshëm për familjen, pasi kremtoi dje meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë i nxiti etërit sinodalë t’i lenë vend veprimit të Shpirtit Shenjt me guxim apostolik, përvuajtëri ungjillore dhe lutje plot besim.

Trashëgimia e fesë nuk është muze, por gurrë e gjallë

Të ecim së bashku me frymë kolegjialiteti e sinodaliteti, duke pasur gjithnjë parasysh të mirën e Kishës, të familjeve dhe të shpirtrave. Papa Françesku nënvizoi edhe një herë, siç ka bërë shpesh kohët e fundit, se ipeshkvijtë duhet të flasin me parrezi, pra haptas e pa doreza. Vetë Ati i Shenjtë, pa doreza, kujtoi se Sinodi nuk është konferencë, as sallon, as parlament apo senat, ku njerëzit diskutojnë dhe arrijnë në një kompromis, duke marrë kështu një vendim për çështje të caktuara:

 “Sinodi është shprehje kishtare, pra, është Kisha që ecën së bashku, për ta parë realitetin me sytë e fesë dhe me zemrën e Zotit; është Kisha, që pyet vetveten mbi besnikërinë ndaj trashëgimisë së fesë, e cila, për të, nuk përfaqëson ndonjë muze për t’u shikuar e as vetëm për t’u mbrojtur, por një gurrë të gjallë, ku Kisha shuan etjen e vet, për t’i shuar etjen dhe për ta shndritur trashëgiminë e jetës”.

Sinodi lëviz brenda Popullit shenjt të Zotit

Sinodi, vijoi Papa, lëviz domosdoshmërisht brenda Kishës dhe Popullit të shenjtë të Zotit, në të cilin bëjnë pjesë edhe anëtarët e klerit si barinj, pra, si shërbëtorë. Sinodi, theksoi Papa një koncept, që e përmendi edhe dje gjatë meshës, është hapësirë e mbrojtur, ku Kisha provon veprimin e Shpirtit Shenjt:

   “Në Sinod, Shpirti Shenjt flet përmes gjuhës së gjithë njerëzve, që e lënë veten në dorë të Zotit, i cili na befason gjithnjë, të atij Zoti, që u zbulon të vegjëlve, atë që ua fsheh të diturve dhe inteligjentëve”.

Nevojitet guxim apostolik, përvujtëri ungjillore dhe lutje plot besim

Më fjalët e tij, Papa i ftoi të gjithë ta lejojnë Hyjin t’i udhëheqë. Le të merren për dore nga ai Hyj, që “krijoi ligjin dhe të shtunën për njeriun e jo anasjelltas: nga Zoti, që lë 99 dele për të kërkuar të vetmen dele të humbur; nga Zoti, që është gjithnjë më i madh se logjika e llogaritë tona”:

  “Të kujtojmë se Sinodi mund të jetë hapësirë për veprimin e Shpirtit Shenjt, vetëm nëse ne, pjesëmarrësit, vishemi me guxim apostolik, me përvuajtëri ungjillore e me lutje plot besim: ai guxim apostolik, që nuk na lë të kemi frikë para joshjeve të botës, të cilat priren ta shuajnë dritën e së vërtetës në zemrat e njerëzve, duke e zëvendësuar me dritëza të vogla e të përkohshme; e as para ngurtësimit të disa zemrave, që, pavarësisht nga qëllimet e mira, i largojnë njerëzit nga Zoti”.

Mos e kthe jetën e krishterë në një muze me kujtime

Guximi apostolik, nënvizoi më tej Papa, është ai që sjell jetën dhe nuk e kthen jetën tonë të krishterë në një muze me kujtime:

 “Përvuajtëria ungjillore, që di të boshatiset nga bindjet e paragjykimet për të dëgjuar vëllezërit ipeshkvij e për t’u mbushur me Zotin, është përvuajtëri, që s’na bën ta ngremë gishtin kundër të tjerëve për t’i gjykuar, por na nxit t’u shtrijmë dorën për t’i ngritur sërish, pa u ndjerë më lart se ata”.

Pa Shpirtin Shenjt, vendimet tona do të jenë lajle-lule

Lutja plot besim, vazhdoi Ati i Shenjtë, ia hap zemrën veprimit të Zotit, heshton të gjitha zhurmat përreth nesh, për të dëgjuar zërin e ëmbël të Hyjit, i cili flet në heshtje:

  “Pa e dëgjuar Zotin, të gjitha fjalët tona do të jenë fjalë, që nuk ngopin e nuk shërbejnë. Pa e lënë Shpirtin Shenjt të na udhëheqë, të gjitha vendimet tona do të jenë vetëm lajle-lule, të cilat në vend që ta ekzaltojnë Ungjillin, e mbulojnë dhe e fshehin”.

Së fundi, Papa Françesku falenderoi të gjithë ata, që janë impenjuar në përgatitjen e Sinodit, duke përshëndetur veçanërisht gazetarët. Ati i Shenjtë e mbylli fjalën e tij duke theksuar edhe një herë se Sinodi nuk është parlament, pra në të nuk negociohet, nuk bëhet pazar e nuk arrihen kompromise. Metoda e vetme e punimeve sinodale është që të pranishmit t’ia hapin zemrën e mendjen Shpirtit Shenjt, që t’i udhëheqë, t’i shndrisë e t’i bëjë të kuptojnë jo opinionet personale, por fenë në Zotin, besnikërinë ndaj magjisterit, të mirën e Kishës dhe të shpirtrave.

Previous 50 vjetori i themelimit të Provincës së Motrave Franceskane të Zojës së Papërlyer
Next Imzot Forte për Sinodin: nuk ka dy parti ndër ipeshkvijtë

Sugjerime