Imzot Forte për Sinodin: nuk ka dy parti ndër ipeshkvijtë

Imzot Forte për Sinodin: nuk ka dy parti ndër ipeshkvijtë

sinodi 1

Nga Radio Vatikani shqip

Konferenca e parë për shtyp, pas asamblesë së parë të Sinodit të Ipeshkvijve për familjen. Morën pjesë relatori i përgjithshëm, kardinali Peter Erdë, presidenti i turnit, kardinali André Vingt-Trois dhe, sekretari i veçantë i Sinodit, imzot Bruno Forte.

Kard. André Vingt-Trois: Sinodi është kohë lutjeje, mbledhjeje dhe ecjeje

U dhanë përshtypjet e para e u fol për kuadrin aktual të jetës së familjeve e të synimeve të Sinodit. Kardinali Vingt-Trois theksoi se asambleja sinodale është kohë, në të cilën Kisha lutet, siç ndodhi në Mbrëmjen e së shtunës e në meshën e së dielës. Por është edhe kohë, në të cilën Kisha mblidhet përreth Papës e vihet për udhë:

“Përshtypja e parë e fuqishme, që më shoqëroi sot paradite, është të shihja, ndoshta në një mënyrë të jashtëzakonshme, larminë e madhe të pjesëmarrësve, larminë e kontinenteve të përfaqësuara, larminë e Kishave – sepse ka përfaqësues të Kishave Lindore e të Kishave Latine – larminë e moshave, larminë e madhe të përvojave… E gjithë kjo së bashku, kjo larmi – që mund të nxisë të mendoni se është e pamundur të merremi vesh mbi ndonjë gjë – është mbledhur përreth Papës, duke pasur parasysh rezultatet e Sinodit 2014, që u ritheksuan sot. Janë argumentet mbi të cilat konfrontohemi haptazi në këtë çast… Do të jemi të hapur për njëri-tjetrin e ky është stili i dialogut, që duhet të përjetojmë. Do të jemi të hapur ndaj realitetit, që jetojnë familjet, duke u nisur pikërisht nga relacionet, që kemi mbledhur gjatë vitit”.

Kard. Erdë: themelor, roli i bashkësive të familjeve të mira

Duke iu referuar punës përgatitore për Relacionin, që hapi Sinodin, kardinali Peter Erdë pohoi se dolën në pah dy realitete të rëndësishme:

“I pari është mosbesimi global ndaj institucioneve, jo vetëm ndaj institucionit të martesës e të familjes, por ndaj institucioneve në përgjithësi. Pastaj, fenomeni tjetër është prania masive dhe roli themelor i bashkësive të krishtera, të formuara nga familje të mira, që ndihmojnë njëra-tjetrën, që kanë një rol të rëndësishëm në shumë famulli, në shumë lëvizje, edhe për transmetimin e fesë. E kanë edhe shumë mjete për t’i përgatitur të rinjtë për martesën e familjen, për ta shoqëruar çiftin, për ta ndihmuar në çastet e krizës, edhe në situata me probleme ekzistenciale, si papunësia, puna e pakët, sëmundja… E në këtë forum të bashkësive familjare u bë më e qartë se familja e formuar nga një person i vetëm nuk mjafton as për të ruajtur e forcuar solidaritetin ndërmjet brezave. E në këtë fushë, është i nevojshëm – jo vetëm i rëndësishëm, por duket i nevojshëm – roli i bashkësive të familjeve”.

Imzot Forte: nuk ka dy parti në Kishë, por barinj, që dëgjojnë Zotin

Imzot Bruno Forte kujtoi se ipeshkvijtë nuk janë ndarë në dy ose më shumë parti, siç është thënë nga disa mjete të informacionit. Ata janë barinj, njerëz të fesë, që vihen në dëgjim të Zotit e të njerëzve. Natyrisht, ka ndryshime opinioni, por kjo i bën vetëm mirë Sinodit:

“Qëllimet themelore janë dy. I pari është të propozohet Ungjilli i familjes, pra, i familjes si subjekt dhe objekt qendror i baritorisë, si vlerë parësore edhe në një epokë, në të cilën ajo duket në krizë, në shumë anë të botës. Nga ana tjetër, qëndrimi baritor i shoqërimit dhe i integrimit të të gjithëve është mëse i nevojshëm. Natyrisht, duke filluar nga familjet e nga familjet në krizë. Kjo kërkon të flasim hapur edhe në Sinod, sepse kemi nevojë të bëhemi jehonë e shpresave dhe dhimbjeve të familjeve të gjithë botës, por është edhe ndjenjë e përgjegjësisë së thellë para Zotit e para njerëzve”.

Previous Papa Françesku: Sinodi nuk është parlament, … këtu nuk bëhen kompromise!
Next Mos na trajtoni si egërsira

Sugjerime