Hapja e Vitit Akademik në Institutin teologjiko-filozofik të Shkodrës

Hapja e Vitit Akademik në Institutin teologjiko-filozofik të Shkodrës

Viti_akademikNga Mark Pashkja /

Një ndër temat mbi të cilën kisha po reflekton maksimalisht gjatë pontifikatit të Papa Françeskut është ajo mbi familjen. Ka qenë vet Ati Shenjtë që me vendimin e tij për të thirrur dy sinode në harkun kohor të një viti, ka dashur të theksoj rëndësinë themelore që përmban ky realitet bazik për jetën e Krishterë. Në horizontin mes këtyre dy sinodeve, atij të jashtëzakonshmit që u mbajt në Tetor 2014 dhe tjetrit që do mbahet muajin e ardhshëm, u zhvillua hapja e vitit të ri akademik në Institutin Filozofik- Teologjik në Shkodër.

Në sintoni të plotë me zhvillimet sinodale, gjatë takimeve dy ditore u diskutua kryesisht në lidhje me thirrjen dhe misionin e familjes në kishë dhe boten bashkëkohore. Kjo në fakt është ajo çka Papa u ka kërkuar etërve sinodalë dhe kishave lokale për të reflektuar. Ishte drejtori i Institutit Atë Mario Imperatori i cili duke bërë një paraqitje të sfidave me të cilat përballet familja në realitetin shqiptar, bëri hapjen zyrtare të takimeve dy ditore. Në cilësinë e profesorit të teologjisë së martesës ai u përqendrua kryesisht tek diskutimi mbi bashkimin dhe hapjen ndaj jetës si veçori tipike  e martesës së krishterë.

Fenomeni gjithnjë e në rritje i divorcit si edhe pikëpamjet e ndryshme në lidhje me pazgjidhshmërinë e martesës qenë burim diskutimi dhe reflektimi mes pjesëmarrësve. Për të folur në lidhje me përvojën sinodale dhe atë çka u trajtua në sinodin e Tetorit të kaluar referuan Shkëlqesia tij Imzot Angelo Massafra i deleguar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe çifti Franco e Pina Miano nga Napoli, të cilët ishin të ftuar në nivel ekspertesh në këtë eveniment. Si njeri prej ipeshkvinjëve pjesëmarrës, Imzot Massafra përcolli atmosferën që mbizotëronte mes etërve sinodal. Ai theksoi praninë mjaft aktive të Papa Françeskut dhe porosinë e tij fillestare për të folur me çiltërsi.

Nga ana tjetër çifti Miano përveç se transmetuan  përvojën e tyre si prindër folën edhe mbi atë çka ky Sinod dëshironte ti përcillte Kishës dhe mbarë shoqërisë në përgjithësi. Pasja e një shikimi të përbashkët dhe largpamës duke kërkuar që të rigjendet ajo çka është thelbësore në raport me familjen, ishte qëllimi kryesor që sipas familjes Miano, Sinodi i kishte venë vetes, qoftë gjatë punimeve qoftë në fazën post- sinodale. Pikërisht për të folur për këtë fazë që konsiston edhe në fazën përgatitore të sinodit tjetër, ishte i ftuar Shkëlqesia e tij Imzot Gjergj Frendo Ipeshkëv ndihmës i Tiranës.

Ai foli në lidhje me sfidat dhe pritjet e kishës nga ky sinod. Imzot Frendo do të jetë i deleguari i Konferencës ipeshkvore për Sinodin e ardhshëm. Ai tregoi edhe për punën që gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar Kisha në Shqipëri për të iu përgjigjur pyetësorit të dërguar nga komisioni i posaçëm i ipeshkvijve dhe propozimeve që si realitet kishtar do t’i bëj Sinodit të ardhshëm.

Fundin e këtyre konferencave  e shënoi shqyrtimi dhe analizimi i Instrumentum Laboris të publikuar pas përfundimit të sinodit të parë. Diskutimi mbi këtë dokument rezultoi mjaft gjithëpërfshirës. Ky moment u bë edhe një burim angazhimi për lutje, që Sinodi i ardhshëm të dijë t’u jap përgjigjen e duhur të gjitha pyetjeve dhe problemeve që janë të pranishme në familjet e krishtera dhe jo vetëm.

Previous Kur të më shihni që nuk jam besnike më qortoni, por edhe më ngushëlloni!
Next Promovohet libri “Papa Françesku në Shqipëri”

Sugjerime