Kur të më shihni që nuk jam besnike më qortoni, por edhe më ngushëlloni!

Kur të më shihni që nuk jam besnike më qortoni, por edhe më ngushëlloni!

moter elda 9Motër Elda Nikolli, me origjinë nga Fani i Mirditës, me datë 20 shtator të këtij viti ka bërë kushtet e përjetshme duke u betuar se do të jetojë në varfëri, dëgjesë e dlirësi në gjurmët e Krishtit në Institutin e Motrave të Shën Xhovana Antidës. Më poshtë do të lexoni fjalën që ajo ka mbajtur në fund të meshës në të cilën ajo tregon për rrugëtimin e jetës së saj. Një aventurë e bukur dhe një lexim që ia vlen ta bësh …

Të dashur vëllezër e motra,

Deshiroj të falenderoj   Imzot George Frendon që ka udhëhequr këtë kremtim,  për praninë dhe fjalët inkurajuese,  falenderoj Don Roberton që ka ardhur nga Burreli dhe Don Marjanin për praninë dhe lutjet.

Ju falenderoj juve pjesmarrës, të ardhur nga larg e nga afër, nga Elbasani, famullia ime e tanshme, nga Mollas e nga Gostima, nga Rubiku e nga Fani, ju falenderoj të gjithëve  të njohur e të panjohur, por që tani e tutje bëheni të gjijthë të njohur sepse jeni dëshmitarë të një besëlidhje të Hyjit me mua, besëlidhje që duhet të jetë pasqyrim  i dashurisë së Hyjit në Kishë, mes jush dhe kudo. Prandaj, çdo herë që më shihni që nuk po i qëndroj besnike kësaj besëlidhje duhet të më qortoni, të më ndihmoni të mos harroj këtë Besëlidhje, por edhe duhet të më ngushëlloni, po, me besimin tuaj ju më ngushëlloni, sepse më dëshmoni se të duash Hyjin mbi gjithcka të bën të lumtur, por edhe sepse unë besoj në forcën e bashkësisë së krishterë.

Pikërisht sepse besoj në të kam dashur unë të kremtoj këto Kushte të Përjetshme mes jush që të ndaj me ju atë çka kam më të shtrenjtë, besimin tim. Thirrja ime ka lindur në një famulli, në një fshat të varfër, jo të varfër vetëm ekonomikisht, por mbi të gjitha e varfër në besim dhe në vlera të krishtera. Pikërisht në atë famulli unë fillova të dëgjoja fjalë që nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Fjalë që më ndihmuan të takoj të vërtetën time.

Nuk kisha dëgjuar asnjëherë më parë ‘duaj armiqt tuaj, sepse nëse do vetëm ata që të duan, çfarë bën të veçantë”. Nuk kisha dëgjuar as se “Zoti kishte ardhur për mëkatarët”, sepse të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjekun. Nuk kisha dëgjuar as “Duaje Zotin Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde, dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Nuk kisha dëgjuar fjalë si këto, por kisha dëgjuar se i forti e bën ligjin, kisha dëgjuar se ai që nuk hakmerret është i dobët, kisha dëgjuar se një mundësi e dytë nuk të jepet. Sa botë e frikshme! Flitej ende për njerëz me biografi të pastër apo të keqe, në bazë të një të kaluare të sëmurë të ideologjisë totalitare. Po, unë jam bijë e kohës së tranzicionit, ku gjithçka filloi të vihej në diskutim, por që rrënjët e egra ishin ende të gjalla, dhe akoma duhet punë per t’i çrrënjosur.

Ja pse ka qënë vendimtare Fjala e Zotit për mua, sepse më tregoi një rrugë të re, më tregoi se të duash është e mundur dhe se një shoqëri duhet ndërtuar më në themel një dashuri gjithpërfshirëse, ku vendin e parë e kanë të përjashtuarit.

Për këtë duhet të falenderoj veçanërisht gjyshërit e mi, që ishin të parët që më bënë të shijoj lutjen, edhe pse druanin mos nuk ishte e vertëtë se tashmë ishin të lirë.

Dua të falenderoj edhe bashkësinë time, të tanishmen dhe të gjitha ato motra me të cilat kamë ndarë pjesë të ecjes sime, sepse me shembullin dhe me fjalën më kanë  ndihmuar të rritem në besim.

Dhe tani më lejoni të falenderoj familjen time, e fundit, por jo nga rëndësia. Dëshiroj t’ju falendëroj, me në krye prindërit e mi,  sepse më keni mësuar dy gjëra që për mua janë thelbësore: të dua drejtësinë, dhe të respektoj të varfërit. Tek unë ka ardhur, nëpërmjet veprave dhe zgjedhjeve tuaja, se drejtësia është vlera mbi vlerat, ku për asnjë arsye nuk cënohet liria apo e drejta e tjetrit. Në gjeste të vogla konkrete kam parë edhe një repsekt për të varfërit, ku kushdo në nevojë ka gjetur një përgjigje dinjitoze. Ju falenderoj se më keni rritur me keto shembuj! Tani dua t’ju kërkoj edhe falje, falje për vuajtjen që ju kam shkaktuar duke bërë një zgjedhje të tillë. Ju kam kërkuar të besoni diçka që juve nuk e njihnit, diçka jashtë cdo logjike të njohur deri në atë moment. Por unë nuk mund të veproja ndryshe, nëse nuk do bëja këtë zgjedhje do tradhtoja vetveten, do i mohoja jetën vetës dhe me siguri kjo nuk do kishte qënë e mirë as për ju.

Unë jam e vëtëdishme se t’i thuash  PO përgjithmonë Zotit nuk është diçka e lehtë, do jetoja në mënyrë sipërfaqësore po të mendoja kështu, sepse unë tani e kam vënë jetën time në duart e Zotit publikisht, pa asnjë lloj sigurie, perveç asaj se dua t’i dhuroj gjithë jetën time Atij. Pavarësisht ‘pasigurive’ njerëzore më duket pak një jetë ta jëtoj për Zotin.  Duke ju hapur zemrën plot me mirënjohje ju kërkoj edhe të më shoqëroni me lutjet tuaja, që unë t’i jem besnike kësaj thirrje.

Faleminderit

Moter elda 1 moter elda 2 moter elda 3 moter elda 4 moter elda 5 moter elda 6 moter elda 7 moter elda 8

Previous Nga New York Times në NEW YORK POPE
Next Hapja e Vitit Akademik në Institutin teologjiko-filozofik të Shkodrës

Sugjerime