PAPA FRANÇESKU PO “RRËSHKET” MAJTAS… (.?!)

PAPA FRANÇESKU PO “RRËSHKET” MAJTAS… (.?!)

Falcia e martelloEditorial nga Peregrinus.al

Papa Françesku po kritikon kapitalizmin, i’u tërheq vëmendjen të fuqishmëve dhe industrive për prishjen e klimës, i bën ftesë vendeve të pasura dhe Kishës të presin emigrantët e t’i legalizojnë ata, ngre zërin kundër varfërisë dhe papunësisë, pret në Vatikan dy familje siriane, han bukë në New York me të pastrehët, ul në vendet e para në një koncert madhështor clochard-ët e Romës, nis vizitën e tij të parë në Europë nga Shqipëria e vizitën e parë si Papë në Lampeduza ku vijnë klandesitinë, etj etj. E ka zëra që thonë se Papa Françesku po shkon majtas, sidomos kjo ndër konservatorët.

Po çfarë do të thotë kjo që “Papa po shkon majtas”? A nuk do të ishte më mirë të bëhej një pyetje tjetër: pse dhe në emër të kujt Papa i bën apo thotë këto gjëra? Nga e merr frymëzimin? Ndoshta vetëm duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve do të shohim se sa e pavend është shprehja: papa po shkon majtas.

Papa është një i krishterë që ka si ligj të epërm të vetin ligjin e dashurisë: “Ky është urdhri im: duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve (Gjn 15,12) ; “Duajini armiqtë tuaj (Mt 5,44); Kushdo që vesh një të zhveshur, i jep të hajë të uriturit, të pijë të eturit, viziton të sëmurin apo të burgosurin, pret në shtëpinë  e vet atë që është i huaj e shtegtar “e ka bërë për mua” – thotë Zoti (Mt 25,40). E ky është ungjilli. Ky ligj i dashurisë tejkalon ligjin njerëzor që përgjithësisht shkon deri tek një do ut des një lloj drejtësie shpërblyese, një lloj marrëdhënie vetëm ndërmjet atyre që japin duke pritur se do t’u kthehet po aq sa kanë dhënë. Ligji i dashurisë është një ligj që jep falas dhe nuk pret shpërblim.

Unë nuk mendoj që ligji i dashurisë të jetë majtas apo djathtas. Ai ligj mund të mos pranohet, sepse ne jemi të lirë, e as nuk mund të imponohet, por këtij ligji nuk mund t’i jepet një ngjyrim ideologjik. Dhe ky ligj ndryshon totalisht ndaj një ligji tjetër, atij materialist marksist që e shikon rritjen e shoqërisë dhe shërbimin ndaj njeriut vetëm në logjikën e një përplasjeje ndërmjet klasave dhe shtresave të shoqërisë. Kjo ideologji e shikon jetën si një diktaturë të disave mbi disa të tjerë, ku liria është vetëm për disa e jo për të gjithë.

Nga e merr tjetër frymëzimin Papa Françesku pë veprimet dhe fjalët e tija? “Gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e njerëzve të sotëm, sidomos të të varfërve dhe të të gjithë atyre që vuajnë, janë edhe gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e nxënësve të Krishtit dhe nuk ka gjë përnjimend njerëzore që nuk gjen jehonë në zemrën e tyre”. Janë fjalët e Kushtetutës baritore mbi Kishën në Botën bashkohore (Gaudium et spes) të Konçilit II Vatikan, një mbledhje e Kishës katolike në të cilën të krishterët katolikë pyetën veten: çfarë na duhet që të dimë t’i flasim botës së sotshme e të jemi të besueshëm para saj. Dëshmia e Papës Françesku është një çështje besueshmërie. Të jesh dëshmitarë do të thotë që t’i të thuash një gjë që e ke parë, të vërtetosh një gjë që ti e di mirë e të mos gënjesh, pra të jesh I besueshëm. Besnikëria e Papës është ndaj Ungjillit, besimit të tij në Krishtin dhe ndaj njeriut që aq bukur e shprehin fjalët e cituara nga Konçili II i Vatikanit.

Gjestet e Papës për shumkënd mund të duken populiste apo majtiste, por në të vërtetë ato janë thjesht ungjillore. Kjo do të thotë se rrënja e atyre veprimeve gjendet në një logjikë që lidhet drejtëpërdrejtë me  Hyjin dhe me njeriun e jo me ideologjitë. Në një nga fjalimet e këtyre ditëve Papa Françesku thonte se “ne duhet t’i shërbejmë njeriut e jo ideologjive”. T’i shërbesh njeriut do të thotë që ky i fundit është një subjekt me të cilin ti merr edhe jep, mund të ndjesh e të gëzosh, të vuash e të qash bashkë me të e ai me ty. T’i shërbesh një ideologjie do të thotë që njeriu kthehet në një objekt me anë të të cilit ti realizon diçka tjetër, një qëllim tjetër. Njeriu është një qëllim, nuk është një mjet. E ky njeri sa më i pambrojtur të jetë aq më shumë ka nevojë të ndihmohet. Edhe thjesht në një logjikë njerëzore, një ditë dobësia e brishtësia do të trokasë edhe në derën time, madje ajo është tashmë aty, e kështu dikush tjetër do të kujdeset për mua.

Françesku nuk është mjatas apo djathtas: ai është aty ku gjendet njeriu!

m.g.

Previous FIAT ... jo vetëm makinë, por edhe stil jete!
Next 65-vjetori i martizimit të shërbëtores së Zotit, Marie Tucit

Sugjerime