Martesa në Kishë? Edhe po edhe jo!

Martesa në Kishë? Edhe po edhe jo!

matrimonioNga Gjergj Meta

Guxo të thuash PO!

Një nga realitetet më të bukura në jetën njerëzore është pikërisht martesa. Është bukur të duash një njeri e të gjithë e dimë çfarë do të thotë të dashurohesh e të ëndërrosh të dashurin apo të dashurën e zemrës. Për pjesën më të madhe të njerëzve ky dashurim kthehet në një dëshirë të papërmbajtur për të jetuar bashkë në martesë e shpesh në një vendim për ta kurorëzuar këtë dëshirë. Këtë gjë Hyji e ka vënë në zemrën e njeriut qysh me krijimin, pra këtë dashuri dashuruese. Prandaj kur e sheh se është kështu guxo të thuash po!

Hyji ka dashur që burri dhe gruaja të duhen, të lidhen, të jetojnë bashkë, të lindin fëmijë, t’i edukojnë, të bëhen pra prindër e më tej gjyshër e kështu jeta të vazhdojë mbi tokë. Kisha dhe shoqëria e kanë shumë të rëndësishme dhe për zemër institucionin e martesës e po ashtu duhet ta vlerësojnë edhe vetë të fejuarit. Fëmijët janë një dhuratë e bukur e Zotit! Guxo t’i thuash po familjes!

Pse përgatitja për martesë?

Nga ana e Kishës kërkohet një kohë paraqitje dhe përgatitje e volitshme në mënyrë që të kuptohet më së miri se çfarë po kremtohet dhe sa rëndësi ka martesa e krishterë, e cila është një shenjë e dukshme e Besëlidhjes dhe e dashurisë që Hyji ka për njerëzit, pra është një sakrament. Në martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje realizohet këtu dhe tani mrekullia e dashurisë nëpërmjet kujdesit të ndërsjelltë të bashkëshortëve, lindjes dhe edukimit të fëmijëve.

Përgatitja për martesën që kremtohet në Kishë nuk është vetëm një gjë formale, e po ashtu dokumentat që kërkohen në këtë rast nuk janë vetëm përmbushja e disa formaliteteve juridike. Vetë martesa është një lidhje drejtësie e dashurie ndërmjet dy të fejuarve. Çdo marrëdhënie njerëzore është edhe një marrëdhënie drejtësie e për këtë arësye Kisha vlerëson shumë aspektin juridik të përgatitjes. Përgatitja për martesën ka si qëllim të sajin të promovojë kremtimin e lirë të një martese të vërtetë, ndërtimin e një lidhje drejtësie dhe dashurie ndërmjet bashkëshortëve që ka si karakteristikë bashkimin dhe pazgjidhshmërinë, është në funksion të së mirës së bashkëshortëve dhe të edukimit të fëmijëve që ndërmjet dy të pagëzuarish përbën një ndër sakramentet e Besëlidhjes së re.

Për këtë është e rëndësishme që të fejuarit të kenë fenë e duhur, të jenë të rritur e të edukuar në besimin e krishterë dhe në pjesëmarrjen në jetën e krishterë. Sigurisht martesa është një fakt natyror, por për ne të krishterët është edhe një sakrament, pra një dhuratë e besimit e, që të perceptohet apo jetohet si e tillë, është e dosmodoshme të ekzistojë besimi dhe jetimi i këtij besimi.

Disa rregulla

Më poshtë do të gjeni disa rregulla që ka vendosur Kisha rreth martesës, por që kanë si synim një përgatitje sa më të mirë për martesën e krishterë.

Në bazë të ligjit të veçantë të Konferencës Ipeshkvore të fejuarit duhet të paraqiten rreth tre muaj para datës së martesës te famullitarët përkatës për përgatitjen e dokumentacionit dhe atë shpirtërore para kremtimit të martesës.

Janë disa tipet e martesave në Kishën katolike:

1

Më së pari është martesa ndërmjet dy të të pagëzuarish në kishën katolike apo të pranuar në të me anë të një akti formal. Pranimi me anë të një akti formal është për ata të krishterë që të pagëzuar në Kishën Ortodokse apo në një Bashkësi të krishterë të reformuar (Ungjillore, protestante, anglikane, luterane etj.) kalojnë në Kishën Katolike.

Në këtë rast kërkohen këto dokumenta:

  • Dëshmi pagëzimi e dy të pagëzuarve e nxjerrë nga amzat e famullisë përkatëse në gjashtë muajt e fundit me shënimin e gjendjes së lirë nga ana e famullisë së origjinës.
  • Dëshmi krezmimi (nuk është e domosdoshme, por e rëndësishme) për të dy të fejuarit;
  • Çertifikatë personale e të dyve nga gjendja civile e gjashtë muajve të fundit;
  • Çertifikatë martese nëse është bërë martesa në gjëndje civile;
  • Fotokopje e kartave të identitetit;
  • Për ata që janë jashtë shtetit duhet edhe një vërtetim i gjendjes së lirë nga famullia apo dioqeza ku jetojnë ose mund të bëhet me betim nga persona që kanë jetuar me të fejuarit dhe i njohin mirë në periudhën që kanë qenë jashtë shtetit;
  • Për ata që kanë qenë të martuar në gjendje civile, por jo në Kishë, dhe kanë bërë divorc duhet dokumenti i divorcit i lëshuar nga gjykata;

2

Martesa e përzjerë është ajo ndërmjet një të pagëzuari/e në Kishën Katolike dhe një të pagëzuari/e në Kishën Ortodokse ose në një Bashkësi të krishterë të reformuar. Kjo martesë që të kremtohet ka nevojë për lejen e ipeshkëvit dioqezan që të jetë e lejueshme. Dokumentat që kërkohen janë këto:

  • Dëshmi pagëzimit për të dy të fejuarit e nxjerrë nga amzat e famullivë përkatëse (apo e Bashkësisë së krishterë të cilës i përket pala jo katolike) në gjashtë muajt e fundit me shënimin e gjendjes së lirë nga ana e famullisë së origjinës.
  • Dëshmi krezmimi (nuk është e domosdoshme, por e rëndësishme) për palën katolike.
  • Çertifikatë personale e të dyve nga gjendja civile e gjashtë muajve të fundit,
  • Çertfikatë martese nëse është bërë martesa në gjëndje civile;
  • Për ata që janë jashtë shtetit duhet edhe një vërtetim i gjendjes së lirë nga famullia apo dioqeza ku jetojnë ose mund të bëhet me betim nga persona që kanë jetuar me të fejuarit dhe i njohin mirë në periudhën që kanë qenë jashtë shtetit;
  • Për ata që kanë qenë të martuar në gjendje civile, por jo në Kishë, dhe kanë bërë divorc duhet dokumenti i divorcit i lëshuar nga gjykata;

3

Martesa me mospërputhje kulti është martesa ndërmjet një të pagëzuari në Kishën Katolike apo i pranuar në të me akt formal dhe një të papagëzuari (që mund të jetë me origjinë të krishterë apo jo të krishterë). Dokumentat që kërkohen në këtë rast janë këto:

 

  • Dëshmi pagëzimi për palën e pagëzuar e nxjerrë nga amzat e famullisë përkatëse në gjashtë muajt e fundit me shënimin e gjendjes së lirë nga ana e famullisë së origjinës për palën katolike
  • Dëshmi krezmimi (nuk është e domosdoshme, por e rëndësishme) për palën katolike.
  • Çertifikatë personale e të dyve nga gjendja civile e gjashtë muajve të fundit,
  • Çertfikatë martese nëse është bërë martesa në gjëndje civile;
  • Në rast se pala e papagëzuar ka qenë një here e martuar në gjëndje civile me një tjetër të papagëzuar atëherë duhet një proces tjetër që shpjegohet në momentin e paraqitjes nga ana e meshtarit.

Është e udhës që martesa të kremtohet në famullinë e njërit prej të fejuarve. Ka një prirje për të gjetur “kishat e bukura”. Martesën nuk e bën të bukur kisha me tulla, por dy të fejuarit dhe entuziazmi që ata kanë për jetën dhe familjen.

Po ashtu në bazë të vendimeve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë kërkohet një ofertë prej 5000 lekësh për çdo martesë e cila do të mbulojë shpenzimet e ndryshme zyrtare dhe materiale gjë duhet të bëhën gjatë përgatitjes dhe kremtimit të martesës.

Guxo të thuash JO!

Nëse nuk ndjehesh i/e gatshëm/me, apo ndjen se është herët për një vendim të tillë; nëse sadopak kanë ushtruar ndikim të dhunshëm në ty, fizik apo psikologjik! Ki guximin e flit me famullitarin tënd! Ki guximin dhe prit!

Nëse nuk din asgjë për djalin i cili ka jetuar shumë vite jashtë shtetit, por thjesht ta kanë prezantuar familja apo të afërm të tjerë: Mos u ngut! Njihe mirë, njih të kaluarën e tij, jetesën e tij. Ki guximin të pyesësh, të presësh dhe të thuash: jo, dua të pres! Mos i krijo vetes befasi të pakëndshme! Ka ndodhur jo rrallëherë që shumë persona që kanë jetuar jashtë për shumë kohë kanë pasur martesa e fëmijë e më pas kanë dashur të martohen me një vajzë të re në Shqipëri që ia ka gjetur familja. Mos u bëj mall pa vlerë!

Nëse sheh se sapo jeni lidhur në fejesë i fejuari yt ka filluar të ushtrojë kontroll mbi jetën tënde, mbi mendimet apo hyrjet dhe daljet e tua, madje edhe nga jashtë shtetit duke komanduar jetën tënde nëpërmjet telefonit. Mos u nxito! Nëse është kështu para martesës kush të garanton se do të jetë më mirë pas martesës?

Njihe mirë të fejuarin/ën tënd/e. Keni një jetë përpara. Mos u besoni atyre që thonë: “po ça ka nevojë me e njoft përpara aq shumë ja unë me burrin/gruan time nuk jemi njohur, por kemi kalu mirë”. Ti ke historinë tënde dhe jetën tënde. Atëherë ishin kohë dhe rrethana të tjera. Njohja është e domosdoshme për një martesë të lirë. Ti ke nevojë të dish se sa kulturë ka, sa di të respektojë njerëzit, veten e vet, trupin tënd dhe trupin e tij. Guxo të njohësh!

E në fund!

Në rastin kur të fejuarit nuk janë të përgatitur apo të gatshëm dhe nuk kanë vetëdijen e mjaftueshme për martesën që po kryejnë apo përjashtojnë karakteristikat themelore të saj sikurse janë besnikëria, pazgjidhshmëria, lindja e fëmijëve, uniteti i saj, apo kur martesa nuk është e lire, atëherë në këto raste nuk ekziston një e drejtë për kremtimin e martesës. Prandaj, qoftë nga ana e çiftit e qoftë nga ana e atyre që kujdesen për përgatitjen e martesës, duhet bërë kujdes që këto kushte të plotësohen të gjitha. Në raste se ka dyshime të themeluara atëherë është më mirë që martesa të shtyhet për një kohë tjetër derisa të krijohen rrethanat e përshtatshme në mënyrë që më pas të mos lindin probleme.

Në rastin kur të fejuarit apo të dashurit kanë bërë përgatitjen e duhur atëherë:

rrugë të mbarë në këtë aventurë të mrekullueshme!

Previous MJERIMI LUFTOHET ME ANË TË VARFËRISË
Next A KA NDRYSHUAR PAPA FRANCESKU DOKTRINEN RRETH ABORTIT?

Sugjerime