MJERIMI LUFTOHET ME ANË TË VARFËRISË

MJERIMI LUFTOHET ME ANË TË VARFËRISË

Peregrinus_uneNga Gjergj Meta

E dyta, pra varfëria, mund edhe të zgjidhet e kthehet në një vlerë e një mundësi për të jetuar thelbin e gjërave. Në fakt edhe Jezusi ka zgjedhur për veten e tij një stil jete të varfër, zgjedhjen e të cilit e kanë pasuar shumë të tjerë në historinë e krishtërimit, të cilët janë edhe njerëz që kanë ndikuar në jetën e globit, sikurse Shën Françesku i Asizit apo Nënë Tereza e Kalkutës. Edhe sot e kësaj dite ka ende njerëz që zgjedhin një stil jete të varfër, duke jetuar në bashkësi e me gjëra thelbësore për t’i kujtuar vetes dhe ne të tjerëve se është i mundur një stil jete ku pasuria apo kërkimi i saj nuk janë gjithçka, madje mund të jenë një pengesë drejt kërkimit të kuptimit të jetës dhe plotnisë së saj.

E kundërta pothuajse ndodh me mjerimin. Ne kemi edhe këtë fjalë në shqip e cila me shumë gjasa e gjen origjinën e saj etimologjike te fjala latine miseria që është një gjëndje jete e cila ka të bëjë me vuajtjen, me mospasjen e gjërave, me mungesën e kushteve minimale për të jetuar e për t’u garantuar të tjerëve përreth teje jetesën. Mund të tregojë edhe një gjëndje shpirtërore apo psikike të rënduar. E kjo është një gjëndje e cila nuk mund të zgjedhet, por duhet të luftohet me të gjithë mënyrat. Mjerimi është armik i popujve, i inidvidëve, i bashkësive, i familjes, në fund të fundit i vetë njeriut si i tillë.

Atëherë unë mendoj se për të luftuar mjerimin ne duhet të kthehemi në një mënyrë jetese të varfër duke e zgjedhur varfërinë si një rrugë solidariteti në të cilën unë jetoj me më pak që dikush tjeterë të ketë të nevojshmen. Sigurisht në një botë si kjo e jona të bësh këtë zgjedhje është për shumëkënd një shkandull, ose të paktën një non sens. Thirrja për varfëri nuk është një thirrje për mjerim, por është një mundësi që i japim vetes për të ndarë me të tjerët pasuritë tona.

Për Kishën aktualisht kjo është shumë e rëndësishme më duket. Qysh në fillimet e tij Papa Françesku ka një ëndërr: “Ah sa do të doja një Kishë të varfër për të varfërit”. Shumëkush e pa me simpati e ndoshta dikush me shkandullí këtë psherëtimë jashtë tekstit të Françeskut, por shumë pak prej nesh, ndoshta edhe ne si Kishë, pak kemi hyrë realisht në këtë logjikë. Kjo logjikë nuk duhet parë, sipas mendimit tim, si një modë që duhet të kalojë me këtë Papë. Është e ardhmja e Kishës dhe e qasjes së saj ndaj botës. Një mënyrë për të luftuar atë shpirt të botës, mondanitetin shpirtëror, që përfshin edhe të krishterët, është pikërisht kërkimi i një jete sa më esenciale në të cilën në qendër është Krishti e jo vetja ime, e aq më pak gjërat e mia.

Shpesh çka nuk kemi është më e rëndësishme se sa ato gjëra që kemi e që na janë dhënë. Të rendësh drejt diçkaje që nuk e ke është si të luftosh me mullinjtë e erës. Zbulimi i asaj çka ne kemi brenda nesh si një pasuri e madhe na bën të vlerësojmë jetën, gjërat që përditë na vijnë në një mënyrë apo në një tjetër. Një jetë esenciale është arma më e mirë kundër veseve e kundër pështjellimit që shpesh sulmon jetën tonë.

Unë shoh si një rrugë mjaft të mundshme, për të sjellë dashurinë e Zotit në jetën tone, krijimin e bashkësive të cilat jetojnë me një stil jete unjgillor, në solidaritet me njëri-tjetrin e në varfëri materiale. Por në të njëjtën kohë në gëzimin e njerëzve që kanë në zemër dashurinë e Zotit e dashurinë për njëri-tjetrin. Ky është një rikthim në atë frymë të bashkësisë së parë të krishterë e cila “shiste pasuritë që kishte dhe ua ndanin të gjithëve sipas nevojës së secilit” (Vap 3,45). Mund ta kuptoj se realiteti aktual shkon shumë kundër një logjike të tillë, por unë jam i bindur se ka rrugë dhe hapësira për një stil jete vërtet solidar dhe të varfër, për të luftuar kësisoj mjerimin e sidomos mjerimin më të madh të çdo mjerimi: mungesën e dashurisë, për të cilën shumë vëllezër e motra tanë kanë një nevojë të domosdoshme.

Previous A I KE DITUR KËTO GJËRA RRETH SHËN INJACIT TË LOJOLËS?
Next Martesa në Kishë? Edhe po edhe jo!

Sugjerime