ISHIN SI DELET PA BARI – E djela XVI gjatë Vitit

ISHIN SI DELET PA BARI – E djela XVI gjatë Vitit

SC0A2156Ungjilli (Mk 6, 30-34)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.

Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbtën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

nje koment …..

Sa e bukur është kjo pamje e apostujve që mblidhen përreth Jezusit dhe i tregojnë gjithçka që kanë përjetuar në apostullatin e tyre. Është e vërtetë: për atë që dëshiron t’i shërbejë me sinqeritetin e zemrës, Jezusi gjendet gjithmonë në qendër, është Ai prej të cilit niset dhe te i cili kthehet. Duket sikur i shohim ata vetë të tregojnë, me mahnitjen e fëmijëve, se për sa dhe çfarë mrekullish kanë qenë dëshmitarë; duket sikur i shohim duke bërë garë për të bashkëndarë me Mësuesin e mikun aq të dashur atë që falë Tij kanë parë të realizohet. Dhe Mësuesi, me ëmbëlsinë e pafundme që e karakterizon, i fton të shkojnë me Të veçmas, që të pushojnë pak. Duket sikur në këtë ftesë i përqafon të gjithë njëkohësisht dhe i shtrëngon pranë Zemrës së Tij sepse, pas mundimit të apostullatit, vetëm në intimitetin me Të është e mundur të gjendet pushim. Por turma nuk dorëzohet dhe i ndjek, e, edhe një herë e prek Zemrën e Tij që nuk mbetet mospërfillëse para nevojës së njeriut, madje është pikërisht nevoja e tij ajo që e tërheq dhe e prek. Jezusi na do aq shumë sa nuk mund të rrijë pa u ndalur me ne…

… dhe një angazhim

Do të kërkoj disa momente, gjatë ditës, në të cilat të rri vetëm me Jezusin, duke i hapur zemrën dhe duke kërkuar paqen në Të.

 (marre nga Mesha e perditshme e QKTH)

Previous EDHE ZOTI PUSHOI …
Next PAPA PO GABUAKA?!

Sugjerime