MË NGASHËNJEVE O ZOT

MË NGASHËNJEVE O ZOT

dom GJovaliniNga Dom Gjovalin Simoni

Shumë i dashur Dom Kledi,

të dashur vëllezër në meshtari, të dashur prind e familjarë të Kledit dhe ju të dashur besimtarë që sot keni ardhë me e gëzu dom Kledin dhe familjen e tij. Sot asht ditë e bekuar prej Zotit, sepse Zoti ndërhyn në historinë jetës së dom Kledit e të këtij vendi, të Vermoshit duke lënë një shenjë të përjetshme që asht Meshtaria. Jeni me fat edhe ju, të dashur besimtar të Vermoshit se Zoti ka hedh sytë kah ju, në këtë vend të mrekullueshëm, por edhe të largët, duke zgjedhe një bashkëpunëtor të tijin, dom Kledin. Kjo është mrekullia e Zotit, që edhe pse jemi të vegjël e të largët Zoti na zgjedh për me ba gjëra të mëdha me ne. Ashtu siç thotë Maria në këngën e vet, “punë të mëdha bëri Zoti për mua!”

Le të hyjmë tani në leximet që ti vete ke zgjedhë dom Kledi, sepse në një farë mënyrë ato janë për ty vend i takimit tënd me Zotin, i një takimi personal, dhe që do të kthehesh për t’i medituar sa herë që ta falënderosh Zotin për këtë ditë.

Leximi i parë i marrë nga Jeremia profet: Më ngashënjeve o Zot e unë e lashë veten të ngashënjehem, tregon më së miri besoj këtë Dashuri të parë që ti Dom Kledi ke provuar me Zotin që të ka takuar një ditë dhe ta ka fituar zemrën. Besoj se ky ka qenë edhe fillimi i thirrjes sate dhe i çdo thirrjeje: dmth kjo mahnitje ose ky ngashnjim dashurie duke të thënë “ se ti ke ardhur në këtë botë falë një plani që Zoti ka menduar për ty, ku ti sot fillon ta vësh në shërbim si meshtar.” Atëherë ti nuk je rastësisht  këtu sot, por Zoti të ka dashur në përjetësi, të ka menduar dhe të ka caktuar një mision, sepse ka besim tek ti.

Me siguri që gjatë ecjes sate edhe ti si Jeremia ke pas ato momentet e luftës, ku ke dashur t’i ikësh përballjes së kësaj sfide, sepse ndoshta je ndjerë jo i denjë, ke pas frikë nga dobësia jote, por gjithsesi, Ai të do ashtu siç je, me këta të mira dhe me këta dobësi, sepse ka përcaktuar një mision për ty. Edhe në këtë luftë Zoti ta ka fituar zemrën “Zoti qe më i fortë se ti dhe të ka mbizotëruar”. E ti je dorëzuar, ke zgjedhë me shiju mahnitjen e tij, me i’u dorëzu dëshirave e me i’u shmang frikave. Besoj se ke zgjedhë pjesën me të mirë. Një pjesë tjetër biblike ku shprehet  kjo luftë, ashtë ajo e Jakobit me Zotin, dhe në fund edhe Jakobi dorëzohet dhe mbetet i çalë, d.m.th. Zoti i lë nji shenjë, për t’i treguar se Ai është Zoti. E kjo ashtë shenjë dashurie. Edhe ty Zoti të ka nda në shenjë, për vete, duke të shuguruar dje me vajin e shenjtë. Ti tashmë i përket atij përgjithmonë. Kjo ashtë lufta e dashurisë së Zotit dhe e nga ana tjetër e frikave tona që na bëjnë me i rezistue kësaj lufte dashurie.

Psalmi– Edhe pse gjatë ecjes shpesh herë ndoshta kjo mahnitje është dukur sikur është fikur- ku Zoti ishte më pak i pranishëm- kjo ndoshta sepse Ai ka dashur që ti të kesh etje për të, sepse edhe në jetën e shenjtërve kjo është edhe pedagogjia e Zotit. Prandaj edhe në Psalmin e ditës që ti ke zgjedh, kemi dëgjuar se si “shpirti im ka etje për Zotin”, sidomos në momente thatësire. Ti që je rritë në këto bjeshkë dhe në mes burimeve, mund ta kuptosh ma mirë shijen e një uji, të freskët dhe të gjallë. Prandaj mos u lodh kurrë së kërkuari nga ky ujë, sikur samaritania te pusi. Do të vijnë momentet e thatësirës, të vetmisë, të zhgënjimit dhe të lodhjes, por gjithmonë ftesa e Jezusit bahet puhizë e lehtë dashurie. “Ejani tek unë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë, sepse do t’ju çlodh”. Mos harro që burimi i jetës së një meshtari ku e merr ujin e freskët si forcë për udhëtimin e tij, është Lutja. Prandaj meshtari mbi të gjitha është njeri lutjes, është edhe ndërmjetës, sepse shumë njerëz do të kërkojnë që të lutesh për ta. Pra do ti çosh edhe të tjerët tek ky burim uji të gjallë.

Ungjilli. Në pjesën e Ungjillit që sapo dëgjuam bien në sy dialogu mes Krishtit të ringjallur dhe Pjetrit. Nuk ka qenë aspak e lehtë për Pjetrin me i dalë para Krishtit pas asaj nate kur tri herë e ka mohu. Por përballja me Fytyrën e Mëshirshme të Krishtit fal, shndërron dhe ripërtërin mëkatarin e penduar. Sa herë edhe jemi gjetë në këtë situatë kur kemi mendu se tash asht e tepërt që Zoti të më falë pas asaj që kam bërë. Por megjithatë Zoti e tejkalon mendimin dhe frikën gjykuese tonën dhe hap krahët e mëshirës. Në këtë dialog Krishti e pyet Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta”? Kjo pyetje jo vetëm se shpreh pikësëpari dashurinë e Zotit që niset drejt nesh, por është një dashuri edhe kërkuese: më shumë se këta. Zoti kërkon që ta duam me krejt jetën tonë dhe jo pjesërisht, ta duam si Zotin e jetës sonë dhe mbi të gjithë, ashtu si i ka kërku popullit të Tij: “Duaje Zotin Hyjin tënd me gjithë zemër, me gjithë, me gjithë mendje e me gjithë forcat e tuaja”. Gjatë këtyre viteve edhe për ty Dom Kledi kjo dashuri është bërë e veçantë, dhe dje me shugurimin tand i ke dhanë besën Zotit, se do ta duash mbi gjithçka. Pas pohimit të Pjetrit që e do, Jezusi e drejton këtë dashuri nga grigja e Tij, d.m.th nuk qëndron në një marrëdhënie intime veç mes Pjetrit e Tij, por që dashuria e Zotit, do që të përfshijë edhe të tjerët: me fjalët: “Kulloti qengjat e mi”. Atëherë Dashuria për Zotin bëhet realitet, kthehet në vepër, në vepër dashurie. Ashtu si na thotë edhe Nanë Tereza: “Të bahesh syri i Zotit që i shef me dashuri tëtjerët, Dora e Zotit që përkëdhel ata që nuk ndihen të dashur, këmba e Zotit që shkon pas deles së humbur”. Kjo ashtë ajo që Jezusi i kërkon Pjetrit: Një dashuri me zemër besnike për Zotin por që shprehet në dashurinë për të afërmin. Kjo asht edhe jeta e meshtarit d. Kledi, gjithmonë i lidhur me Zotin por vazhdimisht i gatshëm për t’u shërbyer vëllezërve.

Dhe në fund të uroj me fjalët e Papa Françeskut kur flet për gëzimin si një ndër shenjat më të bukura të jetës së meshtarit të dashuruar me Zotin dhe të përkushtuar ndaj shërbimit të njerëzve:

gëzimi i vërtetë nuk vjen nga gjërat që kemi, jo! Lind nga takimi, nga marrëdhënia me tjetrin, lind nga fakti se ndihemi të pranuar, të kuptuar e të dashur; dhe kjo nuk është për një interes çasti, por vetëm për tjetrin sepse tjetri është person. Gëzimi atëherë lind nga një takim falas, nga fakti se dikush na thotë: “ti je i çmueshëm për mua!” Kjo është bukuria e gëzimit! Kjo ashtë bukuria e shërbimit meshtarak. Amen.

 

Previous Zoti ka facebook dhe është addicted… ;-)
Next Hapat që duhet të kapërcehen për rritjen e fëmijëve

Sugjerime