Aurel Plasari shkruan shqip dhe “shkencisht”

Aurel Plasari shkruan shqip dhe “shkencisht”

libri i plasaritNga Peregrinus.al

Me kënaqësi mora sot pjesë në promovimin e librit të ri të Aurel Plasarit “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II” alias “Karta europiane e identitet shqiptar”. E pikërisht nga këtu, nga kjo ID (kartë identiteti), niset reflektimi mbi këtë libër prej Persida Asllanit, Drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, e cila i atribuon librit të Plasarit misionin e zbërthimit të këtij kodi që qëndron në këtë ID europiane të shqiptarëve e cila nis shumë herët, sikurse thotë vetë autori, si një realitet pjesëmarrës e pjesëdhënës i Europës. Kjo vepër për Pirro Mishën, i cili është edhe botuesi i saj, vë në dukje se shqiptarët janë pjesë e konceptit modern të Europës e cila zë fill pikëirsht në këtë kohë kur ka jetuar humanisti Enea Silvio Piccolomini më vonë Papa Piu II. Ky i fundit si humanist farkëtohet ndërmjet librave dhe përvojave jetësore, thekson Persida Asllani. Në fakt kush ka mundur ta ndjekë Plasarin edhe në postimet e tij në fb, herë pas here ai na eglendiste me ndonjë pasazh nga shënimet e Piccolominit kur ai ende nuk ishte papë. Ky libër, së bashku me veprën tjetër të Prof. Plasarit, “Skëndërbeu”, përbën një kontribut të rëndësishëm në shkrimin e historiografisë shqiptare. I këtij mendimi është edhe akademikja Floresha Dado e cila shikon dy shtresa të rëndësishme te ky libër: së pari problematikën shkencore që trajton dhe së dyti metodologjinë e përdorur nga prof. Plasari çka i jep edhe origjinalitet veprës së tij.

Promovimi i këtij botimi ishte një bashkëpunim ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Shtëpisë së librit të drejtuar nga botuesi Pirro Misha. Është një bashkëpunim që i hap rrugën një koncepti të ri të studimeve akademike të cilat shihen edhe si kontribute jashtë akademisë. Patjetër që asnjë botues nuk mund t’i thotë jo Aurel Plasarit. Personalisht e kam ndjekur qysh herët me botimin e Vijës së Teodosit, më vonë me Fenomenin Voskopojë, apo me shkrimet e tij rreth Europës, me veprën “Skëndërbeu” e tani së fundmi me veprën për identitetin europian të shqiptarëve në një kohë si ajo e Piu II.

Euorpa për Plasarin sipas relatorëve është një bashkësi sa politike aq edhe ekonomike e shpirtërore. Në këtë liber, ndeshjet ballkanike janë ndeshje botësh e sipas Agron Gjekmarkajt edhe kryqëzatat në kohën e Piut II rickonceptohen si përplasje ndërmjet qytetërimesh, sidomos sa i përket luftës ndaj Perdandorisë turke.

Vepra e Plasarit sipas Gjekmarkajt në vazhdim me Vijën e Teodosit dhe shkrimet të tjera si Rrëmbimi i Europës dhe Europa si shpirt, përshkohet nga një shpirt europian. Europianiteti dhe antieuropianiteti janë dy skajet në të cilat lëviz puna kërkimore e Plasarit në lidhje me këtë temë.

Prania e shumë akademikëve dhe njerëzve të letrave në këtë promovim ishte dëshmi e një simpatie që vepra e Plasarit ngjall në arealin e botimeve shqip. Në fakt ai është një mjeshtër i përdorimit të gjuhës shqipe e cila shpreh shumë bukur edhe përmbajtjen serioze të kërkimit të tij shkencor. Eleganca e shprehisë së Plasarit i bën librat e tij në të njëjtën kohë elitarë dhe të lexueshëm nga të gjithë. Këtë ai e ka dëshmuar në shumë raste, qoftë në shkrimet e tij historike e qoftë në publicistikën e tij, jo rrallëherë therëse dhe e idhët, por jo inatçore apo përgojuese.

Sigurisht vepra e tij si vepra e çdo studjuesi është objekt kritike dhe patjetër ka vend për të debatuar, por gjithë çështja është se duhen instrumentat e nevojshëm që të hyhet në debat dhe po nuk i pate këto instrumenta ose e paragjykon veprën ose bëhesh qesharak nëse i hyn një pylli pa spatë. Është e nevojshme atëherë që kritikët, historianët apo njerëz që e njohin këtë fushë të dalin e të hedhin tezat dhe hipotezat e tyre në lidhje me çka Plasari thotë në librin e tij “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II” . Lexim të këndshëm!

Previous ZOTI ËSHTË XHELOZ APO ZILIQAR?
Next U dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë - e Djela XV gjatë Vitit

Sugjerime