ZOTI ËSHTË XHELOZ APO ZILIQAR?

ZOTI ËSHTË XHELOZ APO ZILIQAR?

Peregrinus_uneNga Gjergj Meta

Ndër fjalët që shpesh përdoren për të përshkruar Hyjin në Bibël dhe që gjithmonë më ka bërë një farë përshtypje është fjala xheloz.

Në përdorimin njerëzor kjo fjalë nuk është se ka ndonjë ngjyrim pozitiv. Në përgjithësi xhelozia shihet si një ndjenjë negative që pushton njerëzit në marrëdhëniet e shoqishoqme e sidomos në marrëdhëniet në çift. Fjalori i gjuhës shqipe fjalës xhelozi i jep dy kuptime. I pari ka të bëjë me një ndjenjë nga e cila vuan dikush, kur dyshon për dashurinë ose për besnikërinë e bashkëshortit apo bashkëshortes, a të njeriut të dashur. Kuptimi i dytë ka të bëjë me një këmbëngulje të madhe për të mbrojtur a për të ruajtur diçka (me xhelozi).

Fjala xhelozi shpesh ngatërrohet me smirën apo zilinë. Të jesh xheloz ndaj dikujt shpesh mendohet se do të thotë të jesh ziliqar ndaj dikujt. Por xhelozia dhe zilia janë dy gjëra të ndryshme. Zilia është një zvetënim i natyrës, madje e quajnë edhe motra e urrejtjes, sepse u përket atyre njerëzve që ndjehen keq për të mirën e dikujt tjetër. Ndërsa njeriu xheloz është ai i cili ka frikë se mos dikush i merr atë që është e tija e si rrjedhojë ndjen kundërshti ndaj personit që ai mendon se do t’i rrëmbejë çka i përket. Sikurse shihet është shumë i qartë dallimi midis këtyre dy situatave. Në këtë pikë duket se përkthyesi i Biblës në shqip ka përdorur në mënyrë jo fort korrekte këto fjalë duke vendosur në vend të fjalës xheloz fjalën ziliqar (si p.sh. në Dal 20,5; 34, 14; Lp 4,24; 5,9; 6,15 etj). Megjithëse për hir të së vërtetës edhe përdorimi i kësaj fjale, me gjithë kuptimin e saj, e ka njëfarë të drejte, pasi në kulturat përreth Izraelit në fakt hyjnitë pagane ishin ziliqare për lumturinë e njeriut e për këtë arësye njeriu i ofronte atyre dhurata e sakrifica për t’i zbutur. Një element ky që gjendet madje edhe deri në kulturat e vjetra të Amerikës së Jugut. Patjetër që shprehitë dhe kultet pagane përreth Izraelit kanë ndikuar në fjalorin biblik.

Në rastin e Biblës megjithatë ne nuk mund të themi se Zoti është xheloz apo ziliqar për lumturinë e njeriut. Përkundrazi ai e don lumturinë e tij dhe gëzimin e tij, pasi Hyji biblik i ofron njeriut miqësinë e tij (Zan 15,6; Iz 41,8; Gjn 15,4), një miqësi që ai nuk e tradhëton kurrë dhe që është e shënuar nga besnikëria absolute e Hyjit. Madje Hyji i ofron atij një Beslidhje e në këtë Beslidhje edhe bekimin e tij.

Në Shkrimin e shenjtë thuhet në disa raste se Zoti është xheloz. Mund të përmendim p.sh. Librin e Daljes: “Mos i adhuro as mos i jep farë nderimi (idhujve) sepse unë Zoti Hyji yt jam një Zot xheloz (ziliqr përkthen varianti i Simon Filipajt) (Dal 20,5).

Por për çfarë është xheloz Hyji?

Mund të na vijë në ndihmë ndoshta një pohim i Jezusit në Beslidhjen e re. Ja se çfarë pohon ai: “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjëve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose do t’i mbështetet njërit dhe tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë”. (Mt 6, 24). Jemi në një kontekst në cilin filtet për kujdesin ndaj jetës dhe sigurisë për të ardhmen dhe ku e ardhmja për shumkënd është e mbështetur në të veshur e në të mbathur, në akumulimin e pasurive që hanë të gjitha energjitë e njeriut, që e bëjnë atë të identifikohet me atë çka ka dhe jo me atë çka është. Në këtë pikë Hyji bëhet xheloz, sepse njeriu vendos në qendër të jetës së tij jo marrdhënien me të, por një marrëdhënie rremendëse me pasurinë. Njeriu në kërkim të pasurimit të vazhdueshëm e shikon sigurinë e jetës së tij në këtë pasuri, i mbështetet asaj, d.m.th. krijon besim te ajo. E kjo është idhujtari. Pikërisht për këtë arësye ungjilli më tej vazhdon: “…mos u brengosni për çka do të hani e çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta juaj më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku?”. Kujdes! Nuk thuhet mos punoni, por mos u shqetësoni, çka ka të bëjë me atë ankth që përfshin njeriun duke e marrosur pas pasurisë dhe akumulimit të saj. Kur pasuria kthehet në një idhull atëherë Hyji bëhet xheloz, sepse ajo rrëmben zemrën e njeriut (Mt 6,21: aty ku është thesari yt aty do të jetë edhe zemra jote). Shqetësimi për pasurinë e kthen njeriun në një qënie të palumtur dhe e largon nga Zoti. Atehërë “ndjenjat” e Hyjit bëhen të zjarrta, Ai pra bëhet xheloz, sepse njeriu “mbështetet” (ka besim) tjetërkund dhe jo në Të.

Por ka edhe diçka të fundit. Është interesant fakti që fjala xheloz dhe fjala zell kanë të njëjtën rrënjë nga greqishtja zelotos. Atëherë mund të themi se xheloz do të thotë edhe se Hyji është i zellshëm për njeriun dhe këmbëngul (një nga kuptimet që i jep fjalori shqip) që me njeriun të arrijë obkejtivin e tij, dmth t’i japë atij krejt dashurinë e tij. Xhelozia e Hyjit është edhe zelli i tij, këmbëngulja pritëse, e njëjtë me atë të atit që priste t’i kthehej i biri që ishte larguar dhe të cilin e fal pasi është kthyer (Lk 15,11-32). Sa bukur do të ishte sikur këtë kuptim të xhelozisë hyjnore ta përçonim edhe në marrëdhëniet tona ndërnjerëzore?

Kështu Hyji xheloz është Hyji i mëshrishëm dhe njeridashës.

Previous ISHA NË BURG DHE ERDHËT TE UNË
Next Aurel Plasari shkruan shqip dhe “shkencisht”

Sugjerime