ISHA NË BURG DHE ERDHËT TE UNË

ISHA NË BURG DHE ERDHËT TE UNË

isha ne burgNga Gjergj Meta

Nuk ma mori mendja në fakt se një postim i imi në facebook rreth ngjarjes së trishtuar dhe mjaft të ndërlikuar të vrasjes së turisëtve çekë në Prekal të Shkodrës, të kishte një impakt në shtypin elektronik dhe në rrjetet sociale.

Nuk po i hyj detajeve të ngjarjes e cila duket, deri tani të paktën, para syve të të gjithëve shumë e qartë, së paku ashtu si na e kanë përcjellë mediat. Pozicionimi im për këtë ngjarje para se të kapej autori i prezumuar i krimit, ishte ai i të gjithëve duke thënë se kjo ngjarje është e shëmtuar dhe e turpshme, sidomos për faktin që viktimat ishin të huaj. Një istikt mikpritjeje, që vjen nga traditat ku jam rritur, më shtynte për ta dënuar ashpër veprimin. Premja e mikut në besë është një gjë e rëndë në mendësinë e një populli i cili ka jetuar brenda një sistemi juridik autonom për shumë shekuj, jo larg së drejtës mesjetare europiane. E po ashtu ky delictum, pra premja në besë e mikut, kishte edhe dënime të rënda në sistemin kanunor. Ishte katundi ai i cili merrte hak për premjen e mikut në besë. E gjithë kjo ADN dokësore nuk ka se si të mos ndikojë në reagimet e çdonjërit prej nesh kur ndodhin situata të tilla.

Në atë kohë, sikurse edhe sot, roli i Kishës ka qenë ai i një realiteti që shkon përtej. Ajo me anë të meshtarëve që punonin në zonat veriore, e gjendur përballë një rrënjosjeje të thellë të sistemit dokësor nuk mund të bënte më shumë se sa të zbuste sa të ishte e mundur efektet. Prandaj edhe misionarët e parë të pajtmit janë priftërinjtë, fretërit françeskanë e jezuitë të cilët në net festash të mëdhaja, sikurse festa e shën N’kollit, e Zojës apo e shna Ndout të dimrit e të verës, të Shmasjanit e të shën Gjonit të Shalës, e në raste të tjera përfitonin për të shpallur të themi një amnisti, një thirrje për t’u falur gjaqet. Kjo ndodhte nga vetëdija që Kisha kishte se hakmarrja, vrasja, nuk janë aspak në nder të njeriut dhe të dinjitetit të tij, të vokacionit të tij fillestar si rojtar i jetës dhe jo vrasës i saj.

Në sistemin modern gjërat kanë ndryshuar, por jo thelbi i tyre. Kapja e djaloshit dukagjinas, ishte një lloj lehtësimi për të gjithë ne. Kjo për shumë arësye. E para, sepse ishte një çështje drejtësie për turistët çekë e së dyti, sepse një person i tillë është i rrezikshëm për shoqërinë. Deri këtu është një çështje drejtësie dhe kjo është ajo çka duhet të bëjnë organet e drejtësisë nga policia, te prokuroria, gjykatat dhe avokatia: të zbatojnë drejtësinë brenda kontureve të legjislacionit shqiptar.

Por ka diçka më shumë që qoftë policia, qoftë gjykatat, qoftë prokuroria apo qoftë opinion publik nuk mund të shkelin: dinjiteti njerëzor i Sokolit dhe kjo ka të bëjë me një drejtësi të epërme. Një opinion publik gati-gati në limitet e një histerie kolektive, fatkeqësisht i ushqyer edhe nga ndonjë lider politik që kërkonte sindormën e monstrës, u kthye në një valë pothuajse të papërmbajtshme gjykuese e dënuese: “Oburra në kërkim të monstrës; Ta vrasim monstrën!” Ky është një turp i dytë pas atij të Sokolit.

Këtu gjykimi ndalet, nuk është më çështje e gjykatave e as e shtetit. Njëherë që ai njeri është në burg dhe ka marrë dënimin për veprat e veta hyn në lojë një ligj tjetër që përmbush të parin dhe i jep kuptim atij. Askush nuk mund ta zhveshë apo ta grabisë Sokolin nga dinjiteti i tij, sepse bën njëkrim njësoj si ai i Sokolit. Askush nuk mund ta prekë Kainin (Zan 4,15). Të ndash veprimin nga personi është edhe kjo një çështje drejtësie. Askush prej nesh nuk është veprimi apo veprimet e tija. Unë nuk jam ajo çka bëj.

Për një të krishterë këtu luhet shpëtimi i shpirtit të tij. Jo pa qëllim vendosa si titull të shkrimit tim një fjali nga Ungjilli i Mateut (Mt 25,36) ku përshkruhet gjykimi i fundit. Krishti, që për të krishterët është Zot, në citimin e mësipërm identifikon veten e tij me një të burgosur. Çdo herë që shkojmë e shohim një të burgosur, kemi shkuar të takojmë vetë Krishtin.

Mëshira është një atribut hyjnor e neve na kërkohet t’i përshtatemi dhe jo ta paragjykojmë apo aq më keq ta mohojmë mëshirën e Zotit dhe mundësinë e kthimit të mëkatarit. Kjo do të thotë në planin praktik se Kisha ka për detyrë t’u shërbejë edhe atyre që janë të burgosur, t’u lajë këmbët atyre, pavarësisht nga ajo çka kanë bërë dhe të mos ua mbyllë dyert e faljes dhe të mëshirës. Por nuk është vetëm Kisha. Shoqëria nuk mund të heqë dorë nga “monstrat”, madje duhet të jetë e kudjesshme të mos i krijojë ata. A e kemi pyetur ndonjëherë veten pse Europa dhe Amerika insistojnë në kushtet e mira të burgjeve? Sepse në bazë është motivi i të drejtave të njeriut. Një dënim të parë nuk mund ta rëndosh me një të dytë. Unë mundohem të kuptoj ata që e kanë të vështirë të hyjnë në këtë mendësi, por duhet një përpjekje sado e vogël që njeriu të mendojë thjesht si për veten e tij. A nuk do të donim që çdonjërit prej nesh kur gabojmë shumë apo pak t’i jepej një mundësi e dytë, e tretë e kështu me rradhë, me shpresën se një ditë do t’ia dalim. A thua e kthejmë në jetë çiftin çek nëse Sokolit i marrim jetën apo e trajtojmë atë si “monster”, pra përbindësh? Çfarë kemi zgjidhur? Nëse këtë mundësi e duam për veten tonë, për të afërmit tanë, pse nuk e kërkojmë edhe për tjetrin?

Unë kam shkuar në burgje shpesh në këto vite si prift. Kam bërë biseda me të burgosur, kam folur, kam thënë meshën në burg, kemi lexuar fjalën e Zotit aty brenda. Aty ka edhe psikologë, por ka edhe policë. Aty brenda ka njerëz e shoqëria jonë, ne që jemi të lire, nuk mund të themi: ata janë monstra! Një ditë mund t’i qëllojë secilit prej nesh.

Me këtë nuk dua që Bibla të zëvendësojë ligjet e shtetit. Ky do të ishte atentat ndaj laicitetit të shtetit dhe të sistemit gjyqësor që aq shumë e kemi për zemër në Europë. Ata duhet të funksionojnë në mënyrë autonome, por secila ka vendin e vet në këtë shoqëri e secili ka “priftërinjtë” e vet!

Previous Famullitari i ri i Shën Domenikut - Durrës!
Next ZOTI ËSHTË XHELOZ APO ZILIQAR?

Sugjerime