Të hapen dyert e mëshirshme të Kishës për të divorcuarit

Të hapen dyert e mëshirshme të Kishës për të divorcuarit

gjushiInterviste me Imzot George Frendo O.P., Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë-Durrësit

Imzot ju jeni i zgjedhur nga Ipeshkvijtë e Shqipërisë dhe i miratuar tashmë nga Ati i Shenjtë si anëtar i Sinodit të Ipeshkvijve që do të mbahet në tetor në Romë rreth Familjes. Mendoj është një ngjarje e madhe për ju, pasi sigurisht do të përjetoni një përvojë të bukur kolegjialiteti, shkëmbimi përvojash dhe ndjesie të Kishës universale. Këto ditë ka dale edhe Instrumentum Laboris për Sinodin e ardhshëm. Më lejoni disa pyetje.

Sa ka marrë pjesë kisha në Shqipëri në përgjigjet ndaj pyetësorit që kanë dalë pas Sinodit të Jashtëzakonshëm të vitit të kaluar? A ka pasur një punë serioze nëpër bashkësitë dhe dioqezat tona rreth këtij pyetësori?

Interesi dhe angazhimi janë varur shume nga dioqeza ne dioqeze. Ka pasur dioqeza qe kane treguar shume interes, ndërsa disa te tjera qe janë interesuar me pak. Por mund te them se në dioqezën tonë të Tiranës kanë qene disa famulli qe e kane diskutuar pyetësorin ne nivel famullitar; te tre dekanatet tona (te Tiranës, te Durrësit dhe te Milotit) e kane diskutuar ne nivel e dekanatit, dhe e kemi diskutuar edhe ne Këshillin Prezbiterial. Si Konference Ipeshkvore kemi organizuar një takim i veçantë në mars të këtij viti pikërisht për të diskutuar të njëjtin pyetësor. Ka qene edhe një grup profesorësh nga Instituti Teologjik i Seminarit te Shkodrës që janë takuar dhe i kanë dërguar përgjigjet e tyre Sekretarisë së Sinodit. Pra besoj se në përgjithësi është treguar shume interes për Sinodin e ardhshëm.

Në bazë të përgjigjeve që kanë ardhur nga Shqipëria, cilat janë ato sfida të familjes e çfarë konkretisht ne i kërkojmë këtij Sinodi?

Shqipëria nuk është më e mbyllur hermetikisht nga vendet e tjera të botës. Kjo do të thotë se sfidat që përballon familja shqiptare sot janë ato që përballojnë familjet e tjera në Evropën perëndimore. Aspekte pozitive janë, për shembull, emancipimi i grave dhe familja nukleare që ka përjashtuar familjen patriarkale dhe atëherë familja nukleare gëzon më shumë “demokraci”. Nga ana tjetër konsumizmi dhe shekullarizmi kanë hapur dyert për sfida të reja. Përveç kësaj janë rritur shumë marrëdhëniet seksuale para-martesore dhe jashtë-martesore (atëherë raste mosbesnikërie martesore), prandaj seksualiteti u nda nga dashuria, dhe dashuria u nda nga jeta, që duhet të jetë fryti i dashurisë dhe e asaj dashurie që shprehet në marrëdhënie seksuale. Kjo ka sjell një rritje të madhe sa i përket divorceve.

Çfarë presim nga ky Sinod? Shumë gjëra. Por veçanërisht pres më shumë mirëkuptim dhe solidaritet me situatat tragjike të shumë martesave. Është shumë e lehtë të gjykojmë dhe të dënojmë personat e divorcuar. Por ka shumë raste kur këta persona po përjetojnë një situate tragjike. A ka mundësi të hapen dyert e mëshirshme të Kishës që këta persona të integrohen ne jetën e Kishës edhe duke marrë pjesë të plotë në dimensionin sakramental të Kishës (konkretisht, të mund të rrëfehen dhe të kungohen)? A është e mundshme të thjeshtësohet procesi për shpalljen e pavlefshmërisë së martesës?

Sa mendoni ju se të rinjtë sot që përgatiten për martesë apo që janë martuar e njohin doktrinën e Kishës rreth martesës? Nëse nuk ka një njohje mendoni që është faji i atyre që e kanë për detyrë ta mësojnë apo është një gjuhë tashmë e largët nga mendësia e përgjithshme e njerëzve bashkëkohorë?

Të rinjtë sot jetojnë në një botë krejt të ndryshme nga ajo e rinisë sime. Shoqëria e sotme nuk është më mbrojtëse e vlerave familjare, e pazgjidhshmërisë së martesës, e shenjtërisë së martesës dhe të familjes. Përveç kësaj, panseksualizmi e ka katandisur seksualitetin njerëzor në një lodër dhe kështu e ka zhveshur nga vlera e shenjte e tij si shprehje dashurie mes dy personave  të gjinisë së ndryshme. Dashuria shpeshherë interpretohet si erotizëm egoist, dhe jo si vetë-dhurim. A janë familjarë me doktrinën e Kishës? Në përgjithësi, sigurisht se jo. I kujt është faji? Një pyetje shumë e komplikuar… Fajin e madh e ka vetë shoqëria e sotme, në të cilën kanë lindur dhe janë rritur të rinjtë tanë. Gaudium et Spes, duke folur për ateizëm, thotë se edhe vetë besimtarët mund të jenë shkak i përhapjes së ateizmit, kur nuk e paraqesin fytyrën e vërtetë të Hyjit. Dhe një faj mund të kemi edhe ne, meshtarët e katekistë, për injorancën e doktrinës së krishterë rreth martesës tek shumë të rinj. Doktrina biblike mbi martesë mund të bëhet një argument shumë interesant për të rinjtë. Dy kapitujt e parë të Zanafillës, Kënga e Këngëve, krahasimi që bënë profetët (duke filluar me Ozenë) mes martesës dhe besëlidhjes së Hyjit me popullin, dinjiteti i martesës, i familjes, dhe i gruas në doktrinën e Krishtit, mund të bëhen material shumë e shumë i tërheqës për vëmendjen e të rinjve. Nganjëherë duke folur për martesë mbetemi në fjalor tepër negativ, dhe kjo sigurisht nuk tërheq interesin e të rinjve.

Personalisht mendoj që akoma shqiptarët kanë një instinkt pothuajse natyror drejt martesës dhe familjes së pandashme, pavarësisht të fenomenit të divorcit. E bashkëndani këtë mendim me mua? Ku qëndron atëherë problemi pse shumë çifte ndahen edhe pse kanë një dëshirë për një martesë të pandashme?

Në një sondazh që është bërë para disa vitesh në Angli dhe në Gjermani, dy vende ku ka një përqindje shumë të lartë të divorceve, 90% e të fejuarve të intervistuar kanë pohuar se vlera që çmojnë më shumë në jetën martesore është besnikëria. Shumë interesante! Pra jo pasuria, seksi, bukuria. Njeriu i sotëm ende është i aftë të çmoj vlera të mira, POR është i paaftë të arrijë tek këto ideale, për shkak të pengesave që has në jetën e vetë. Ashtu edhe shqiptarët e sotëm ende kanë shumë për zemër jetën familjare, por pengesat janë të shumta.

Varfëria më duket një nga argumentet e rëndësishme për çështjen e familjes. Ka shumë familje të varfra e kështu jeta familjare rëndohet nga jeta ekonomike. Mendoni se Kisha përveçse të jetë një ndihmë material për këto familje duhet të ngrejë zërin në shoqëri që familja të mbështetet gjithnjë e më shumë. Si mund të bëhet konkretisht kjo gjë?

Këtu mund të përmend Letrën për Familjet, që Konferenca Ipeshkvore ka botuar para disa vitesh. Në atë letër kemi folur për problemën ekonomike që përballojnë shume familje në Shqipëri dhe pasojat serioze që kjo problemë krijon. Gjithashtu në letrën që kemi botuar me rastin e Krishtlindjes së kaluar, kemi folur përsëri për gjendjen e varfërisë si edhe për shfrytëzimin e shumë punëtorëve që as nuk u jepet rroga minimale.

Një pyetje paksa teknike: a mendoni se duhen thjeshtëzuar procedurat që çojnë drejt shpalljes së pavlefshme të një martese gjithnjë duke mos paragjykuar vërtetësinë e lidhjes?

Patjetër. Në tezën për doktoratin (në vitin 1973) kisha folur për këtë çeshtje. Por edhe në këtë intervistë, më lart kam përmendur këtë problem.

Një pyetje e fundit. Për ne katolikët familja është një institucion që themelohet mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje dhe vetëm pëlqimi i tyre ndërton martesën. Thënë kjo a mendoni se Kisha katolike në të ardhmen mund të shkojë edhe drejt ndonjë forme njohjeje të çifteve me të njëjtën gjini?

Assesi. Nuk mund të bëjmë asnjë kompromis me këtë të vërtetë. Bibla është aq e qartë për këtë të vërtetë saqë nuk mund t’ kemi asnjë dyshim. “Njeriu do ta lërë banën e vet dhe nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, dhe do të bëhen një trup i vetëm”. Si mund të propozojmë një përkufizim tjetër të martesës nëse pranojmë si “martesë” edhe një lidhje seksuale mes ty burrave apo dy grave? S’kemi të drejtë të gjykojmë ose dënojmë dy persona me prirje homoseksuale, por kurë e kurrë nuk mund të quajmë “martesë” një lidhje të tillë.

 

Previous Strukturat e mëkatit në jetën e familjes
Next Henry Newman: Si të jetosh në kapitalizëm duke qenë ndërkohë i krishterë?

Sugjerime