Profeti ndahet pa nder në vend të vet …e Djela XIV gjatë vitit

Profeti ndahet pa nder në vend të vet …e Djela XIV gjatë vitit

SC0A2156E Djela XIV gjatë vitit

Ungjilli sipas Markut

Në atë kohë Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija? Po a nuk është ky zdrukthtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?”

Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet”. Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E çuditej për mosbesimin e tyre.

një koment ….

Nga Atë Armando Ceccarelli S.J.

Tregimi i ungjillit te sotëm hapet dhe mbyllet nga dy shprehje që përmbajnë të njëjten folje: “ata të Nazaretit habiteshin nga fjalët e tij” dhe Jezusi “habitej nga mosbesimi i tyre”.

Mençuria që Jezusi shprehte në fjalët e tij dhe mënyra plot atoritet me të cilën komentonte Shkrimet e shenjta ishte një risi dhe ngjallte habi në të gjithë. Jezusi aq shumë e kishte përvetësuar fjalën e Hyjit që mund të thonte: “ju është thënë nga të parët…por unë po ju them…”. Një zë i tillë nuk linte askënd indiferent dhe në të gjithë bën që të lindi pyetja: “Kush është ky?”. Është fjalë profeti, dhe nuk i lë gjërat ashtu siç janë.

“Në dëgjofshin apo jo, ta dinë të gjithë se këtu flet një profet”, thotë leximi i parë. Habia që ngjall Jezusi është fillimi i dëgjimit që mund të çojë deri në zbulimin e aspekteve të reja të fytyrës së Hyjit. Mund të na ndihmojë të besojmë dhe të provojmë gëzim.

Ndersa tek banorët e Nazaretit, ku Jezusi është rritur, habia bëhet sfidë dhe pretendim. “Ke jetuar për tridhjetë vite mes nesh – i thonë – dhe na ke rrespektuar të gjithëve; ishe mik i të gjithëve. Ishte kënaqësi të rrinim bashkë dhe asnjëherë nuk i ke bërë predikime askujt. Tani turma të tëra të dëgjojnë. Bën mrekulli që i lënë të gjithë gojëhapur. Këtu nuk ke bërë asnjë mrekulli; ndërsa në Kanë, me një gjest tëndin, uji është shndërruar në verë; në Naim, këtu afër, i ke kthyer nënës së vejë birin e saj të vetëm, ndërsa po e dërgonin në varreza. Disa ditë më përpara i ke dhënë jetë vajzës dymbëdhjetëvjeçare të Jairit, kryetarit të sinagogës. Nga të vijnë kjo doktrinë dhe kjo fuqi? Për të mos u besuar! Nëse e gjithë kjo është e vërtetë, edhe ne kemi të sëmurët tanë rëndë, të paralizuarit, të gërbulurit. Pse nuk i shëron?”

Është një provokim i vërtetë për Jezusin, por ai nuk i pranon sfidat e tyre. Nuk është e lehtë të kalohet nga “bashkëfshatari” i njohur deri në rrënjë, në pranimin e tij që jep provat se është Biri i Hyjit.

Është vështirësia e vërtetë që ne hasim në besimin tonë në Hyjin e mishëruar. Misteri i një Hyji, të cilin askush askurrë nuk e ka parë, kur zbulohet,  merr një pamje njerëzorë, përdor fjalë njerëzore. Duhet të besojmë në fjalët e tij: ai kërkon një fe të plotë. Dhe pikërisht për këtë arsye Jezusi nuk përdor fuqinë e mrekullive dhe forcën e natyrës së tij hyjnore për t’u imponuar dhe për t’i detyruar njerëzit që të besojnë.

Jezusi në Nazaret kishte familjen e tij, por tani, pa e mohuar atë, ka zgjeruar marrëdheniet e tij dhe ka krijuar një marrëdhenie familjare me të gjithë. Më parë kishte vëllezer dhe motra – terminologji që përfshin kushërinj dhe brezni të ndryshme – ndërsa tani vëllezrit dhe motrat e tij janë “të gjithë ata që dëgjojnë Fjalën e Hyjit dhe e vënë në praktikë”. Jezusi mbetet djali i marangozit, por tani tregon se është Biri i Hyjit; nëse më parë e donte dhe respektonte Jozefin, tani shpall një atësi më të thellë dhe të vetme: Ati i tij është Hyji dhe, me të, frika e ndëshkimit zhduket; ai është Atë dhe, me të, mund të kemi një mardhënie bijësore plot besim.

Jezusi këto të vërteta i ka zbuluar gradualisht, në të njëjten mënyre si secili nga ne bëhet gjithnjë e më i vetëdijshem për identitetin personal. Ngjarjet e jashtëzakonshme e vërtetojnë këtë dhe kështu personi i tij, që ngjall habi, është një ftesë në besim, një ftesë për ta pranuar risinë, një ftesë në kthim drejt fytyrës së Hyjit Atë që na nxit që t’i trajtojmë si vllezër të afërmit tanë. Shenjtërit janë gjithmonë një risi e papritur në histori; janë e jashtëzakonshmja që pushton të zakonshmen, të përditshmen. Shenjtërit gjithnjë kanë ngjallur reagime kundërshtuese; disa i kanë pranuar me gëzim, por të tjerë janë bezdisur nga prania e tyre.

“Jezusi habitej me mosbesimin e tyre”. Ishin pikërisht bashkëfshatarët, ata me të cilët kishte luajtur në fëmijëri; tani nuk e pranojnë si Mësues. Ata që me të kishin biseduar mbi shumë gjëra, tani nuk e pranojnë si Profet. Dhe nëse për ta nuk bën mrekullitë për të cilat të gjithë flasin, atëherë e trajtojnë si tradhëtarë dhe e rrefuzojnë. Është e mistershme, por e vërtetë: mosbesimi ynë mund ta bllokojë fuqinë e Hyjit.

Sidoqoftë, meqe Jezusi nuk është dashuri hakmarrëse, disa shërime ndodhin. Por e jashtëzakonshmja që Nazaretit ju dha fati ta takonte në Jezusin, kaloi përtej.

Të gjithëve na ofrohet mundësia që të jetojmë besimin që shpall hyjnoren në përditshmërinë tonë, që në të afërmin mund të shohim Krishtin që na ofron një mundësi shëlbimi. “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjel, e bëtë për mua” (Mt 25,40).

Pas ardhjes së Jezusit, duhen sy të ri për të njohur të jashtëzakonshem që Hyji bën çdo ditë. Çfarë revulucioni mund të japi kjo pikëpamje në marrëdhënit tona ndërpersonale dhe në jetën shoqërore!

Është falë kësaj pikëpamje që shumë të krishterë janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre duke dëshmuar se Jezusi i Nazaretit është Zoti.

Në mënyra të ndryshme Jezusi na viziton akoma në përditshmërinë tonë; le të angazhohemi që ai të mos ngelet i zhgënjyer nga besimi ynë i pakët.

Previous Henry Newman: Si të jetosh në kapitalizëm duke qenë ndërkohë i krishterë?
Next Gjurmëve të Kishës së djeshme dhe së nesërme ndër Shqiptarë

Sugjerime