Një Kishë e vjetër? – Intervista e fundit e Kardinal Martinit!

Një Kishë e vjetër? – Intervista e fundit e Kardinal Martinit!

 

Il cardinale Carlo Maria Martini in una recente foto d'archivio. DANIEL DAL ZENNARO/ANSA

Testamenti shpirtëror i Kardinal Martinit

Atë Georg Sporschill, sivëllau jezuit i cili e intervistoi në “Bashkëbisedime mbrëmjesh në Jeruzalem”, dhe Federica Radice Fossati kanë takuar Kard. Martinin me 8 Gusht: «Një farë testamenti shpirtëror. Kardinal Martini e ka lexuar dhe aprovuar tekstin».

Si e shihni ju situatën e Kishës?

«Kisha është e lodhur, në Europën e mirëqënies dhe në Amerikë. Kultura jonë është plakur, Kishat tona janë të mëdha, shtëpitë tona të jetës rregulltare janë bosh dhe aparati burrokratik i Kishës bymehet, ritet e veshjet tona janë një ngrefosje. Por a e shprehin këto gjëra atë çfarë ne jemi sot? (…) Mirqënia rëndon. Ne gjendemi aty sikurse i riu pasanik i cili largohet i trishtuar kur Jezusi e thirri që të bëhej nxënës i tij. E di se nuk mund të lëmë gjithçka me lehtësi. Por së paku do të mund të përpiqemi për të qënë njerëz të lirë e pranë të afërmit. Ashtu sikurse kanë qënë ipeshkëvi Romero dhe martirët jezuitë të El Salvador. Ku janë tek ne heronjtë tek të cilët të mund të frymëzohemi? Për asnjë arsye nuk duhet t’i pengojmë me kufinjtë e institucionit».

Kush mund ta ndihmojë Kishën sot?

«Atë Karl Rahner përdorte me kënaqësi imazhin e prushit që fshihet nën hi. Unë shoh në Kishën e sotme kaq shumë hi sipër prushit që shpesh më pushton një ndjenjë pafuqie. Si mund të çlirohet prushi nga hiri në mënyrë që të ndizet rishtazi flaka e dashurisë? Parasëgjithash duhet ta kërkojmë sërisht këtë prush. Ku janë persona plot me bujari si samaritani i mirë? Që kanë fe si centurioni romak? Që janë entuziastë si Gjon Pagëzuesi? Që kanë guxim ndaj risisë si Pali? Që janë besnikë si Maria Magdalenë? Unë i këshilloj Papës dhe ipeshkëvinjëve që të kërkojnë dymbëdhjetë përsona jashta skemave për postet drejtuese. Njerëz që të jenë pranë më të varfërve e që të jenë të rrethuar nga të rinjtë e që të eksperimentojnë gjëra të reja. Kemi nevojë për përballjen me njerëz që digjen nga dëshira që shpirti të mund të përhapet gjithkund».

Çfarë mjetesh këshilloni kundra lodhjes se Kishës?

«Këshilloj tre (mjete) shumë të fortë. I pari është kthimi: Kisha duhet të njohë gabimet e veta e duhet të përshkojë një ecje rrënjësore ndryshimi, duke filluar nga Papa e nga ipeshkëvinjtë. Skandalet e pedofilisë na shtyjnë që të ndërmarrim një ecje kthimi. Pyetjet rreth seksualitetit dhe rreth të gjitha temave që përfshijnë trupin janë një shembull. Këto janë të rëndësishme për çdokënd e ndonjëherë ndoshta edhe tepër të rëndësishme. Duhet të pyesim veten nëse njerëzit dëgjojnë akoma këshillat e Kishës në lëmin seksual. A është Kisha në këtë fushë ende një autoritet referimi apo vetëm një karikaturë e mediave?

Mjeti i dytë është Fjala e Hyjit. Koncili II i Vatikanit ua ka kthyer Biblën katolikëve. (…) Vetëm ai që e përcepton në zemrën e vet këtë Fjalë mundet të bëjë pjesë në ata që do të ndihmojnë ripërtërirjen e Kishës e do të dijnë t’u përgjigjen pyetjeve përsonale me një zgjedhje të drejtë. Fjala e Hyjit është e thjeshtë dhe kërkon për shoqe një zemër që dëgjon (…). As kleri e as e Drejta kishtare nuk mund ta zëvendësojnë brendinë e njeriut. Të gjitha rregullat e jashtme, ligjet, dogmat na janë dhënë për të sqaruar zërin e brendshëm e për shqyrtimin e shpirtrave. Për kë janë sakramentet?

Këto janë mjeti i tretë shërues. Sakramentet nuk janë një mjet për disiplinën, por një ndihmë për njerëzit në momentet e ecjes dhe në dobësitë e jetës. A ua shpiem sakramentet njerëzve që kanë nevojë për një forcë të re? Unë kam parasysh të gjithë të divorcuarit dhe çiftet e martuara pwr herw tw dytw, familjet e zgjeruara. Këta kanë nevojë për një mbrojtje të veçantë. Kisha mbështet pazgjidhshmërinë e martesës. Është një hir kur një martesë dhe një familje ia dalin (…). Qëndrimi që mbajmë përballë familjeve të zgjeruara do të përcaktojë afërsinë e brezit të bijëve me Kishën. Një grua është braktisur nga i shoqi, e gjen një shok të ri që kujdeset për të e për tre fëmijët e saj. Dashuria e dytë ia del. Nëse kjo familje diskriminohet, mënjanohet jo vetëm nëna por edhe të bijtë e saj. Nëse prindërit ndjehen të jashtëm ndaj Kishës dhe nuk e ndjejnë mbështetjen e saj, Kisha do të humbë brezin e ardhshëm. Përpara Kungimit ne lutemi: “O Zot, unë nuk jam i denjë…” Ne e dimë se nuk jemi të denjë (…). Dashuria është hir. Dashuria është një dhuratë. Pyetja nëse të divorcuarit mund të kungohen do të duhej të përmbysej. Si mundet Kisha t’i vijë në ndihmë me anë të forcës së sakramenteve atij që ka situata familjare të ndërlikuara?»

Çfarë bëni ju përsonalisht? 

«Kisha ka mbetur prapa 200 vite. Si ka mundësi që nuk shkundet? A kemi frikë? Frikë në vend të kurajos? Gjithsesi feja është themeli i Kishës. Feja, besimi, kuraja. Unë jam i moshuar e i sëmurë dhe varem nga ndihma e të tjerëve. Përsonat e mirë rreth meje bëjnë të ndjej dashurinë. Kjo dashuri është më e fortë sesa ndjenja e shkurajimit që nganjëherë përceptoj ndaj Kishës në Europë. Vetëm dashuria fiton mbi lodhjen. Hyji është dashuri. Unë kam edhe një pyetje për ty: çfarë mund të bësh ti për Kishën?».

Georg Sporschill SJ, Federica Radice Fossati Confalonieri

(perktheu nga italishtja Edison Kumllaku)

 

Previous Don Zeno Daniele: më pak devotshmëri private...e më shumë fjalë e Hyjit
Next Thirrja: takim i Misterit të Zotit me misterin e njeriut

Sugjerime