“Ushtrimet shpirtërore” të Injacit të Loyolës në shqip

“Ushtrimet shpirtërore” të Injacit të Loyolës në shqip

Ushtrime shpirterorePo paraqesim një nga kryeveprat e letërsisë shpirtërore botërore, Ushtrimet shpirtërore të shën Injacit të Loyolës, themeluesit të Jezuitëve. Një vepër e cila ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në jetën e shumë njerëzve që u janë afryar këtyre ushtrimeve me dëshirën për të gjetur një orientim në ekzistencën e tyre dhe për të renditur ndjenjat, emocionet e për të krjiuar ekuilibër në jetën shpirtëroe e cila shpesh është fryt i një dyluftimi midis Shpritit të Hyjit dhe shpirtit të së keqes. Më poshtë do të gjeni edhe parathënien e Atë Silvano Faustit, i cili ndërroi jetë këto ditë në Itali. Biblist dhe një njeri i jashtëzakonshëm, Atë Fausti ishte edhe nipi i martirit të fesë, i vrarë nga komunzimi, Atë Giovanni Fausti s.j., një nga pionerët e dialogut ndërfetar në Shqipëri për të cilin së shpejti do të dalë një botim me artikujt e tij në Civilta’ Cattolica mbi këtë temë.

Nga Atë Silvano Fausti s.j.

Atë Zef Bisha S.I. më ka propozuar të bëj paraqitjen e këtij botimi të parë në shqip të Ushtrimeve Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës.

Kam pranuar me shumë kënaqësi. Me Shqipërinë kam një lidhje të veçantë. E kam vizituar tashmë disa herë dhe e ndjej pak si shtëpinë time. Aty qëndrojnë në fakt, rrënjët e thirrjes sime si Jezuit.

Xhaxhai im, P. Giovanni Fausti S.I., e donte dhe e vlerësonte shumë popullin shqiptar. Ndër të tjera e konsideronte si një fushë në mënyrë potenciale të frytshme për dialogun ndërkonfesional dhe ndërfetar. Ai, i futur me kohë dhe me pasion në kulturën shqiptare, mori pjesë në periudhën më delikate të historisë së saj, në kalimin nga fashizmi, të cilin e urrente, tek komunizmi që po fillonte. Me miq të tjerë shqiptarë ka bashkëndarë fatin duke dëshmuar dashurinë për Hyjin dhe për njeriun deri në dhuratën e plotë të vetvetes, duke përballuar me qetësi martirizimin – akti më i lartë i lirisë për të dashur në të vërtetën.

Kur u shpall në radio pushkatimi i tij, ndjeva brenda meje një frymëzim, gati një shtytje të brendshme, që më bëri të them me bindje: “ Do të zë vendin e tij!”

Pra, për mua është një detyrë mirënjohjeje të paraqes këtë përkthim në shqip.

Më ka habitur fakti që kjo vepër e Shën Injacit nuk ishte përkthyer ende. Është libri, që, më shumë se të gjithë ka ushqyer përshpirtërinë moderne, duke favorizuar qoftë reformën e Kishës, qoftë hapjen e saj ndaj kulturave dhe besimeve. Uroj që në të njëjtën mënyrë të ndihmojë gjithë Kishën në Shqipëri.

“Ushtrimet Shpirtërore” janë të dobishme për çdo person të çfarëdolloj besimi, mjafton që të ketë kohë, vullnet dhe aftësi për t’iu kushtuar artit të vështirë të të qënit i lirë.

Në fakt, më shumë se një libër për t’u lexuar, është një tekst udhëzues ushtrimesh praktike që duhen bërë “për të përgatitur dhe bërë të gatshëm personin që të lirohet nga të gjitha ndjenjat e çrregullta dhe, kur të jetë çliruar të kërkojë  e të gjejë vullnetin e Hyjit në organizimin e jetës së tij për shpëtimin e shpirtit”.

Çdonjëri gjendet në një luftë e vërtetë për të mundur; jo kundër të tjerëve, por, përkundrazi kundër vetvetes. Është një luftë e brendshme kundër padijes dhe egoizmit vetjak për t’u bërë ata që jemi: bij të Hyjit.

Shën Injaci ngurronte shumë kur fliste për veten dhe gjërat e tij. E megjithatë, për të këshilluar një person për të bërë Ushtrimet Shpirtërore, shkroi këto fjalë: “Ushtrimet Shpirtërore janë gjëja më e mirë që unë, në këtë jetë, mund të mendoj, të ndjej e kuptoj qoftë për përparimin personal të një njeriu, qoftë për frytin, ndihmën dhe përparimin në lidhje me shumë të tjerë”.

Ky përkthim do të jetë një ndihmë e madhe për popullin shqiptar në ecjen, e vështirë për të gjithë, që çon në lirinë e brendshme. Epoka jonë moderne, edhe pse e etur për vërtetësi, ndodhet gjithashtu në rrezikun e shumë formave skllavërie të reja dhe të padukshme. Për këtë është e rëndësishme të formohen persona që janë me të vërtetë të lirë, të aftë për të liruar edhe të tjerët.

Previous Zemra, vendi i luftës shpirtërore
Next Kush m’i preku petkat? - E djela XIII gjatë vitit

Sugjerime