Don Zeno Daniele: më pak devotshmëri private…e më shumë fjalë e Hyjit

Don Zeno Daniele: më pak devotshmëri private…e më shumë fjalë e Hyjit

don_zenoKemi intervistuar don Zeno Daniele, misionar per shume vite ne Lushnje. Një intervistë e hapur, pa kamuflime e që i thotë gjërat drejtëpërdrejtë…

Don Zeno sa vite keni në Shqipëri dhe si ka ndodhur ardhja juaj këtu?

Kam qënë në Shqipëri për 20 vite, nga nëntori 1994 deri në dhjetor të 2014. Që nga viti 1992 Kongregata ime (Shoqëria e Përshpirtshme Shën Gaetani i Vicenza) kishte patur kontakte me Lushnjen ku kishin mbërritur Motrat e Vullnetit Hyjnor të Bassano del Grappa (Vicenza) për një mision humanitar brenda Spitalit shtetëror të shkatërruar: ato na kanë përfshirë për një perspektivë baritore.

Don Giampietro, me disa djem e vajza italiane, ka filluar disa vizita; më pas më kanë dërguar edhe mua për të verifikuar terrenin dhe në 1994, të thirrur nga Nunci Apostolik, jemi vendosur në Mision.

Kongregata jonë është ndjerë e pyetur dhe është përgjigjur sepse në përparësitë e veta baritore ka që të marrë përsipër kujdesin e shpirtërave, si komunitet rregulltarësh-barinj, aty ku është më e madhe nevoja ungjillizuese, mungesa e mbarështuesve e vepruesve dhe varfëria sociale.

Çfarë do të thotë të jesh katolik në Lushnje, në një vend ku pjesa më e madhe janë myslimanë dhe ortodoksë?

Është ditur gjithmonë se katolikët e parë të ardhur në Lushnje – e pra themeluesit e Kishës Katolike në atë tokë “internimi” – kanë qënë të internuarit nga Veriu gjatë diktaturës. Mes të tjerëve ishin edhe familjarët e Imzot Zef Oroshit (por u ishte dashur të ndryshonin mbiemër) i cili ka vdekur në mërgim “vullnetar” në SHBA. Ashtu sikurse edhe e dime që të Krishterët më të hershëm në Lushnje janë vëllezërit Ortodoksë. Pranimi i komunitetit të vogël të katolikëve është zhvilluar në mënyrë paqësore edhe pse autoriteteve e popullatës vendore u interesonin më shumë ndihmat që Kisha jepte, pa dallim, shumë nevojtarëve, sesa identiteti fetar që të “tanët” – të ardhur me demokracinë e të mbledhur nga fshatrat – dukeshin se donin të merrnin e të dëshmonin duke dërguar në katekizëm fëmijët e tyre të vegjël e merrnin pjesë në masë në kremtimet që shkonin duke u rritur. Janë integruar në Bashkësi, nëpërmjet të rinjve e aktiviteteve për vajzat e djemtë, familje me tradita ortodokse e individë me traditë myslymane. Akoma sot vështirësia e identitetit duket më fort subjektive: në qytet katolikët e pakët kanë tendencën të fshihen; në fshatrat, ku sidoqoftë janë pakësuar shumë për shkak të zhvendosjes drejt Tiranës e jashtë shtetit, vazhdojnë të ndjehen “të huaj” e pjesërisht janë: jo vetëm për Besimin… por për varfërinë, kulturën e karakteristikat individualiste në kontekste sociale shpesh fraksioniste e të pathemelta.

 Si janë raportet midis besimeve të ndryshme apo me ata që nuk besojnë fare?

Kisha Katolike si e tillë respektohet: qoftë për traditën shqiptare po ashtu për “prestigjin” që i njihet misionarëve gati tërësisht “italianë” (në Jug nuk ka priftërinj shqiptar e vetëm tani ka ndonjë rregulltare shqiptare). Në nivel të autoriteteve fetare marrëdhëniet janë formale: “të standardizuara” me priftërinjtë Ortodoks, mbase të bllokuara; “të injoruar” nga funksionarët e rinj e më të arsimuar të xhamisë vendore. Personat? Është një bindje e përhapur që në “Besimet” është më mirë të mos angazhohesh shumë, sepse… mund të çekuilibroj harmoninë… ekzistuese e të krijoj ndarje… ashtu si ka ndodhur në vende të tjera të Ballkanit… Nuk rezulton të ketë konflikte mes personave e familjeve për shkak të besimit: aktivitetet edukuese të Kishës krijojnë raste njohjeje e respekti por… pa shkuar më tutje. Brezat e rritur në kohën e në kulturën e diktaturës – pra shumë prej prindërve të sotëm – në përgjithësi e çmojnë propozimin fetar që u bëhet fëmijëve të tyre, e nuk kundërshtojnë, deri në një farë pike, për një pëlqim të tyre të mundshëm, por nuk e mendojnë të praktikueshëm për veten e tyre sepse vijnë nga një formim ateist; në fakt janë më të interesuar për të patur një jetë më të mirë për familjen e vet dhe për “suksesin” e fëmijëve të tyre: të mira nga të cilat kanë qënë privuar në rininë e tyre.

 Cilat janë zonat që shërbeni ju në famullinë tuaj dhe sa është numri i katolikëve?

Neve misionarëve të Lushnjes në 1994 na është besuar kujdesi baritor i tërë rrethit: qyteti, atëherë gjashtëmbëdhjetë komuna, gati njëqind fshatra. Në të vërtetë për ungjillizimin kemi operuar në qytet e në pesë komuna të tjera duke u nisur nga një bërthamë katolikësh të pranishëm, duke arritur të pagëzojmë rreth 500 besimtarë, pjesa më e madhe e të cilëve me traditë katolike: gjysma e këtyre nuk janë më në zonë. Janë krijuar në fshatrat gjashtë Qendra komunitare polivalente, edhe për aktivitete rikrijuese dhe edukuese, me objektivin për t’iu afruar familjeve dhe personave të katolikëve e jo, duke u përqëndruar veçanërisht tek vajzat e djemtë. Në Lushnje është ngritur një Qendër baritore edukuese për qytetin – me aktivitete të kualifikuara sportive, kulturore e profesionale – dhe si koordinim për Qendrat periferike. Paralelisht Motrat kanë zhvilluar një aktivitet të përhapur bamirësie, edhe ndihmëtare, me ambulator qëndror e vizita nëpër shtëpi, me laboratoret e rrobaqepësive, me kopshtin në Plug, me ndërhyrje fizioterapie për fëmijë e për të rritur që kanë nevojë. E tërë kjo brenda një projekti prioritar misionar ndërkomunitar që të shfaqte natyrën e bashkimit të Kishës – të formuar nga laikët, rregulltarët, mbarështuesit – që arriti kulmin e vet me ndërtimin e Kishës së Shenjtërve Apostuj Pjetri e Pali atëherë kur u krijuar edhe Famullia me të njëjtin emër.

Në pyetësorin drejtuar meshtarëve për Asemblenë e përgjithshme ju flisni për mundësinë e krijimit të bashkësive të vogla si celula familjare kishtare. Çfarë keni parasysh konkretisht e si mund të realizohen këto në një realitet si ai shqiptar?

Nga përvoja njëzetvjeçare e bazuar mbi tentativën, të frustruar për fat të keq, për të arritur tek të gjithë “duke rekuperuar” katolikët e pakët me traditë për të bërë bërthamën e komunitetit më të qëndrueshme… deduktoj se duhet të hapemi ndaj një ajri të ri… duke lejuar shprehjen e ecjeve e të lëvizjeve kishtare edhe në Shqipëri, ku propozimi ungjillizues dhe bashkimi besim-jetë janë gjithandej të dobët e pak efikas.

E them, sepse besoj që Ungjilli – e prandaj Kisha që e dëshmon – të jetë akoma e më shumë se kurrë burim, mundësi, thirrje tërheqëse e identifikuese për personat e shoqërinë shqiptare.

* Njohja e vlerësimi i Fjalës së Hyjit është forca qëndrore në dinamizmin e ungjillizimit e të jetës së krishterë. Shpallja që bëhet në Shërbesën e në katekizmin e zakonshëm humbet nëse nuk ka një thellim serioz në herë të tjera. Propozojmë: më pak devotshmëri private, por edhe publike, dhe më shumë Fjalë të Hyjit, në të gjitha nivelet.

* Reflektimi mbi Fjalën – Ungjilli në mënyrë të veçantë, për t’u mësuar përmendësh – duhet privilegjuar në grupe të formuar nga misionarët/et, të rinjtë, të rritur mundësisht bashkëshortë, me dëshirën e madhe që të ketë edhe ndonjë familje komplete…: një komunitet vëllazërie, dëgjimi, lutje, bashkëndarje, bamirësie… që kremton edhe Shërbesën me mënyrë familjare, në ditët gjatë javës, për të qënë shpirti i Meshës së Shenjt të së dielës me të gjithë famullinë, me dëshmi mbi “të jetuarin” përreth Fjalës.

* Komuniteti i vogël merr kështu edhe angazhimin misionar, me objektiva të thjeshtë, të përshkallëzuar, të verifikueshme… të bërë me dëshmi të përditshme, të bamirësisë, të shpalljes, të shërbimit, të gjallërimit. Prifti, motra, kushtojnë kohë e energji për të ushqyer e ndjekur grupin e secilin prej pjestarëve tij edhe shpirtërisht, kulturalisht, metologjikisht; këta mund të ndjehen kur të jetë hera e tyre të veshur në vetën e parë me misionin ungjillizues të Kishës.

Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat përballet aktualisht shoqëria lushnjare? A ndjehen fenomene si korrupsioni apo kriminaliteti? Ju keni reaguar ndonjëherë?

I njohim problemet e mëdha të shoqërisë së Lushnjes, në vend të parë grindjet partiake që synojnë vetë-pohimin e nuk konsiderojnë jetën reale të njerëzve e mungesat e ambjentit përveçse në formë epidermike e propagandistike: na trondisin e na gjejnë të pafuqishëm – edhe për heqjen dorë të shumë njërëzve – situata e Arsimit, e Shëndetësisë, e Drejtësisë. Por si misionarë, të ardhur nga jashtë, ndjejmë se duhet të jemi shumë të matur në shprehjen tonë në lidhje me këtë: sepse nuk ndjehemi mësues dhe sepse reagimi  i parë i njerëzve të thjeshtë është: “Po në Itali, përse bëni kështu e kështu?”. “Mëkatet” tona dhe ato të shoqërisë i denoncojmë duke shpallur Ungjillin në kishë e në familje. Si Kishë-institucion i kemi vënë detyrë vetes të jemi shembullor në respektimin e Ligjeve të Shtetit e të rregullave vendore, duke u kujdesur për të bukurën, të pastërtën dhe për atë që është e “përbashkët” dhe duke e vënë në dispozicion të të gjithëve… duke kërkuar më nevojtarët. Gjejmë rastin e disa rrethana – për shembull festën kombëtare të Nënë Terezës – për të dhënë mesazhin dhe për të rritur vlerat e krishtera dhe efektet e tyre të dobishme mbi njerëzimin. Gjithmonë në mëdyshje – për kulturën e prejardhjen tonë të ndryshme – kemi ndërhyrë në disa debate publike ose televizive mbi problemet vendore por… është preferuar të bëhet në formë ndërtuese e duke kërkuar të përfshijmë e të flasin laikët e komunitetit.

Çfarë aktivitetesh bëni më shumë në famulli që marrin parasysh jo vetëm katolikët, por edhe të tjerët që nuk janë katolikë?

E kam thënë pjesërisht në përgjigjet e mëparshme. Që nga fillimi gjithçka që bëhet është e hapur për të gjithë… edhe pse mentaliteti i rrënjosur (tek njerëzit e për fat të keq tek katolikët me traditë) është që “disa gjëra e disa vende” të jenë eskluzivisht për katolikët. Kisha e re është inauguruar dhe është bërë e njohur me sloganin: “vend lutje për të gjithë Lushnjen” e vëmë në jetë këtë parim edhe në momentet zyrtare publike (përkujtime civile, ngjarje tragjike…) e ndërfetare (Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve…) duke vënë në dispozicion vetë Kishën. Në aktivitetet sportive, rikrijuese e formuese, ashtu si në shërbimet e tjera për fëmijët, për gratë, për të sëmurët, për personat me aftësi të kufizuar, pjesa më e madhe e përdoruesve është me traditë jo katolike. Vajzat e djemtë e grupit të teatrit që paraqesin edhe historitë e Martirëve dhe jetën e Themeluesve tanë… janë gati të gjithë jo katolikë. Në shtegtimin vjetor në Laç shkohet me tetë-nëntë autobuza të mbushur plot me persona kryesisht jo të pagëzuar, duke respektuar devotshmërinë… e tyre. Hapi i ri përcaktues duhet të jetë ai që këta vëllezër e motra të takohen me personin e Jezu Krishtit e me Ungjillin e tij… nëpërmjet një të afërmi, një miku, një kolegu me mish e kocka që t’u shfaq atyre gëzimin e të qënurit të krishterë e që t’i ndihmojnë të zbulojnë Familjen, Bashkësinë.

Çfarë prisni nga asemblea e përgjithshme e Kishës Katolike në Shqipëri që po zhvillohet këto ditë në Shkodër? 

Që të pohohet me fuqi e besim:

  1. Vlerësimi i udhëzimeve të lëna nga Papa Françesku në vizitën e tij në shtator të 2014, duke u fokusuar në një rekuperim dinamik e propozitiv të së kaluarës së largët e të afërt.
  1. Në tre dimensionet e jetës së Kishës (Katekizëm-Besim, Shërbesë-Shpresë, Dashuri e shërbim-Bamirësi) Fjala e Hyjit, Ungjilli në mënyrë të veçantë, të jetë gjithmonë në qëndër të çdo vepre e nisme: për nisjen, për ballafaqimin, për përmbushjen.
  1. T’i japim impuls jetësor misionaritetit të Kishës e të katolikëve shqiptarë që duhet të dalin e të hapen edhe jashtë, edhe jashtë nga Kisha e vet e veçantë e/ose vendore: Jugu i Shqipërisë, për shembull, është toka e parë e misionit ndaj të cilës duhet hapur.
  1. Duke filluar nga Barinjtë e nga operatorët kishtar… dëshmia e ndershmërisë dhe e sinqeritetit personal, familjar, komunitar, istitucional; kushtimi pa interes e transparent në formimin e rinisë (jo vetëm nëpërmjet shkollave private) duke privilegjuar të varfërit e ata që janë në disavantazh; solidaritet i gatshëm në emergjencat individuale, vendore, sociale; mbrojta e qartë – jo fraksioniste ose demagogjike – të “vlerës së jetës njerëzore”; mbështetjen e familjes mbi të gjitha me shembullin e familjeve e të bashkësive të krishtera; edukimin për “të mirën e përbashkët” si prioritet social; miqësi-dialog-bashkëpunim mes “besimeve” të ndryshme, duke u nisur nga kokat më të larta e me udhëzime praktike për bazën.
  1. Si pasojë… nevoja për Kishën në Shqipëri për të udhëzuar një “ecje baritore të vetën” e t’i japi vetvetes një “udhërrëfyes” me udhëzime prioritare, duke mos u lënë të kushtëzohemi nga ruajta e asaj që ekziston – që nëse është e mirë qëndron – por duke i’u hapur Shpirtit që fryn në Kishë…,

duke këmbëngulur mbi dëshminë personale, duke formuar e duke u dhënë përgjegjësi laikëve, duke promovuar ministeret e ndryshme në bashkësi, duke bërë që të ndriçojnë dritat e Ungjillit mbi shoqërinë.

intervistoi d. Gjergj Meta

Previous Kush m’i preku petkat? - E djela XIII gjatë vitit
Next Një Kishë e vjetër? - Intervista e fundit e Kardinal Martinit!

Sugjerime