Krijues është vetëm Zoti. Ne artistët jemi veçse moderatorë…

Krijues është vetëm Zoti. Ne artistët jemi veçse moderatorë…

stefan_capalikuIntervistë me Stefan Çapalikun

Dramaturg, shkrimtar, regjisor, Tefën e kam mik prej gati 12 vjetësh. Nuk janë shumë, por sigurisht mjaft për të çmuar te ai disa cilësi të një mendimtari të lirë, të një shkrimtari të talentuar dhe të një miku besnik. Me Tefën dhe një grup miqsh gjejmë gjithmonë kohën të rrimë bashkë duke qenë të sigurtë se thjesht na bën mirë kjo gjë. I kam drejtuar Stefanit disa pyetje për peregrinus.al dhe ai është përgjigjur si gjithmonë me sinqeritet dhe pa komplekse. Më shumë se sa një intervistë është një dialog midis një prifti dhe një laiku (në kuptimin e një jo kleriku).

Nje shprehje thote se themeli i jetes shpirterore eshte sinqeriteti. Ne ç’raport sipas teje qendron te qenit religjioz me praktikimin e besimit? Dhe praktikimi ritual shenjon patjeter edhe sinqeritetin e besimit? 

Nuk e di në të vertetë se a është sinqeriteti çelësi i asaj që po pyesni. Ngandonjëherë më duket se të qenit religjioz ka më shumë lidhje me dashurinë. Po mendoj se dashuria është dicka si biofili. Të japësh dashuri, gëzim do të thotë të përhapësh besim. Të duash krijesat e Zotit dhe të besosh në to si ndër vlera që ku mund të mbështetesh si të afta për të të çuar drejt realizimit të qëllimit.

Tefe ti merresh me art. Kam qene gjithmone i bindur se pas prokrijimit, dmth lindjes se nje njeriu, arti eshte gjeja qe e afron njeriun me shume me Zotin. Sipas teje besimi ne Zot e censuron lirine e artit apo i jep atij me shume fryme? Sa ka qene Zoti i pranishem ne punen dhe vepren tende?

E kam përbuzur dhe vazhdoj ta përbuz përdorimin e fjalës “Krijues” për artistin. Krijues është vetëm Zoti. Ne artistët jemi veçse moderatorë, lehtësues të komunikimit midis krijuesit dhe krijesave nëpërmjet veprave tona.

Çfarë  eshte fjala familje per nje shkrimtar, dramaturg, regjisor?  

Mendoj se familja është instituti i përkujdesjes ndaj fëmijëve, krijesave, veprave. Nuk besoj se ka diçka më të rëndësishme për një njeri sesa të qenit prind i mirë.

Çfare do te kerkoje nga nje prift si laik qe je?

Ta dojë jetën e këtushme po aq sa edhe të pasosurën. Të besojë te njerëzit po kaq sa edhe te Zoti.

Miqesia eshte dhurate, e per Aristotelin ndodh midis te ngjashmeve. Zoti nxenesit e tij i quan miq, po ashtu Abrahamin e quan mik. Fjala mik eshte do te thoja diçka hyjnore. Çfare mendon se mund te besh per te mos humbur nje mik…?

Miqësia e vertetë do ishte midis dy të ndryshmëve. Tek të kuptuarit e mikut si të ndryshëm nga vetja qëndron mrekullia e miqësisë. Ja unë përshembull kam rreth një muaj që nuk flas me mikun tim të ngushtë vetëm se pati një çast që harrova se ai është ndryshe nga unë.

Papa Françesku çfare ndjesie te jep? 

Më jep ndjesi të laryshme. Sigurisht të mira. Shumë të mira. Ndoshta tani që po shkruaj ndjesinë e një gjyshi të gatshëm për t’ia nisë një ndeshje futbolli dhe i vendosur për ta çuar deri në fund. Hahahahahaa. Fantastik.

Di qe ke deshire te besh diçka per Këngën e Këngëve. Pse të terheq kjo gje? 

 Po do doja të vija në skenë Këngën e Këngëve, më shumë për të çmuar mrekullinë e përfshirjes së saj në Librin e Zotit dhe për t’i bërë njerëzve me dije se dashuritë e mëdha nuk kanë pengesë, nuk kanë kufinj.

intervistoi d. Gjergj Meta

Previous Në Asamble jetuam gëzimin e Ungjillit
Next Shpresa, qendra e “Instrumentum Laboris” të Sinodit për familjen

Sugjerime