Në Asamble jetuam gëzimin e Ungjillit

Në Asamble jetuam gëzimin e Ungjillit

asambleaNga Gjergj Meta

Ndoshta ishim nisur secili me nga pak paragjykime për në këtë Asamble Kombëtare të Kishës Katolike në Shqipëri. Dikush ndoshta ishte skeptik për pjesmarrjen, dikush për argumentat që do të trajtoheshin, ndonjëri ndoshta kishte edhe pakënaqësi që donte t’i shfrente e shumë ndjesi të tjera. Po ashtu dikush ende nuk dinte se çfarë do të bëhej e disa e kishin marrë lajmin në ditët e fundit. Edhe organizimi, me gjithë punën e madhe, mund të kishte qenë edhe më i mirë.

Por atë që ndodhi në atë Asamble mund ta përkufizoj me të vërtetë një moment hiri. U takuam të gjithë bashkë e ky takim ishte një takim i gëzueshëm. Konstatuam të gjithë, qysh në ditën e parë, se të gjithë pjesmarrësit (ishim rreth 300 vetë) ishin aty për dashurinë e tyre ndaj Krishtit dhe Kishës e për asgjë tjetër. Këtë e tregoi durimi me të cilin u dëgjua gjithçka dhe gjithkush, përzemërsia me të cilën u pritën ligjëratat edhe kur kishte kritikë apo mosdakordësi. Një frymë e cila tregoi se kishim nevojë të gjithë të bënim diçka të tillë. Edhe më skeptikët ndoshta u ankuan për mënyrën e organizmit, por jo për dobinë e kësaj mbledhjeje.

Pas 25 vitesh sigurisht që shumëkush ndjehet i lodhur, sidomos misionarë e misionare që në këto vite kanë mbjellë shumë e në disa gjëra nuk kanë parë frytet, por kjo asamble tregoi se misionarët frytet i kanë dhënë. Prania e shumë meshtarëve  e motrave të reja shqiptare ishte një dëshmi e një kishe të re. Ishin shumë meshtarë e motra të reja që patën përgatitjen  e duhur, një sens kishtar përreth gjërave të Kishës e të Ungjillit. Është mbjellë shumë mirë e po korret diçka edhe pse ndoshta ende e vogël. Po ashtu urtia dhe zelli i më të vjetërve në mision që me gjithë vështirësitë e punës dhe të moshës vazhdojnë angazhimin e tyre. Ndjehej në të gjithë dëshira për të gjetur motive për të ecur përpara të gjithë së bashku dhe të vetëdijshëm se askush nuk mund të ecë përpara i vetëm, i izoluar, por vetëm si Kishë në bashkim me njëri-tjetrin.

Pamë edhe ipeshkëvinjtë tanë që shpesh ndoshta edhe i kritikojmë, të cilët qëndruan gjatë gjithë kohës aty e dëgjuan me vëmendje çdo fjalë e çdo ankesë, herë duke buzëqeshur e herë duke menduar, por gjithsesi ndoshta panë edhe ata që ka kaq shumë njerëz të gatshëm që nën udhëheqjen e tyre të punojnë e të angazhohen më shumë për çështjen e Ungjillit të dashurisë e të gëzimit.

Dëgjuam shumë relacione për të gjitha aspektet e Kishës tonë në Shqipëri. Doli në pah se shumë gjëra ishin bërë mirë e shumë të tjera ndoshta jo edhe aq mirë. Gjithashtu pati përvoja, tregime, dëshira, vështrime, por edhe dyshime, ngurrime, mëdyshje dhe zhgënjime. Gjithçka është një hir që doli në pah e për të cilim kemi nevojë t’ia paraqesim Hyjit për të mirën e Kishës në Shqipëri.

Në fund të kësaj asambleje mund të them me psalmistin: “Sa është bukur dhe gëzueshëm që vëllezërit të jenë së bashku”

Previous Laudato sii - Enciklika e re e papës Françesku
Next Krijues është vetëm Zoti. Ne artistët jemi veçse moderatorë...

Sugjerime