Imzot Mirdita: Angazhimi ynë është besnikëri ndaj Hyjit dhe ndaj martirëve

Imzot Mirdita: Angazhimi ynë është besnikëri ndaj Hyjit dhe ndaj martirëve

AsamblejaNga peregrinus.al

Në ditën e parë të Asamblesë kombëtare të Kishës katolike në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita mbajti fjalimin e parë rreth jetës së Kishës në Shqipëri dje dhe sot. Në ligjëratën e tij ai hodhi një vështrim gjithpërfshirës ku u prekën tre etapa kryesore: Etapa e parë 1991-1993 që përkon me fillimet pas rënies së komunizmit deri në vizitën e Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993; Etapa e dytë 1993-2000 e cila përkon me shugurimin e meshtarëve të parë shqiptarë në Katedralen e Shkodrës me datë 29 qeshor 2000; dhe periudha e fundit 2000- shtator 2014 me vizitën e Papës Françesku.

Marksizmi ateist – tha Imzot Mirdita – jo vetëm nuk e kishte vënë në gjumë Kishën, por përkundrazi ajo ishte më e gjallë se kurrë. Fillimi i ri ishte një shprehje lirie së cilës iu gëzuan të gjithë. Meshtarët e vjetër nuk ngurruan aspak por filluan misionin e tyre menjëherë. Ne të tjerët stafetën e kemi marrë nga duart e atyre që e kanë mbrojtur me gjakun e martirëve. Një deshmi personale vitit 1991 kur erdha për herë të parë. Në Shkrel pashë, kur shkova të them meshë, se Kisha në Shqipëri, nuk kishte vdekur, por ishte e gjallë. Teksa shihja ato rrëke njerëzish ngjyra-ngjyra që vinin për meshë u krijua një imazh që më ka shoqëruar për shumë kohë – vazhdoi Arqipeshkëvi i Tiranës. Hyu ua ka shpërblyer atyre qe kanë vuajtur. Ç’befasi u ka përgatitur Hyju atyre fëmijëve e të rinjëve që jetojnë sot gëzimin e fesë së marrë prej atyre që kanë vuajtur. Angazhimi ynë është besnikëri ndaj Hyjit dhe atyre që na kanë dëshmuar bukurinë e fesë nëpërmjet martirizimit. Gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar strukturat bazë për ungjillizimin. Janë bërë struktura të cilat nuk janë të përsosura, por që kanë nevojë të përsosen. Më tej Imzot Mirdita foli për Kishën duke nisur nga përvoja e tij baritore si Arqipeshkëv i Tiranës qysh nga emërimi i tij në dhjetor të vitit 1992 e deri më sot. Janë bërë hapa gjigande. Katedralja dhe kompleksi i Arqipeshkëvisë së bashku me kisha, vepra të tjera shkollore e qëndra sociale është kurorëzimi i një pune të gjatë e të madhe. Më pas ai foli për organizimin e Kishës në dy Motropoli në vitin 2005.

Arqipeshkëvi foli edhe për pluralizmin fetar dhe dialogun. Feja nuk mund te kthehet në një ideologji. Ajo është zbulim i lirë i Hyjit dhe pranim i lirë i njeriut. Në këtë liri qëndron dinjiteti i njeriut. Askush nuk mund të detyrojë askënd të besojë. Liria e religjionit është një liri themelore. Pluralizmi fetar nuk na shqetëson. Ajo është e hapur për bashkëpunim. Shkollat tona janë të hapura për të gjithë, të krishterë e msylimanë, e po ashtu ndërmjet krerëvë fetarë ka bashkëpunim.

Në vitin 2000 u bënë shugurimet e para. Meshtarët shqiptarë ndonjëherë ndoshta nuk janë vlerësuar aq sa duhet, por janë lënë në vendet e dyta. Askush nuk i njeh nevojat e shpirtit shqiptar si ata. Meshtarët shqiptarë, kleri vendas duhet të mësojnë gjithashtu edhe përvujtërinë. Për të ardhmen duhet të pyesim veten: A jemi kujdesuar sa duhet për të ushqyer zemrën e të rinjëve dhe dëshirën e tyre për meshtarë? A i është kushtuar sa duhet vëmendje formimit të klerit? Gjithnjë në lidhje me të ardhmen Imzot Mirdita foli për laikët. Në përmbyllje një fjalë për laikët. Pa popullin e Hyjit ne do të ishim endacak…në mënyrë të vecantë të rinjtë kanë pyetje që ne kemi për detyrë të përgjigjemi.

Previous Familja: nje kendveshtrim katolik ne dialog
Next Për kë do të votojnë shqiptarët?

Sugjerime