Walter Kasper, Bukuria e familjes dhe brishtësia e saj ne botën bashkëkohore*

Walter Kasper, Bukuria e familjes dhe brishtësia e saj ne botën bashkëkohore*

Kard_kasperNga Walter Kasper

Në vitin ndërkombëtar të familjes, Papa Françesku ka ftuar Kishën për të kremtuar një proces sinodal mbi Sfidat pastorale të familjes në kontekstin e ungjillëzimit. Ja çfarë shkruan ai në Porosinë apostolike Evangelii gaudium: “Familja po kalon një krizë të thellë kulturore ashtu si të gjitha bashkësitë dhe lidhjet shoqërore. Në rastin e familjes, brishtësia e lidhjeve të tilla bëhet veçanërisht e rëndë sepse bëhet fjalë për qelizën themelore të shoqërisë” (EG 66).

Sot shumë familjeve u duhet të përballen me vështirësi të mëdha. Me miliona njerëz gjenden në kushte emigrimi, ikjeje dhe largimi, madje edhe në kushte mjerimi të padenja për njeriun, në të cilat nuk është e mundur një jetë e rregullt familjare.

Bota aktuale po përjeton një krizë antropologjike. Individualizmi dhe konsumizmi vënë në pikëpyetje kulturën tradicionale të familjes; kushtet ekonomike e ato të punës shpesh e vështirësojnë bashkëjetesën dhe kohezionin në gjirin e familjes. Po ashtu, numri i atyre që ndjehen të frikësuar të krijojnë një familje ose që dështojnë të përmbushin planin e tyre të jetës është rritur në mënyrë dramatike, ashtu si numri i fëmijëve që nuk e kanë fatin që të rriten në një familje të rregullt.

Kisha që ndan gëzimet e shpresat, trishtimet dhe shqetësimet e njerëzve (GS .1) sfidohet nga një situatë e tillë. Me rastin e vitit të fundit dedikuar familjes, Papa Gjon Pali i II-të ka prekur edhe një herë fjalët e enciklikës Redemptor hominis (1979): “Njeriu dhe udha e Kishës”, duke pohuar se “familja është pikërisht udha e Kishës” (2 shkurt 1994). Sepse normalisht, njeriu lind në një familje dhe rritet zakonisht në gjirin e familjes.

Në të gjitha kulturat e historisë së njerëzimit, familja është ajo nëpër të cilën rrugëton njeriu. Edhe sot ka shumë të rinj që e kërkojnë lumturinë në një familje të qëndrueshme. Por duhet të jemi të sinqertë që ta pranojmë se është krijuar një hendek midis doktrinës së Kishës mbi martesën e familjes e bindjeve të shumë të krishterëve. Për shumë të krishterë, mësimi i Kishës është diçka larg realitetit jetësor. Madje mund të themi me gëzim se ka dhe nga ato familje që bëjnë të pamundurën për të jetuar fenë e Kishës dhe dëshmojnë bukurinë e gëzimin e fesë së përjetuar në gjirin e familjes. Shpesh këta përbëjnë vërtet një pakicë, por janë ama një pakicë domethënëse. Situata e Kishës së sotme nuk është një situatë paprecedent. Përkundrazi, edhe Kisha e shekujve të parë përballej me koncepte e modele të martesës e familjes, që ishin mjaft të ndryshme nga mesazhi i predikuar prej Jezusit, që ishte një risi si për hebrenjtë ashtu edhe për botën greko-romake. Prandaj këndvështrimi ynë sot nuk mund të jetë një përshtatje liberale ndaj status-kuosë, por një qëndrim rrënjësor, që shkon në rrënjë, që është vetë ungjilli dhe prej andej shikon përpara. E ky do të jetë misioni i Sinodit, të flasë sërish për bukurinë e gëzimin e Ungjillit të familjes që është nga një anë gjithnjë i njëjtë, por ndërkohë edhe gjithnjë i ri (EG 11).

Ndërhyrja e tanishme nuk mund të përballet me të gjitha çështjet aktuale, e as nuk synon të paraprijë në parashikimet e rezultateve të Sinodit, që do të thotë ecjes (odos) së përbashkët (syn) të mbarë Kishës, ecjes me dëgjim të vëmendshëm reciprok, shkëmbimesh e lutjesh. Synon më shumë të jetë një farë overture që të shpie te tema, me shpresë që në fund të dhurohet një simfoni, ose më mirë të themi një bashkim i harmonishëm i të gjitha zërave të Kishës, edhe të atyre që tani janë pak si të çakorduar. Nuk bëhet fjalë tani që të ripohojmë doktrinën e Kishës. Le të konsultojmë Ungjillin e familjes e në këtë mënyrë i kthehemi burimit prej nga rrjedh doktrina. Ashtu si pohonte Koncili i Trentit, Ungjilli i besuar dhe jetuar në Kishë është burimi i çdo të vërtete shpëtimi e disipline të traditave (DH 1501; shih edhe EG 36). Kjo do të thotë që mësimi i Kishës nuk është një pellg me ujë të ndenjur, por një përrua që rrjedh nga burimi i Ungjillit në të cilin rrjedh përvoja e fesë së popullit të Zotit të të gjithë shekujve. Ёshtë një traditë e gjallë që sot, ashtu si dhe në shumë raste gjatë kursit të historisë, ka arritur një pikë kritike dhe që përpara “shenjave të kohës” (OS 4), kërkon të vazhdimësohet dhe thellohet më tej.

Po ç’është ky Ungjill? Nuk është një kod juridik. Por është dritë e forcë jetësore që është vetë Jezu Krishti. Ai dhuron atë që i kërkohet. Vetëm në dritën e tij dhe në fuqinë e tij është e mundur të kuptohen dhe zbatohen urdhërimet. Sipas Tomë Akuinit ligji i Aleancës së re nuk është një lex scripta, por gratia Spiritus Sancti, quae datur per fidem Christi. Pa Shpirtin që vepron në zemër, germa e Ungjillit është një ligj që vret (2 Kor 3-6). Prandaj Ungjilli i familjes nuk dëshiron të jetë një barrë, por si dhuratë feje ashtu edhe një lajm i gëzueshëm, dritë e forcë në jetën e familjes.

Arrijmë kështu te pika kryesore. Sakramentet, si ai i martesës, janë sakramente feje: Signa protestantia fidem, thotë Toma i Akuinit. Ndërsa Koncili i II-të i Vatikanit pohon këtë në lidhje me sakramentet: “Jo vetëm që e mbështesin fenë por […] e ushqejnë, forcojnë dhe e shprehin“ (SC 59). Edhe sakramenti i martesës mund të bëhet efektiv dhe mund të përjetohet vetëm me anë të fesë. Prandaj pyetja thelbësore është: në ç’gjendje është feja e bashkëshortëve të ardhshëm? Sot shohim në vendet me kulturë të lashtë të krishterë shembjen e atyre gjërave që kanë qenë për shekuj të vërteta të sigurta të fesë së krishterë dhe të kuptuarit natyror të martesës e familjes. Shumë persona janë të pagëzuar por jo të ungjillëzuar. E thënë në terma paradoksalë, janë katekumenë të pagëzuar, për të mos thënë paganë të pagëzuar.

Në këtë situatë nuk mund t’ia nisim nga një listë mësimesh apo urdhërimesh, duke u fiksuar pas të ashtuquajturave “çështje të nxehta”. Nuk duam e nuk mund t’i anashkalojmë këto pyetje, por duhet t’i trajtojmë në mënyrë rrënjësore, duke filluar nga rrënja e fesë, nga bazat e fesë (Heb 5, 12), duke përshkuar hap pas hapi një rrugëtim feje (FC 9; EG 3439). Zoti është një Zot i rrugëtimit; në historinë e shpëtimit ka bërë një rrugëtim me ne; edhe Kisha në historinë e saj ka kryer një rrugëtim. Dhe sot duhet të përshkojë përsëri bashkë me personat e të sotmes. Nuk do që t’ia imponojë askujt fenë, por mund ta paraqesë dhe propozojë udhën e lumturisë. Ungjilli mund ta realizojë bindjen vetëm me anë të vetvetes dhe bukurisë së thellë.

(Do të botojmë pjesë pjesë Fjalimin e Kardinalit Walter Kasper të mbajtur në Koncistorin e Jashtëzakonshëm për Familjen i datës 20 shkurt 2014. Në këtë fjalim Kardinali Kasper pasi flet për bukurinë e familjes shtron pyetje të cilat kanë nevojë për një shoshtje nga ana e Kishës.)

 

Previous Zoti fal gjithmonë, toka nuk fal kurrë!
Next Lufta për jetën

Sugjerime